Arbëri

Kusari-Lila u reagon opozitarëve: Koha e mospjesëmarrjes në votim mbaroi

Mimoza Kusari-Lila

Mimoza Kusari-Lila, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Gjykata Kushtetuese me vendimin e së enjtes për çështjen e seancës konstituive e ka bërë të qartë se votimi në të është obligim kushtetues, e këtu, sipas saj, përfshihet edhe votimi për komisionin zgjedhor për votim të fshehtë.

Me këtë rast, ajo u ka thënë deputetëve të partive që deri tash ishin në opozitë se ka mbaruar koha e mospjesëmarrjes në votim.

“Interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese — edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë) — nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues. Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim. Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive. Koha e mosjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjykata të enjten vendosi që deputetët kanë 30 ditë kohë për të konstituuar Kuvendin, por partitë dhanë interpretime të ndryshme mbi përgjigjen e gjykatës nëse lejohet apo jo që të ketë votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin, pas disa përpjekjesh me votim të hapur.

Në çështjen e kalimit në votim të fshehtë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, “duke votuar ‘për’, ‘kundër’ apo ‘të abstenojnë”.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje. Partitë opozitare nuk kanë votuar fare e AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së.

Lexo përditësimet tjera
kuvendi - 25 qershor

Kushtetuesja i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të...