Largimi eventual i ndonjërit prej gjyqtarëve aktualë të Gjykatës Kushtetuese do ta paralizonte vendimmarrjen e këtij institucioni. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kuorumi arrihet vetëm kur janë të pranishëm së paku shtatë nga nëntë gjyqtarët që e përbëjnë këtë gjykatë. Juristët thonë se vetëm dorëheqja eventuale e gjyqtarit Radomir Laban, për të cilin presidentja Vjosa Osmani tha se paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, do ta bllokonte Kushtetuesen. Ndërkaq, e shohin vështirë të mundshëm shkarkimin e tij në këtë fazë
Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet pa kuorum në rast të dorëheqjes ose shkarkimit të ndonjërit prej gjyqtarëve.
Aktualisht, Kushtetuesja i ka shtatë gjyqtarë aktivë dhe largimi eventual i ndonjëri prej tyre do ta pamundësonte kuorumin në vendimmarrje.
E njëri prej gjyqtarëve të këtij institucionit u bë shkak që presidentja ta tërheqë kërkesën rreth konstituimit të Kuvendit, me arsyen se Radomir Laban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se Kushtetuesja do të mund të bllokohej vetëm nëse Laban dorëhiqet, meqë shkarkimi është vështirë i realizueshëm në këtë fazë.
“Duke qenë se aktualisht gjyqtarë me mandat të plotë janë vetëm shtatë, në momentin që dorëhiqet ose në çfarëdo forme shkarkohet ndonjëri prej anëtarëve të tyre, kushdo që të jetë ai, e bllokon vendimmarrjen, për faktin se, siç dihet, sipas nenit 19 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, për të qenë të vlefshme vendimet e kësaj gjykate, duhet me qenë së paku shtatë gjyqtarë, ndërsa vendimet merren me shumicë votash. Kjo nënkupton se cilido prej gjyqtarëve aktualë që e lë pozitën, në çfarëdo forme, rrjedhimisht e bllokon punën e kësaj gjykate”, ka thënë Bajraktari. “Në referencë të kësaj, sa i përket çështjes së gjyqtarit Llaban, i vetmi është ai që aktualisht mund ta bllokojë punën e kësaj gjykate, nëse eventualisht jep dorëheqje”.
Çështja e shkarkimit është rregulluar me Kushtetutë, përkatësisht me nenin 118, sipas të cilit, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet, vetëm nëse ka shkelje të rëndë të detyrave ose dënohet me vendim të plotfuqishëm për vepër të rëndë penale.
Edhe Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI, e ka përmendur rrezikun e bllokimit të Kushtetueses, tek ngriti dyshime për motivet e presidentes në tërheqjen e kërkesës.
“Një largim i tillë, në këtë fazë, do të sillte bllokim të funksionimit dhe ushtrimit normal të punës së Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht, kjo gjykatë i ka shtatë gjyqtarë aktivë dhe çdo largim eventual i gjyqtarit Laban do ta bënte të pamundur vendimmarrjen për të gjitha çështjet e mbetura”, ka theksuar ai.
Kjo, ka shtuar Bugaqku, për shkak se, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kuorumi arrihet vetëm kur janë të pranishëm së paku shtatë nga nëntë gjyqtarët që e përbëjnë këtë gjykatë.
“Në këtë rrethanë shtrohet pyetja: pse pikërisht tani Presidentja vendosi të denigrojë integritetin e tij? A është qëllimi të krijohet një bllokadë edhe në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për ta pamundësuar vendimmarrjen e Gjykatës për rastin e konstituimit të Kuvendit, si dhe çdo shqyrtimi kushtetues të veprimeve të Qeverisë në detyrë dhe të vetë Presidentes?”, ka theksuar ai.
Që nga fundi i 2024-ës, Kushtetuesja mbeti pa dy gjyqtarë, pasi iu skadoi mandati Gresa Caka-Nimanit (kryetare) dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi. Zgjedhja e anëtarëve të rinj bëhet nga Kuvendi, i cili ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, të enjten, ka bërë thirrje që pavarësia dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në një reagim të publikuar nga kjo ambasadë.
Sa i përket çështjes së Labanit, në Kushtetues deklaruan një ditë më herët se ai e ushtron funksionin e gjyqtarit “pasi u është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretim nga presidenti”.
Ani se një palë mund ta tërheqë kërkesën nga shqyrtimi i mëtejmë në Gjykatën Kushtetuese, Rregullorja e Punës i jep të drejtë Gjykatës që të nxjerrë vendim meritor për çështjen e ngritur.
Pasi Kushtetuesja e caktoi Labanin si gjyqtar raportues, Osmani e ka tërhequr të martën kërkesën e adresuar dy javë më parë për t’i definuar pasojat juridike që prodhohen pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.
Pavarësisht tërheqjes së kërkesës, sipas avokatit Bajraktari, është detyrë dhe përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese për ta vlerësuar nëse ka akoma materie për të vazhduar tutje.
“E kam thënë që në krye të herës, me rastin e paraqitjes së kësaj kërkese, në bindjen time ka pasur një huqje, një shpërputhje në mes të asaj që në fakt konsiderohet konflikt për kompetencën, e bindja ime është se rasti konkret nuk ka qenë çështje e tillë. Megjithatë, sulmet dhe etiketimet në formë të tillë, në adresë të cilitdo gjyqtar, natyrisht që janë të papranueshme, e ulin tej mase besimin e publikut në këtë institucion tepër me rëndësi. Prandaj, kurdo që ka dyshime, të njëjtat duhet të adresohen tek organet përkatëse, e assesi të mos kemi këso forma të komunikimit përmes opinionit publik”, ka theksuar Bajraktari.
Më 26 korrik përfundoi afati i Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit. Pas kësaj, pësoi një masë e përkohshme e gjykatës që nuk i lejon deputetët të marrin asnjë veprim për dy javë, deri më 8 gusht.
Gjatë kësaj periudhe u prit një tjetër sqarim nga Kushtetuesja. Por, kur ka mbetur një ditë para skadimit të afatit, ky sqarim nuk është bërë.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është duke i trajtuar edhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.