Arbëri

Kurti në homazhe për Xheladinin e Balajn: Protestonim kundër Pakos së Ahtisaarit me shumë koncesione

Kurti - Mon Balaj Arben Xheladini

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në 19-vjetorin e vdekjes së Arben Xheladinit e Mon Balajt, ka kujtuar protestën e 10 shkurtit 2007 në kundërshtim të Pakos së Marti Ahtisaarit.

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u vranë në këtë protestë. Ata u vranë me plumba gome nga policë rumunë që vepronin në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Që prej atëherë, askush nga autoritetet ndërkombëtare nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tyre dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, e as përgjegjësinë për zbardhjen e këtij veprimi me pasoja tragjike.

Kurti e ka quajtur pakon e Ahtsiaarit si kompromis me shumë koncesione.

“Në atë protestë ne po kundërshtonim pakon e emisarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaarit, si një kompromis që shënonte padrejtësi për popullin tonë dhe të drejtat tona. Edhe vetë Ahtisaari ka thënë që propozimi i tij është kompromis dhe ne ishim të bindur që ishte kompromis tepër i madh sepse kishte aq shumë koncesione përbrenda. Por gjashtë prej tyre ishin kryesore; së pari, në atë pako Kosova detyrohej të instalonte një decentralizim mbi baza etnike, ne konsideronim që kemi nevojë për decentralizim pas sovranitetit dhe njëkohësisht ky decentralizim duhet të jetë financiar e funksional por jo etnik. Tjetra parashihej një koncesion tjetër, ekstraterritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse, që madje mbikëqyrëshin serbe në 45 zona të veçanta. Ne ishim për bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërfetar dhe jo për ndarje e përçarje. E donim Kosovën republikë demokratike e parlamentare ku vullneti i shumicës dominon por jo duke shkelur të drejtat e pakicave. Mirëpo kundërshtonim të gjitha privilegjet e mundshme që e dëmtojnë, e ndalojnë e gjymtojnë vullnetin e shumicës dhe kritikonim ulëset e rezervuara që shënonin një asimetri të brendshme në Republikën Demokratike duke e cenuar atë”, ka thënë Kurti në fjalimin pas homazheve.

Kurti ka thënë se në këtë protestë policia e UNMIK-ut pati dalë “jo për të na ndalë apo arrestuar, por për të na vrarë”.

Pakoja e Martti Ahtissarit ishte propozimi për zgjidhjen e statusit të Kosovës, më 2007. Thelbi i saj është pavarësia e shtetit të Kosovës, me garanci të forta për të drejtat e komuniteteve joshumicë, veçanërisht atij serb.