(Përditësim, 16:19) - Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se kanë folur për dy mundësi në lidhje me çështjen e presidentit; ose konsensusi politik ose ndonjë marrëveshje klasike mes partive politike.
Abdixhiku para mediave deklaroi se me kryeministrin Kurti do të takohen sërish për këtë çështje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Janë vetëm dy rrugë përpara, e para ose duhet konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në ditët e ardhshme ose duhet marrëveshje klasike politike mes partive. Në të dyja rastet duhet së paku 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës. Mbetëm të takohemi në ditët në vijim për të parë të dyja këto mundësi, këto dy rrugë që i kemi përpara. Nuk folëm për emra, folëm për parime dhe për shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku tutje ka thënë se në këtë takim nuk kanë folur për emra apo propozime për presidentin/en e ardhshëm por vetëm për atë se - janë dy rrugë.
“Marrëveshja politike nënkupton dakordim për çështjen e presidentit, në këtë fazë nuk e besoj se keni interes në atë drejtim por gjithçka është e hapur brenda marrëveshjes politike. Edhe konsensusi është shumë i natyrshëm, çfarëdo zgjidhje që na sjell për 2/3 e votave të Kuvendit të Kosovës. Nuk kemi folur për emra e as propozime konkrete. Folëm për dy rrugë që duhet të zgjedhim: ose marrëveshjen politike klasike ku partitë bëhen bashkë dhe e zgjedhin presidentin e ardhshëm; ose konsensusin ku shikohet një kandidaturë përtej marrëveshjes politike”, ka thënë Abdixhiku.
Nis takimi i Kurtit me Abdixhikun
(Tekst i përditësuar në 14:05) - Ka nisur takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku.
Ata pritet të diskutojnë për çështjen e presidentit.
Të dielën, Kurti ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Hamza ka thënë se nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesin kandidatura që nuk e përfaqësojnë unitetin qytetar.
Hamza përmes një postimi në Facebook, ka thënë po ashtu se uron që të reflektojnë ata që kanë përgjegjësi kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë.
“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, ka shkruar Hamza.
Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të 2021-tës, ndërsa detyrën e mori një ditë më pas. Dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit imponon zgjedhje të parakohshme.
Javën e kaluar, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se është në pritje të kandidaturave për president, për të ftuar seancën për zgjedhjen e tij apo saj. Ajo ka theksuar se e gjithë procedura duhet të përmbyllet deri më 4 mars, por ka rikujtuar se nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë që deponojnë edhe nënshkrimet mbështetëse paraprake.
“Unë sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Para së gjithash duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”, ka thënë Haxhiu.
Kurti: Do të përpiqemi maksimalisht t’i evitojmë zgjedhjet, s’kemi emër të përveçëm për president
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëjnë përpjekje maksimale për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme sa i përket çështjes së presidentit. Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedh presidentin.
Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka asnjë kandidat të përveçëm për president, e këtë nuk e kanë as Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurti të dielën u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza e të hënën me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Në vijim ose të gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të ketë 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë e votojnë më së largu deri 4 mars apo subjektet politike të merren vesh për rrugën përpara. Shfaqet e nevojshme të kemi diku 83-84 deputetë apo 85, pasi vetëm një nëse mungon atëherë shkojmë automatikisht në zgjedhje. Përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë se s’duhet që edhe në vitin 2026 gjysmën e parë të na marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht të evitojmë zgjedhjet shkaku i moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se nuk janë mbledhur nënshkrime nga VV-ja për asnjë kandidat dhe tha se nuk ka kuptim të mbledhen nënshkrime kur maksimalisht i kanë 66 vota nëse votojnë të gjithë, edhe deputetët nga radhët e komuniteteve.
E ai tha se PDK-ja e LDK-ja siç i kanë thënë, nuk e kanë minimumin prej 30 nënshkrimeve për të propozuar kandidatë.
“VV-ja me partnerët që ka garuar bashkë e me pakicat që na janë bashkëngjitur i kanë total 66 vota, e nëse ia shton 15 deputetë të LDK-së bëhen 81 vota. Edhe 81 nënkupton më saktë mund të dështojë vetëm një deputet e jo dy. Pra, VV me LDK-në nuk është formulë e sigurtë që ta tejkalojmë këtë çështje e të mos shkojmë sërish në zgjedhje”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se është optimist për një zgjidhje duke parë konstruktivitetin e po ashtu ka thënë se nuk po sheh ndonjë zell nga radhët e partive për zgjedhje të reja.
Sa i përket asaj nëse do të ftohet AAK-ja në takim, Kurti ka thënë se LVV-ja, PDK dhe PDK janë parti ku gjenden shumica e deputetëve.
Ai ka treguar se mbrëma u takua në Prekaz me Rifat Jasharin.
“Biseduam për çështje politike e shumë çështje tjera, por natyrisht zgjidhja është te këto tri parti politike”, tha Kurti.