Arbëri

LDK-ja akuzon Komunën e Podujevës se ua hoqi gjurmuesit e automjeteve zyrtare

Zyrtarët e LDK-së në Podujevë kanë thënë se Komuna e Podujevës ka shpenzuar 60 për qind më shumë mjete për derivate në nëntë muajt e këtij viti në krahasim me një vit më parë. Kjo, sipas tyre, po ndodh, pasi Komuna ua ka hequr GPS-të automjeteve zyrtare. Por, zyrtarët komunalë thonë se kontrata për GPS ka qenë dyvjeçare dhe tashmë ka përfunduar.

Akuza për keqpëdorim të automjeteve zyrtare e rritje të shpenzimit të derivateve kanë bërë zyrtarët e LDK-së ndaj qeverisë komunale në Podujevë.

Ata thonë se pushteti në këtë komunë ua ka hequr automjeteve zyrtare GPS-të që ua kishte vendosur kur kanë qenë në pushtet.

Kjo, sipas tyre, ngrit dyshime për shfrytëzim të veturave zyrtare edhe për nevoja private.

“Gjatë qeverisjes së LDK-së janë vendosur këto pajisje nëpër veturat zyrtare me të vetmin qëllim moskeqpërdorimin dhe zvogëlimin e shpenzimeve të derivateve. Por, qeverisja që është thirr në transparencë dhe llogaridhënie si erdhën në pushtet i larguan këta GPS, që lë të kuptohet që ka tendencë për keqpërdorime, për shfrytëzim për nevoja private, gjë që i kanë përdor edhe gjatë kohës së fushatës”, ka thënë Qëndrim Softolli, këshilltar komunal i LDK-së në Podujevë.

Por, këtë e ka mohuar drejtoresha e Administratës Komunale, Antoneta Ejupi.

Sipas saj, kontrata që ishte nënshkruar më parë ka qenë e afatizuar dhe e njëjta ka skaduar.

“Kjo kontratë ka qenë vetëm dyvjeçare dhe është përfundua. Ndërsa për vitin 2021 nuk ka qenë i planifikuar kodi buxhetor për këto kontrata. Për këtë arsye edhe nuk është fillua procedura e prokurimit për zhvillimin e procedurave lidhur me pajisjen me GPS për automjete. Ne si Drejtori e Administratës kemi planfikuar që në vitin 2023 për me u furnizua me GPS, në mënyrë që seciliautomjet të ketë GPS”, ka thënë Ejupi.

Këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, Qëndrim Softolli, insiston se pas heqjes së GPS-ve nga automjetet, ka rritur shpenzimet e derivateve.

Sipas tij, bazuar në raportin financiar nëntëmujor, shihet që ka rritje për karburant për vetura për 60 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, drejtoresha e Administratës ka theksuar se ajo kërkon raporte çdo muaj për përdorimin e automjeteve dhe, sipas saj, aty shihet që në disa muaj ka pasur edhe më pak shpenzime sesa në vitin e kaluar.