Arbëri

Kurti pretendon se buxheti për RTK-në më 2021 u nda paligjshëm, por s’e jep as vetë një zgjidhje

Albin Kurti

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do zgjidhje “ligjore” sa i përket çështjes së ndarjes së buxhetit për RTK-në. Ai ka thënë se ndarja buxhetore për transmetuesin publik më 2021 nga ish-kryeministri Avdullah Hoti ishte bërë në mënyrë joligjore dhe se ai nuk e ka ndërmend ta ndjekë atë rrugë, por nuk ka dhënë as vetë ndonjë zgjidhje konkrete për këtë.

Kurti ka thënë se ka pasur takime në këtë drejtim, megjithatë nuk ka treguar se çfarë rezultatesh janë nxjerrë nga ato takime teksa iu përgjigj gazetarëve se “duhet t’i pyesni ata që janë takuar”. Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë protestuar të martën para Kuvendit ndaj mungesës së alokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit.

“RTK është themeluar nga Kuvendi dhe i jep llogari atij. Ne jemi për ta gjetur një zgjidhje dhe jemi për pjesëmarrje aktive në gjetjen e një zgjidhje, por nuk mund të jetë ajo një zgjidhje që nuk është ligjore. Komisioni për Buxhet do duhej ta marrë vendimin për transferim të mjeteve. Duke mos pasur legjislaturën e nëntë, nuk e kemi as atë komision, rrjedhimisht nuk e kemi as atë vendim”, ka thënë ai.

“Ajo është praktikë joligjore e ish-kryeministrit Hoti. Unë nuk mund të shkeli në atë rrugë joligjore, pa çka se ajo është bërë. Prandaj duhet të gjenden zgjidhje të tjera prej praktikës së dikur të paligjshme e që duhen të jenë patjetër ligjore”, u përgjigj tutje.

E, ish-kryeministri Hoti ka reaguar në Facebook duke e arsyetuar vendimin e vitit 2021. Ai ka thënë se ndarja e buxhetit për RTK-në më 2021 ka qenë “plotësisht ligjore”.

“Buxheti i vitit 2021 ka qenë i miratuar. Vendimi i atëhershëm i Qeverisë ka paraparë hapat që duhej të ndiqeshin deri në vendimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Kështu që deklarimi i sotëm i Kurtit lidhur me atë vendim është tentim për mashtrim të opinionit”, ka shkruar Hoti.

Në kushtet kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, menaxhmenti i RTK-së i pati bërë thirrje edhe Qeverisë në detyrë për reagim të menjëhershëm dhe trajtim me prioritet të lartë të kësaj çështjeje jetike për funksionimin e transmetuesit publik.