Arbëri

Kuvendi e deputetja Demi-Murtezi paditen për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ+

Organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore ndaj Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Labinotë Demi- Murtezi.

Ata janë paditur për “Cenim të dinjitetit, trajtim çnjerëzor apo poshtërues dhe diskriminim ndaj personave LGBTIQ+”, që sipas këtyre organizatave ka ndodhur në seancën e 16 marsit 2022.

Sipas tyre në atë seancë deputetja Demi-Murtezi kishte thënë se “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”.

Drejtoresha ekzekutive e YIHR-së, Marigona Shabiu, ka thënë se në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të datës 16 mars 2022, gjatë diskutimeve për projektkodin civil, deputetë dhe deputete të caktuara kanë keqpërdorur foltoren e Kuvendit për të demonizuar komunitetin LGBTIQ+.

Sipas saj kjo nuk i shërben ne asnjë formë ushtrimit të mandatit përfaqësues të deputetit e as ushtrimit të funksionit ligjdhënës nga Kuvendi.

“As deputetët nuk e kanë atë të drejtë dhe as institucioni i Kuvendit nuk duhet të lejojë dhe tolerojë një gjë të tillë. Siç e kemi theksuar në Padi dhe Ankesë, edhe Gjykata Kushtetuese ka sqaruar në një nga vendimet e saj, se deputetët kanë pozitë të privilegjuar në ushtrimin e funksionit të tyre përfaqësues, por imuniteti dhe privilegjet e tyre shtrihen deri në masën që veprimet dhe vendimet e tyre ndërmerren brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”, është shprehur Shabiu

Ajo ka thënë se drejtuesi i seancës plenare të Kuvendit nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të mos lejuar apo për ta sanksionuar një gjuhë të tillë, siç sipas saj, e përcakton Rregullorja e Kuvendit.

“Këto deklarata të deputetes Demi-Murtezi dhe disa deputetëve të tjerë, si dhe tolerimi i tyre nga ana e Kuvendit, kanë cenuar dinjitetin e personave LGBTIQ+, si dhe kanë pasur efekt poshtërues dhe diskriminues ndaj tyre”, është ka deklaruar Shabiu.

Ajo ka thënë se gjithashtu do të paraqesin një ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të “cenimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022”.

Demi-Murtezi është deklaruar kundër projektkodit civil i cili dështoi të miratohej në mars të vitit 2022. Si arsye ishte përmendur pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.