Partia opozitare në Podujevë, LDK ka adresuar kritika për dokumentin e Strategjisë për zhvillim ekonomik lokal 2023-2025. Këshilltari komunal i kësaj partie, Arjant Topanica, ka thënë se ky dokument nuk përmban paragrafin fillestar që tregon ndërlidhjen e Strategjisë së kaluar dhe projekteve të saj me Strategjinë e re.
“Analiza e gjendjes momentale është e bazuar në të dhëna të vjetruara dhe nuk përkon me realitetin; Për projektet/objektivat që kapërcejnë planifikimet buxhetore nuk është identifikuar burimi i mundshëm i financimit; Nuk janë përditësuar informatat mbi sektorin privat; Nuk janë specifikuar avantazhet konkurruese të Podujevës në raport me komunat e tjera; Nuk ka analizë të kapaciteteve financiare dhe burimeve njerëzore për mundësitë e realizimit teknik dhe financiar të objektivave”, ka deklaruar Arjant Topanica.
Këshilltari komunal i LDK-së ka thënë se për projektet/objektivat që kapërcejnë planifikimet
buxhetore nuk është identifikuar burimi i mundshëm i financimit.
“Nuk parasheh asgjë për trajtimin e ujërave të zeza, duke ditur rëndësinë e tyre. Po ashtu nuk ka avancim as sqarim për kolektorin; Përgjithësisht Strategjia shihet që është e marrë kopje nga strategjitë-dokumentet tjera, një gjë të tillë e tregon edhe aspekti tekstual i saj”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka theksuar se gjatë diskutimit
publik të këtij dokumenti nuk ka pasur asnjë vërejtje apo sygjerim.
“Dokumenti i Strategjisë për zhvillim ekonomik lokal ka kaluar të gjitha fazat e parapara ligjore,
ku të gjitha plotësim-ndryshimet rreth këtij dokumenti dhe rekomandimet për të secili qytetar ka pasur rastin t’i paraqes gjatë fazës se diskutimit publik në formë elektronike, apo në ditën e diskutimit publik fizikisht. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe asnjë sugjerim rreth kësaj rregulloreje, e cila iu ka rekomanduar kuvendit dhe drejtori i drejtorisë përkatëse e kaprezantuar këtë strategji, e cila edhe është miratuar në seancën e fundit”, ka thënë Zhitia.