Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Plagët e së kaluarës mbeten të hapura derisa autorët të përballen me drejtësinë

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti në përvjetorin e Masakrës së Izbicës ka thënë se plagët e së kaluarës do të mbeten të hapura për sa kohë autorët e krimeve nuk përballen me drejtësinë.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se Republika e ka obligim institucional e moral që të kërkojë drejtësinë, ndëshkimin e përgjegjësve dhe të nderojë dinjitetin e çdo viktime.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sot janë bërë 27 vjet nga Masakra e Izbicës, ku forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

“Në përvjetorin e masakrës së Izbicës, kujtojmë njërën nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë. Më 28 mars 1999, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt. Pas plaçkitjes dhe ndarjes së burrave nga gratë dhe fëmijët, u ekzekutuan 147 shqiptarë të pafajshëm. Dy gra të moshuara, të paafta për të lëvizur, u dogjën të gjalla pasi forcat serbe i vunë flakën rimorkios së traktorit ku ndodheshin ato. Të mbijetuarit u dëbuan me forcë, ndërsa trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u fshehën në varreza masive në Kosovë e Serbi, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit. Edhe sot ka varre të zbrazëta dhe familje që presin drejtësi. Edhe sot, sikurse çdo ditë nderojmë viktimat dhe qëndresën e familjarëve, të cilët me guxim dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë. Plagët e së kaluarës mbeten të hapura për sa kohë autorët e krimeve nuk janë përballur me drejtësinë. Si Republikë e Kosovës, kemi obligim institucional dhe moral që të vazhdojmë pa u ndalur në kërkimin drejtësisë, në ndëshkimin e përgjegjësve dhe në nderimin e dinjitetit të çdo viktime”, ka shkruar Kurti.

Në ditën kur Kurti tha se duhet nderuar me dinjitet çdo viktimë, Komuna e Prishtinës largoi nga sheshi qendror ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të autorit Shkëlzen Gashi, për shkak të pasaktësive të shfaqura në të. Ekspozita, që u mbështet financiarisht edhe nga Kuvendi, i cilësonte “si të armatosur” qindra civilë të vrarë nëpër masakra. Organizatorët janë përgënjeshtruar edhe nga ata për të cilët thanë se i kanë marrë si burim. Fondi për të Drejtën Humanitare tha se Gashi s’ka ditur as t’i lexojë të dhënat. E pas reagimeve të shtunën është aktivizuar edhe Prokuroria Speciale.