Arbëri

Kurti i shkon Bedri Hamzës në zyrë

Bedri Hamza - Albin Kurti

Kryeministri në detyrë Albin Kurti është duke mbajtur takim me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza.

Takimi mes Kurtit e Hamzës ka nisur para disa minutash dhe ende nuk është bërë e ditur arsyeja e vizitës së tij në Mitrovicë të Jugut dhe as tema e diskutimit.

Takimi është konfirmuar nga zëdhënësja e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Blerina Kastrati.

Ajo ka njoftuar se pas takimit palët do të njoftojnë për temat të cilat janë biseduar.

E zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se qëllimi i takimit ishte diskutimi për bashkëpunim midis Qeverisë dhe komunave.

"Pas vizitës dhe takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, kryeministri Kurti ka vizituar sot edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza. Të dy takimet kanë pasur në qendër të diskutimit punën e këtyre komunave dhe bashkëpunimin ndërmjet qeverisë dhe komunave në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve", ka thënë ai.

Sot është për herë të 29-t është tentuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës, përpjekje kjo e dështuar.

Bashkëpunimi mes Qeverisë e komunave, temë diskutimi e Kurtit me Hamzën dhe Atiqin

1 muaj më parë / 9 qer 2025 18:22
Albin Kurti dhe Erden Atiq

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se gjatë vizitës në Mitrovicë të veriut dhe të jugut, i ka takuar kryetarët e komunave, Erden Atiq dhe Bedri Hamza, që njoftoi se kanë diskutuar për bashkëpunimin mes qeverisë dhe komunave.

Kurti ka shkruar në Facebook se këto komuna janë më afër njëra-tjetrës se kurrë më parë, derisa tha se po punojnë “për të fuqizuar gjithëpërfshirjen dhe mirëqenien qytetare”.

Kryeministri në detyrë shtoi se iu ka shprehur mbështetje për të punuar dhe jetësuar projekte për qytetarët.

“Në Mitrovicë të veriut dhe të jugut, me kryetarët Erden Atiq dhe Bedri Hamza, biseduam për bashkëpunimin qeveri-komunë dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta. Këto dy komuna janë më pranë njëra-tjetrës se kurrë më parë, duke punuar tashmë për të fuqizuar gjithëpërfshirjen dhe mirëqenien qytetare. Shpreha mbështetjen për të punuar bashkë dhe jetësuar sa më shumë projekte e nisma në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim. Vizita e sotme rastisi dhe në ditëlindjen e kryetarit Erden Atiq, të cilit i uruam jetë të gjatë, shëndet të plotë e shërbim me integritet të lartë”, ka shkruar ai.