Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare, konstituohet Kuvendi

1 muaj më parë Betohen deputetët e rinj

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo mori mbështetjen e 66 deputetëve, 44 ishin kundër e tetë abstenuan. Pas saj në pako u votuan edhe të pesë nënkryetarët. Legjislatura e dhjetë është konstituuar. Në fjalimin e saj, Haxhiu u zotua për punë të përgjegjshme e me barazi për të gjithë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Begaj: Shqipëria në mbështetje të institucioneve demokratike të Kosovës

1 muaj më parë / 11 shk 2026 19:13
Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen si kryeparlamentare dhe inaugurimin e legjislaturës së re. 

Ai ka theksuar se Shqipëria vijon t’i qëndrojë afër Kosovës dhe institucioneve demokratike

“Punime të mbara Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën X! Urime, znj. Albulena Haxhiu, për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit! Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit Euroatlantik!” ka shkruar Begaj në Facebook. 

 

Osmani uron Haxhiun: Mandati të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:52
Osmani uron Haxhiun

Presidentja Vjosa Osmani tek ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen si kryeparlamentare dhe nënkryetarët e rinj të Kuvendit ka thënë se uron që kjo legjislaturë të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore.

Në Facebook, ajo ka thënë se Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve.

“Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës. Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike. Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë! Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!” ka shkruar Osmani.

Zgjidhen nënkryetarët, përfshirë Simiqin e Listës Serbe

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:25
Zgjidhen nënkryetarët, përfshirë Simiqin e Listës Serbe

Photo: Driton Paçarada

Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Emilja Rexhepi nga grupi multietnik  dhe Sllavko Simiq i Listës Serbe janë zgjedhur nënkryetarë të rinj të Kuvendit të Kosovës.

Ata u votuan në pako.

Morën mbështetjen e 104 deputetëve. Tre votuan kundër dhe gjashtë abstenuan.

Gjatë vitit të shkuar, pikërisht çështja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb solli bllokada pasi shumica refuzoi votimin e kandidatëve të propozuar nga Lista Serbe. Kuvendi e pati zgjedhur Nenad Rashiqin për nënkryetar. Pas kësaj Lista Serbe u ankua në Gjykatën Kushtetuese e cila ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Kryeparlamentarja Haxhiu: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, dihet kush ishte agresori

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:23
Kryeparlamentarja Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu në fjalimin e saj të parë ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në gjykatën Speciale në Hagë. 

Ajo ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e qartë dhe e drejtë. Ka thënë se dihet që krimet janë kryer nga Serbia.

Haxhiu ka shtuar që pret që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në Kosovë.

“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, përfshirë luftën çlirimtare të UCK-së. Sot këtu vijmë pasi tërë ditës  kishim seancën ndaj ish-krerëve të UCK-së. Historia e popullit të Kosovës është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UCK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim, dihet kush ka qenë agresori, kush ka bërë krime. Ato krime janë kryer nga Serbia që kurrë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze, përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Presim që ish-krerët e UCK-së të kthehen sa më parë në vend, dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë”, ka thënë ajo.

Haxhiu pasi u bë kryeparlamentare: Besimin do ta nderoj me punë, transparencë e përkushtim

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:19
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja e re e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se besimin për ta marrë këtë post do ta kthejë me punë të përditshme, transparencë e përkushtim të plotë.

Ajo në fjalimin pas marrjes së postit ka thënë se do të përpiqet që secili deputet ta gjejë hapësirën e vet me të njëjtin dinjitet e respekt.

“Sot e marr këtë detyrë më vetëdije të plotë me peshën kushtetuese që e mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do jetë që Kuvendi të funksionoj me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare. Do përpiqem që secili prej jush ta gjej hapësirën e vet këtu me të njëjtin dinjitet dhe respekt, ngase një Kuvend funksional është parakusht për shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme”, ka thënë ajo.

Haxhiu u zotua se detyrën e kryetares "do ta ushtroj me paanshmëri, integritet dhe përkushtim të plotë institucional". 

Albulena Haxhiu, kryeparlamentare e re e Kosovës

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:11
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë. Ajo të mërkurën mori 66 vota për, ndërsa 44 ishin kundër. 8 abstenuan.

Për dallim që tash bëhet kryeparlamentare në tentimin e parë, në legjislaturën e nëntë ajo nuk arriti të merrte shumicën në disa tentime.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albulena Haxhiu ishte gruaja më e votuara për deputete. Ajo mori më shumë se 174 mijë vota.

Para se të bëhet kryetare e Kuvendit, Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë për katër vjet.

Biografia e kryetares së re të Kuvendit

Albulena Haxhiu ka lindur në Prishtinë, më 11 maj 1987, ku edhe jeton me familjen e saj. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.

Ajo përfundoi studimet në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës për të vazhduar me studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, në të drejtën penale.

Aktivitetin e saj politik e ka filluar në shtator të vitit 2010, duke u anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Më 2013, ajo u bë deputete në radhët e VV-së. Haxhiu arriti të rizgjedhej deputete edhe në legjislaturat pasuese.

Në legjislaturën e pestë dhe të gjashtë, ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion, dhe nënkomisionin për mandate, imunitete dhe rregullore të Kuvendit.

Në zgjedhjet e vitit 2019, VV-ja fitoi zgjedhjet parlamentare, me ç’rast në Qeverinë Kurti I, Albulena Haxhiu u emërua ministre e Drejtësisë.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Haxhiu u emërua sërish ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti II. Pozitën e mbajti deri në shkurt 2025, kur u zgjodh deputete dhe u propozua për kryeparlamentare.

Betohen deputetët e rinj

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:03
betimi

Janë betuar 118 deputetët të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, shkruan në tekstin e Betimit.

Ajo në fund u nënshkrua nga deputetët.

Tani do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve në dy pikat e fundit të rendit të ditës.

Verifikohen mandatet e deputetëve të rinj

1 muaj më parë / 11 shk 2026 18:01
Verifikimi i mandateve

Photo: Driton Paçarada

Janë verifikuar mandatet e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës.

Tani pritet të procedohet me betimin dhe pikat tjera të rendit të ditës së seancës konstituive.

Ky verifikim u bë me votimin e 118 deputetëve të pranishëm.

Fatmir Spahiu: S’do të jem ministër i Kulturës

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:45
fatmir spahiu

Aktori Fatmir Spahiu ka njoftuar se nuk do të bëhet ministër i Kulturës, pavarësisht se ishte propozuar në rastet kur Albin Kurti dhe Glauk Konjufca patën kërkuar votën për kryeministër gjatë bllokadës së vitit të shkuar.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë shkurt se nuk do të jetë ministër.

“Te nderuar miq, Pergjigje per te gjithe ju qe me keni shkruajtur keto dite, e sidomos sot.Une nuk do te jem Minister i Kultures! Ju falemnderit per interesimin!  Gjitha te mirat! Ju don Bufi”, ka shkruar ai.

Kurti veçse pati lajmëruar se do të ketë ndryshime në emra. 

Nis seanca konstituive e Kuvendit

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:28
Nis seanca konstituive e Kuvendit

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Ajo po udhëhiqet nga Avni Dehari i LëvizjesVetëvendosjes si deputeti më i moshuar i Kuvendit.

Ndihmë i jep Fatma Taçi nga KDTP-ja, si deputetja më e re në moshë.

Kuvendi menjëherë ka formuar Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Anëtarë janë Adnan Rrustemi i VV-së, Përparim Gruda i PDK-së, Armend Zemaj i LDK-së, Sërgjan Popoviq i Listës Serbe, Albana Bytyqi e AAK-së dhe përfaqësues të partive të tjera të komuniteteve.

Kurti: Synojmë konstituim të suksesshëm të Kuvendit dhe formim të qeverisë së re

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:29
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se po synojnë konstituim të suksesshëm të legjislaturës së dhjetë dhe formim të qeverisë së re.

Ai duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive tha shkurt para mediave këto synime.

“Po synojmë të jemi të suksesshëm në konstituimin e Kuvendit dhe më pastaj formimin e qeverisë”, tha ai./KP

Berisha: Besoj se do të jemi pjesë e kabinetit qeveritar

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:21
Veton Berisha

Deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ka thënë se kanë votuar vazhdimisht propozimin për kryetar të Kuvendit e do të votojnë edhe sot.

I pyetur nëse do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, Berisha deklaroi se nuk e kanë diskutuar këtë çështje me kryeministrin në detyrë Albin Kurti por beson se do të jetë pjesë.

“Edhe herën e kaluar e kemi votuar propozimin për kryetar/e të Kuvendit të Kosovës vazhdimisht. Vazhdoj ta votoj sepse e konsideroj për mua si obligim në Kuvend të Kosovës. Besoj se do të jemi pjesë e kabinetit qeveritar por ende nuk e kemi diskutuar. Jemi për të filluar punën institucionet sa më parë”, ka thënë Berisha në një deklarim para mediave.

Zemaj: Nuk votojmë për kryetar të Kuvendit pa marrëveshje politike

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:16
Armend Zemaj -LDK

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i zgjedhur i LDK-së Armend Zemaj, ka thënë se i takon partisë fituese që të sigurojë votat për formim të institucioneve dhe të mos vazhdojë me bllokadë sikurse vitin e kaluar. 

Ai ka thënë se nuk do të votojnë asnjë të propozuar për kryetar të Kuvendit nëse nuk ka marrëveshje politike.

“Asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona me emra të përveçëm, krejt çka kemi thënë është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat. Ne do të marrim pjesë në votim, votimi është i hapur, janë tri mënyra ta votimit, për, kundër dhe abstenim. Ne do ta zgjedhim atë që e kemi përcaktim, e thash që marrëveshje politike nuk votojmë, me marrëveshje sigurisht”, është shprehur Zemaj, para nisjes së seancës konstituive.

Këta janë deputetët me më së shumti mandate

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:11
PDK ne Kuvend

Photo: Driton Paçarada

Xhavit Haliti i Partisë Demokratike të Kosovës me rikthimin si deputet i Kuvendit vazhdon të jetë deputeti që ka qenë pjesë e më së shumti legjislaturave. Nga 10 sosh, ai tani është pjesë e tetë legjislaturave.

Pas tij, vjen kryetari i deritashëm i Kuvendit, Glauk Konjufca me shtatë. Po aq mandate kanë edhe Ganimete Musliu, Nait Hasani, Elmi Reçica e Blerta Deliu-Kodra të PDK-së.

Armend Zemaj i LDK-së, Time Kadrijaj e AAK-së e Duda Balje nga komuniti boshnjak po ashtu kanë nga shtatë mandate.

May be an image of text that says 'KOSOVA DEMOCRATIC INSTITUTE KUSH E ME DEPUTETET OE KAΝE ΘΕΝ PJESE SHUMTI LEGJISLATURAVE? PDK) PDK XHAVIT HALITI MANDAII |PARE 2001 PDK GLAUK KONJUFCA MANDATI PARE: 2010 GANIMETE MUSLIU MANDATI PARE: 2010 PDK NAIT HASANI MANDAII PARE: 2004 PDK ELMI REÇICA MANDATI PARE: 2010 BLERTA DELIU KODRA MANDATI FARE: 2010 OSDU ARMEND ZEMAJ MANDATI PARE: 2007 TIME KADRIJA. MANDATI IPARE 2010 DUDA BALJE MANDATI| 2010 ALBIN KURTI MANDATI| PARE: ALBULENA HAXHIU MANDATI PARE: 2010 PDK FATMIRE KOLLOAKU MANDATI PARE 2004 ENVER HOXHAJ MANDAII PARE 2004 ANTON QUNI MANDATI PARE: DAUT HARADINAJ MANDATI PARE: 2010 ADEM HODZA MANDATIIPARE:201 |PARE: 2014'May be an image of text that says 'KOSOVA DEMOCRATIC INSTITUTE KUSH E ME DEPUTETET OE KAΝE ΘΕΝ PJESE SHUMTI LEGJISLATURAVE? PDK) PDK XHAVIT HALITI MANDAII |PARE 2001 PDK GLAUK KONJUFCA MANDATI PARE: 2010 GANIMETE MUSLIU MANDATI PARE: 2010 PDK NAIT HASANI MANDAII PARE: 2004 PDK ELMI REÇICA MANDATI PARE: 2010 BLERTA DELIU KODRA MANDATI FARE: 2010 OSDU ARMEND ZEMAJ MANDATI PARE: 2007 TIME KADRIJA. MANDATI IPARE 2010 DUDA BALJE MANDATI| 2010 ALBIN KURTI MANDATI| PARE: ALBULENA HAXHIU MANDATI PARE: 2010 PDK FATMIRE KOLLOAKU MANDATI PARE 2004 ENVER HOXHAJ MANDAII PARE 2004 ANTON QUNI MANDATI PARE: DAUT HARADINAJ MANDATI PARE: 2010 ADEM HODZA MANDATIIPARE:201 |PARE: 2014'

Rashiq: Votoj për cilindo kandidat për nënkryetar të Kuvendit që vjen në pako

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:09
Nenad Rashiq

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i zgjedhur nga komuniteti serb, Nenad Rashiq është shprehur optimist se do të jetë sërish i propozuar si ministër për Komunitete dhe Kthim.

Para se të fillojë seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës, Rashiq në një deklarim para mediave tha se do të votojë për cilindo kandidat për nënkryetar që vjen në pako dhe se i respekton aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ende nuk kemi dëgjuar kryeministrin kur e bën prezantimin e kabinetit qeveritar por sigurisht dy herë më parë kam qenë i propozuar për ministër të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës do të jetë Albulena Haxhiu. Do të votoj cilindo kandidat për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës kur të vijë në pako dhe jo vetëm unë por secili. Gjykatën Kushtetuese duhet ta respektojmë”, ka thënë Rashiq.

AAK-ja pret që Kuvendi të konstituohet: Kosova ka humbur shumë

1 muaj më parë / 11 shk 2026 17:03
Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se presin që sot të konstituohet Kuvendi.

Në hyrje të seancës konstituive, Tahiri ka thënë se Kosova ka humbur shumë në bllokadën e vitit të shkuar.

“Asnjë bisedë tjetër s’është e rëndësishme. Kosova ka humbur shumë për një vit bllokimi të legjislaturës së kaluar. Besojmë që sot do të konstituohet Kuvendi”, ka thënë ai.

Deputetëve u dhurohen brosha me figurat e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

1 muaj më parë / 11 shk 2026 16:52
brosha

Photo: Driton Paçarada

Disa qytetarë kanë pritur deputetët e zgjedhur para ndërtesës së Kuvendit dhe u kanë dhënë atyre brosha me figurat e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale. 

Aksioni është zhvilluar para nisjes së seancës konstituive. 

Ndërkohë Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se në seancën e parë të punës së Kuvendit të Kosovës do të kërkojnë që të miratohet edhe një rezolutë për procesin në Gjykatë Speciale.

Në një konferencë për media ajo dhe Përparim Gruda kanë prezantuar rezolutën që kanë thënë se është hartuar nga ekspertë të pavarur. Kjo deklaratë u dha pak para seancës konstituive të Kuvendit dhe gjatë ditës kur në Hagë u dha fjala e mbrojtjes së Hashim Thaçit, që bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin po akuzohet për krime lufte.

kuvendi

PDK-ja kërkon rezolutë për Gjykatën Speciale në seancën e parë të legjislaturës së re

1 muaj më parë / 11 shk 2026 16:37
PDK

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se në seancën e parë të punës së Kuvendit të Kosovës do të kërkojnë që të miratohet edhe një rezolutë për procesin në Gjykatë Speciale.

Në një konferencë për media ajo dhe Përparim Gruda kanë prezantuar rezolutën që kanë thënë se është hartuar nga ekspertë të pavarur. Kjo deklaratë u dha pak para seancës konstituive të Kuvendit dhe gjatë ditës kur në Hagë u dha fjala e mbrojtjes së Hashim Thaçit, që po akuzohet për krime lufte.

Gruda ka bërë të ditur se kjo rezolutë kërkon që procesi në Hagë “të kthehet në binarë të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”. Ai ka thënë se ajo po ashtu kërkon që edhe Avokati i Popullit të luajë rolin e vet.

Rendi i ditës i seancës konstituive

1 muaj më parë / 11 shk 2026 14:56
Kuvendi i Kosoves

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Me fillim prej orës 17:00 do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Rendi i ditës, sipas rregullores, përmban katër pika. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Rendi i ditës i kësaj seance:

1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

2. Betimi i deputetëve,

3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Tre nënkryetarë propozohet nga grupet më të mëdha, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet (njëri nga serbët e njëri nga të tjerët). Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Këtë herë, sipas kryetarit të deritashëm Dimal Basha, ka dakordim nga partitë që votimi i nënkryetarëve të bëhet në pako.

Seancën konstituive e drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu në moshë. Në seancën konstituive nuk ka debat.

Cilët emra i patën propozuar Kurti e Konjufca për ministra gjatë bllokadës?

1 muaj më parë / 11 shk 2026 13:03
LIVE - Kurti: S’kemi koalicion

Photo: Driton Paçarada

Më 26 tetor të vitit të shkuar, Albin Kurti, si mandatar për formimin e qeverisë pati marrë vetëm 56 vota dhe pati dështuar në përpjekjen e tij.

Ngjashëm pati pësuar edhe Glauk Konjufca javë më vonë në tentimin e dytë gjatë bllokadës gati njëvjeçare institucionale.

Tash, më 11 shkurt 2025, Kuvendi do të mbajë seancën konstituive pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kurti dhe Vetëvendosje si të vetëm i kanë siguruar 57 ulëse në Kuvend dhe pritet që të formojnë shumicën vetëm me bashkëpunimin me komunitetet.

Një ditë më parë, zyrtarë të VV-së paralajmëruar që menjëherë pas konstituimit të Kuvendi do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.

Kurti veçse ka paralajmëruar ndryshime në emrat që do t’i prezantojë për Qeverinë e re, në raport me kabinetin e prezantuar në tetor.

Emrat që veçse janë konfirmuar që do të përsëriten për postet sikur në prezantimin e parë janë Glauk Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme, Mimoza Kusari si ministre e Tregtisë dhe Albulena Haxhiu për kryeparlamentare.

Për dallim nga bllokada e mëhershme, kryeparlamentari i deritashëm Dimal Basha ka paralajmëruar se ka dakordim për votim në pako të të gjithë nënkryetarëve të Kuvendit.

Lista e emrave të prezantuar nga Kurti më 26 tetor 2025:

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca,

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,

Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,

Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati,

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti,

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu,

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani,

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu,

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri,

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli,

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha,

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari,

Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli,

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,

Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Vejshall.

Ndërkaq më 19 nëntor, para deputetëve dështoi si mandatar për kryeministër edhe Glauk Konjufca, që pati propozuar këta emra për kabinetin qeveritar:

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla,

Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,

Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati,

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti,

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulzon Jagxhiu,

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani,

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu,

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani,

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri,

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja,

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi,

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari-Lila,

Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli,

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,

Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Vejshall.

Kuvendi pret legjislaturën e 10-të

1 muaj më parë / 11 shk 2026 13:03
kuvendi i kosoves

Photo: Driton Paçarada

120 deputetë të zgjedhur në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të mblidhen në orën 17:00 në sallën e Kuvendit, në seancën e ftuar për konstituim të legjislaturës së 10-të.

Kryetari i legjislaturës së nëntë, Dimal Basha, pas një takimi me përfaqësues të partive parlamentare njoftoi se në seancë ka pasur dakordim për votim të nënkryetarëve në një pako.

Pas kësaj seance, sipas lajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pritet që menjëherë të procedohet me seancën për formimin e Qeverisë.

Presidentja Vjosa Osmani caktoi për të mërkurën seancën konstituive, vetëm një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 për qind, apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.

Zgjedhjet e shkuara s’kishin prodhuar koalicion të shumicës. Institucionet nuk u formuan që nga 9 shkurti kur u mbajtën ato dhe Kosova u fut në krizë institucionale. Si pasojë e mungesës së institucioneve, Kuvendi ende s’e ka miratuar buxhetin 2026 e as marrëveshjet ndërkombëtare shumëmilionëshe.

Pos tyre, Kuvendi e ka obligim ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, një muaj para se Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati.