Arbëri

LDK-ja kundër shfuqizimit të rregullores së propozuar nga bashkëpartiaku

Gjatë gjithë seancës së mbledhjes së nëntë të Kuvendit Komunal pati biseda mes asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këtu nuk munguan as daljet e hyrjet jashtë sallës së Kuvendit e shkrime mes vete me mesazhe telefonike.

Gjatë kësaj kohe nuk munguan as kërkesa të shpeshta për pauza.

Kundër këtyre pauzave kategorikisht ishte kryetari Përparim Rama, i cili insistonte që seanca të vazhdonte.

Gjithë këtë “tollovi” e krijoi propozim-vendimi i drejtorit, i cili po ashtu vjen nga radhët e LDK-së, Arbër Sadiku, për shfuqizimin e objekteve me karakter të përkohshëm në pronat e personave juridikë dhe fizikë.

“Bëhet fjalë për një rregullore e cila është bërë menjëherë pas aprovimit të planit zhvillimor komunal dhe ligjit për planifikim të asaj kohe të vitit 2013, e cila është marrë edhe me ndërtesat me karakter të përkohshëm në pikat të cilat sipas planit kanë qenë më të dedikuara për ndërtime publike. Dhe specifikon aq pak teknikisht se çka mund të realizohet në ato hapësira, dhe kjo ka sjellë probleme të jashtëzakonshme, andaj ne dëshirojmë shfuqizimin e saj. Pasi jemi në momentin e bërjes së planit të ri zhvillimor komunal, kërkojmë shfuqizimin në mënyrë që gjërat të precizohen më saktë se çka mund të konsiderohet si ndërtesë e përkohshme e çka jo”, tha Sadiku, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Sipas Sadikut, përmes kësaj rregulloreje që u miratua në vitin 2014, Prishtina është shndërruar në një kaos urbanistik.

“Dhe sot në Prishtinë kemi me qindra ndërtesa që janë shumë më të përhershme sesa ndërtesat që kanë kaluar nëpër Ligjin për ndërtim. Për atë është esenciale sa më shpejt të pezullohet, të shfuqizohet një rregullore e tillë dhe ne të hartojmë një rregullore të re e cila precizon se çka do të thotë ndërtim i përkohshëm. Janë vetëm dy fletë dhe asnjë fjalë nuk ekziston për llojin e materialeve, llojin e konstruksioneve dhe as për funksionin e ndërtesave. Ka ndërtesa me funksione prej ma të çuditshme në pikat qendrore të Prishtinës përmes këtyre dy fletave dhe unë jam në pozicion ku duhet të procesoj leje ndërtimore përmes këtyre dy fletave të famshme dhe rezultati është ai që është”, tha Sadiku.

Por ky propozim nuk iu pëlqeu shumicës së asamblistëve të LDK-së.

Ajet Brajshori, Amir Simnica, Dasmor Durmishi, Donjeta Dragusha, Driton Rukiqi, Elmirë Nikci-Rexha, Fehmi Kupina, kryesues, Jeta Rafuna-Hasani, Lindita Rexhepi, Milazim Vitija, Pëllumb Bajcinovci dhe Sami Salihu votuan kundër shfuqizimit të saj.

Por kjo u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila dyshon se ka pasur presion nga jashtë mbi asamblistët e LDK-së që të votohet kundër shfuqizimit të kësaj rregulloreje.

“Asamblistë të LDK-së votuan kundër shfuqizimit të saj. Gjatë gjithë kohës sa është mbajtur kjo seancë kemi parë një presion të jashtëzakonshëm tek asamblistët e LDK-së, kanë pasur vazhdimisht biseda me kryetarin, biseda me nënkryetarin dhe më vonë e kuptuam se çfarë po ndodh”, tha Gëzim Sveçla, shef i Grupit të asamblistëve të LVV-së.

Sipas shefit të Grupit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, me këtë vendim janë prekur edhe interesat e grupeve të ndryshme të LDK-së.

“Pasi morëm formularin e votimit e pamë se asamblistët e LDK-së kanë votuar kundër shfuqizimit të kësaj rregulloreje, që është propozuar nga vetë kryetari Përparim Rama dhe nga drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiku, të cilët, po ashtu, vijnë nga LDK-ja. Kjo shpërfaq atë që kemi thënë gjithnjë që nuk punohet me parime e me programe, por ka grupe të ndryshme të interesit të cilat kur iu preken interesat votojnë edhe kundër propozimeve të vetë atyre që i kanë zgjedhur për të udhëheqë kryeqytetin”, tha Sveçla.

KOHA disa herë ka kontaktuar shefen e Grupit të asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, e cila nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Kjo rregullore arriti të shfuqizohej me 28 vota pro, 12 kundër e 11 abstenime. Pro saj ishin shumica e asamblistëve të PDK-së dhe të Vetëvendosjes.