Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Po shqyrtojmë mundësinë për të marrë gazin amerikan

albin kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri me dije se qeveria e ka në plan përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan.

Veçse tha se kjo synohet të bëhet përmes portit detar, e jo me gazsjellës.

“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha ai, gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, në Kramovik të Rahovecit. Projekt ky i nisur në kuadër të ankandit të parë solar të mbështetur e dizajnuar nga SHBA.

”Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, tha Kurti.

Për këtë projekt, tha se synon të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të kontribuojë në forcimin e sektorit energjetik të Kosovës.

“Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë”, tha Kurti.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, javën  e kaluar e ka përsëritur kërkesën që Kosova ta pranojë gazin amerikan, teksa theksoi se kjo do t’i siguronte investime amerikane në të ardhmen.

Edhe Prattipati përsërit kërkesën për gazin amerikan: Siguroni investimet e ardhshme amerikane Arbëri 1 j. më parë Prattipati përsërit kërkesën për gazin amerikan: Siguroni investimet e ardhshme amerikane

Sipas njoftimit të ambasadës, ajo pati vënë në pah që Kosova duhet ta diversifikojë furnizimin me energji me gaz natyror të lëngshëm amerikan (LNG), që sipas saj, do t’i siguronte investime amerikane në të ardhmen.

Prattipati edhe në fillim të qershorit përmes një opinioni i pati bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror, duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

Sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria ka firmosur projektin në prill. Ndërkohë këtë e ka bërë edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia.