Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur tepër shqetësuese stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën. Ai ka thënë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, teksa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë.
Ai ka thënë se një shfaqje e tillë e ushtrisë serbe paraqet jo vetëm trysni dhe nxitje tensioni por edhe përpjekje për t’i frikësuar banorët shqiptarë “që ka vite që përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 e parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun – heroin e Kosovës”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti ka shtuar se Beogradi po e shfrytëzon këtë moment për ta sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj Rusisë dhe Iranit.
“Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim. Por është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkoj këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale. Është koha e fundit pra që bota demokratike të dënojë veprimet e tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka përfunduar Kurti.