Arbëri

Kushtetuesja thekson se njëri nga deputetët e Listës Serbe duhet të jetë nënkryetar i Kuvendit

kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë të pakufizuar Listës Serbe që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj brenda afatit 30-ditor për konstituim. Sipas Gjykatës për sa kohë që Lisa Serbe nuk refuzon të japë propozime, procedura e shortit nuk vjen në shprehje.

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e saj, me të cilin e ka qartësuar se nënkryetari i serb i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë duhet të jetë njëri nga nëntë deputetët e Listës Serbe, si shumicë brenda këtij komuniteti.

Në aktgjykim thuhet se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve dhe përderisa kjo shumicë nuk refuzon të propozojë kandidat për nënkryetar, procedura e shortit nuk vjen në shprehje. 

Gjykata ka theksuar se edhe në rastet kur ezaurohen nga tri herë në votim të gjithë emrat e kandidatëve të propozuar nga shumica e komuniteti serb, kjo shumicë, që në këtë rast është Lista Serbe, ka të drejtë të fillojë me propozimet e njëjta pa kufizim, për sa kohë është brenda afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit.

“Gjykata thekson se (i) as Kushtetuta e as Rregullorja e Kuvendit nuk bën dallimin në mes të deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvend, qoftë me përkatësinë e tyre partiake apo ideologjike apo bazë tjetër, por i përfshin ata në grupin e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb, sipas deklarimeve të tyre paraprake për vendet e garantuara në Kuvend për komunitetin në fjalë; dhe se (ii) votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 (tri) herë, me përjashtim të rasteve kur konsumohen të gjithë kandidatët e propozuar nga komuniteti në fjalë, dhe në këtë rast procedura e zgjedhjes së nënkryetarëve, përjashtimisht, mund të përsëritet, nëse afati për konstituimin e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe të ketë vullnet të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për ta konstituuar Kuvendin”, thuhet në aktgjykim.

Në legjislaturën e nëntë Nenad Rashiq u zgjodh nënkryetar Kuvendi nga komuniteti serb në mënyrë antikushtetuese, pasi sipas Gjykatës nuk ishin plotësuar kushtet për aktivizimin e mekanizmit debllokues siç është procedura e shortit.

Kjo arsyetohet me gatishmërinë e Slavko Simiqit që në seancën e 10 tetorit të propozonte sërish emrat e njëjtë prej fillimit.

“Gjykata rikujton se për të aktivizuar mekanizmin debllokues të shortit, të përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, duhet të vijnë në shprehje rrethana përjashtimore, me ç’rast shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë nuk do të propozonte kandidatët sipas paragrafit 6 të këtij neni”, thuhet në aktgjykim.

Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja thotë se është përgjegjësi e Listës Serbe që të angazhohet t’i bëjë numrat për zgjedhjen e nënkryetarit serb, por edhe shumicës, të cilën e përbën Lëvizja Vetëvendosje, që të garantojë përfaqësimin e tyre në Kryesinë e Kuvendit.

“Propozimet nga grupet parlamentare apo deputetët që gëzojnë të drejtën e propozimit, në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, duhet të synojnë arritjen e konsensusit, të sigurojnë votat e nevojshme dhe të rezultojnë në zgjedhjen e kandidatëve ashtu siç janë propozuar dhe siç parashihet me Kushtetutë. Gjykata rithekson se është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim.

Rashiqi u zgjodh nënkryetar, pasi u propozua direkt nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, meqë deri atëherë ishin kryer 27 runde votimi për secilin deputet serb nga tri herë, dhe asnjëri nga ta nuk kishte arritur të merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.