Abdixhiku shkon si i dorëhequr, del i fuqizuar me kompetenca
Kuvendi i Lidhjes Demokratike ka amnistuar të shtunën vetëm kryetarin Lumir Abdixhiku, për rezultatin zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme. Organi më i lartë partiak nuk ia ka miratuar dorëheqjen atij, i ka dhënë më shumë autorizime, ndërsa ka vendosur për riorganizim e ristrukturim të thellë, i cili përfshin edhe ndryshimin e përbërjes së kryesisë.
“Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kërkon kryetarit të LDK-së formimin e një kryesie të re statutare, e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike dhe për drejtimin strategjik të partisë”, thuhet në deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e kësaj partie. “Kuvendi e autorizon kryetarin, që në konsultim me nënkryetarët e LDK-së, të caktojë përbërjen e Kryesisë së re, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm”.
Kuvendi i ka dhënë edhe një autorizim tjetër Abdixhikut. LDK-së i ka kërkuar ta hartojë Programin Kombëtar Politik që e pozicionon partinë “si forcë qeverisëse, faktor stabiliteti institucional dhe bartëse të përgjegjësisë shtetërore”. Ndërkaq, “mbështetje dhe autorizim të plotë” i ka dhënë kryetarit të partisë “për të udhëhequr dhe përfaqësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së. Bazuar në deklaratë, kryetari i LDK-së “do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së”.
Abdixhiku paraqiti dorëheqjen, por jo të pakthyeshme, pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit të 2025-tës. LDK-ja mbeti parti e tretë, por krahasuar me zgjedhjet e shkurtit të të njëjtit vit, humbi çerekun e numrit të deputetëve.
Për miratimin ose jo të dorëheqjes së Abdixhikut, anëtarët e Kuvendit të LDK-së vendosën nëpërmjet votimit të fshehtë. Kjo pjesë e punimeve të Kuvendit është mbyllur për media. Por, bazuar në burime të KOHËS, 164 delegatë votuan kundër miratimit të dorëheqjes, ndërsa 136 pro, një raport përqindjeje 54.7 me 45.3.
Pasi LDK-ja i dha legjitimitet që ta drejtojë partinë, Abdixhiku tha se rruga përpara është rimëkëmbja.
Ai ka ftuar të gjithë bashkëpartiakët, përfshirë të pakënaqurit me punën e tij, që të bashkohen dhe të rreshtohen prapa qëllimeve të partisë.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo s’bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve, edhe të kënaqurve me mua, por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë”, ka thënë Abdixhiku, në një konferencë pas Kuvendit të partisë. “Jemi pak dhe kemi nevojë për secilin, e do të punojmë që t’i bëjmë bashkë të gjithë”.
Por, Kuvendi që e ka rikonfirmuar Abdixhikun kryetar, ka vendosur për riorganizimin e LDK-së. Kjo parti do ta ketë edhe kryesinë e re.
Abdixhiku ka bërë të ditur se kryesia e re do të ketë proces të votimit të njëjtë si kryetari, dhe ka paralajmëruar se pritet “LDK më aktive e më reflektuese”.
Kritikë e kërcënim
Abdixhiku testoi legjitimitetin, pas pesë vjetësh në krye të LDK-së.
Në fjalimin e tij që e mbajti para anëtarëve të Kuvendit, në nisje të punimeve, ai kumtoi se dorëheqjen e paraqet para anëtarëve të cilët duhet të vendosin nëse ai duhet ta drejtojë më tej partinë ose jo.
Para se të vinte radha e përgjigjes, u shpreh i prekur nga bashkëpunëtorët që ia kërkuan dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit, në mesin e tyre Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami.
“Nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. Ik, lësho vend, m’u tha. Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim”, ka thënë Abdixhiku.
Ndonëse në fjalimin e tij të gjatë e mori përgjegjësinë për rënien e LDK-së, një pjesë të saj e shpërndau edhe te strukturat.
“Nëse është faji te prijësi i partisë, zgjidhja është krejt e lehtë. Ndërrohet. Bëhet tjetri. Por nëse struktura jonë nuk arrin ta mbajë të njëjtin intensitet, disiplinë dhe mobilizim në çdo cikël zgjedhor, atëherë kemi problem më të thellë; kemi problem organizativ”, tha Abdixhiku.
U ankua se brenda LDK-së ka marrë goditje që i ka kamufluar si sjellje të shprehjes së lirë.
Ndërkaq, sugjeroi që ata që nuk ndihen të përfaqësuar në LDK, të mos ua zënë vendin atyre që e shkrijnë veten për partinë.
“Shumë sy kanë qenë të drejtuar kah kjo karrige pas meje. I kuptoj. I respektoj. Kjo shtëpi ka nevojë për ambicien e secilit. Por shpesh, kam përshtypjen se ajo është lakmuar më shumë sesa është kuptuar”, ka thënë ai.
Pas fjalimit Abdixhiku u respektua nga delegatët me duartrokitje e me ngritje në këmbë.
Të njëjtin respekt nuk e treguan bashkëpartiakët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Arben Gashi.
E, në deklaratën e Kuvendit janë paralajmëruar “rebelët” e LDK-së.
Kuvendi ka kërkuar respektim të plotë, të pakushtëzuar dhe të vazhdueshëm të vendimeve të Kryesisë së LDK-së nga të gjitha strukturat partiake, pasi këto vendime të kenë kaluar procesin e rregullt të debatit, konsultimit dhe vendimmarrjes kolegjiale.
“Kuvendi thekson se demokracia e brendshme nënkupton debat të lirë para vendimit dhe respekt të vendimit të shumicës pas marrjes së tij”, thuhet në pikën 2.2 të Deklaratës. “Çdo formë e individualizmit politik që cenon vendimmarrjen kolektive, unitetin organizativ dhe funksionimin e partisë, do të trajtohet përmes mekanizmave statutare, në përputhje me Statutin e LDK-së dhe parimet e përgjegjësisë politike”, vijohet në paragrafin pasues.
Dilema e delegatëve
E, jo të gjithë 355 delegatët e LDK-së që u mblodhën në Kuvendin e partisë, e patën informatën se çfarë do të bënin aty saktësisht.
Kuvendi u thirr nga kryetari Lumir Abdixhiku, për t’ia shqyrtuar dorëheqjen që e paraqiti pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Por, disa nga delegatët thanë se agjenda e kësaj mbledhjeje ishte e paqartë. Ata nuk e dinin nëse do të mbahej Kuvend i punës, i votëbesimit, apo Kuvend zgjedhor, meqë pas dorëheqjes së Abdixhikut, u shpall edhe një kandidaturë për kryetar – ajo e Avdullah Hotit.
“Ftesa nuk është shumë e qartë. Janë tri modalitete të takimit të Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së. E para, mund të jetë takim pune, takim zgjedhor, apo i votëbesimit. Siç e keni parë në ftesë nuk është e saktësuar”, ka thënë Valon Murtezaj, anëtar i Kuvendit.
Në këtë linjë ka folur edhe ish-deputeti Driton Selmanaj, që po kështu është anëtar i Kuvendit.
“Sot nuk e kemi të qartë krejtësisht agjendën. Kjo nuk është shenjë e mirë. Është dashur mbrëmë ta kishim të qartë a do të votohet për votëbesim apo do të kemi shqyrtim të dorëheqjes”, ka thënë ai.
Por, sekretari i LDK-së, Imri Ahmeti, tha se nuk ka hapësirë për paqartësi.
Ai paralajmëroi se në mbledhje nuk do të merren me ata që shprehën ambicien për postin e kryetarit, por vetëm me dorëheqjet, e që një të tillë e paralajmëroi edhe për veten.
“Nuk ka garë zgjedhore, nuk ka kandidatura. Jemi në një fazë të shqyrtimit të dorëheqjes së kryetarit aktual. Në rast se ky Kuvend e aprovon dorëheqjen, atëherë shkohet në një proces tjetër zgjedhor”, ka thënë Ahmeti.
E kryetari Abdixhiku tha se Kuvendi është i lirë të veprojë si të dojë në këtë mbledhje, edhe të hapë garë zgjedhore nëse e sheh të arsyeshme.
“Unë kam bërë gjënë më fisnike që mund ta bëj, t’ia lë këtë fat anëtarësisë dhe besoj që anëtarësia jonë është e matur, kanë përkushtim për LDK-në, i njeh nevojat e LDK-së dhe do ta marrë vendimin e lirë pa asnjë presion politik”, ka thënë Abdixhiku.
Kuvendi i LDK-së i hapi punimet si Kuvend i punës, në të cilin u hodh në votim dorëheqja e Abdixhikut nga pozita e kryetarit të LDK-së, pasi kjo parti në zgjedhjet e jashtëzakonshme humbi çerekun e numrit të deputetëve që i fitoi në shkurtin e vjetëm.
Abdixhiku i hapur të diskutojë për presidentin
Kryetari i sapokonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij është e hapur për diskutime për postin e presidentit. Gatishmërinë e ka shprehur një ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e drejton partinë fituese të zgjedhjeve, ka shprehur synimin për të negociuar me opozitën për kandidatin për president, meqë për nisjen e procesit të votimit kërkohen së paku 80 vota në Kuvend.
“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike s’kemi fjalën për pazare. Por që duhet të ulen që të bëhen numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jam i gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit që duhet të jetë konsensual, dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për media pasi delegatët e partisë ia refuzuan dorëheqjen.
Ai thënë se po ashtu LDK-ja ka gatishmëri që të diskutojë me këdo për çështje të stabilitetit politik.
Në një konferencë për media, Abdixhiku ka thënë po ashtu se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se posti i nënkryetarit serb të Kuvendit i takon të propozohet nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë këtë komunitet.
Tahiri “pajtohet” me Abdixhikun
Xhafer Tahiri pati dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në nëntor, në kohën kur partia me kryetarin Lumir Abdixhiku nuk ia miratoi koalicionin lokal me Lëvizjen Vetëvendosje.
Tash në një shkrim në Facebook, ai ka njoftuar për “pajtim” me Abdixhikun, që u rikonfirmua kryetar në votëbesimin e së shtunës.
“Sot në Kuvendin e LDK-së u konfirmua kryetari. Nuk e dhamë votën nga emocioni, as nga frika, e as nga inati por nga dashnia për LDK. E dhamë këtë mbështetje pa kushte sepse LDK-së i duhej stabilitet, jo një përçarje e re. Nga sot, përgjegjësia është e dyfishtë: për të ndërtuar unitet real dhe për ta kthyer LDK-në në besimin e qytetarëve. Ne e bëmë tonën. Tani radha është për punë”, ka shkruar ai në Facebook në një foto me Abdixhikun.
LDK: Funksionimi i shtetit s’mund të ndërtohet pa dialog politik e kompromis të përgjegjshëm
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka publikuar edhe deklaratën politike nëpërmjet të cilës ka thënë se vlerëson që stabiliteti institucional e funksionimi i shtetit s’mund të ndërtohen pa dialog politik dhe pa kompromis të përgjegjshëm.
Në këtë deklaratë, LDK-ja ka thënë se do të angazhohet për kthimin e dialogut politik dhe respektimin e rendit kushtetues. Në këtë frymë, kryetari i sapokonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në konferencën për media u shpreh se është i hapur për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË POLITIKE
E KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
për Gjendjen Politike, Institucionale dhe Shoqërore në Republikën e Kosovës
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur në ushtrim të përgjegjësisë së vet politike, institucionale dhe shtetformuese, vlerëson se Republika e Kosovës po kalon një fazë të ndërlikuar politike, institucionale dhe shoqërore, e cila kërkon maturi, përgjegjësi dhe vizion shtetëror.
Kosova sot përballet me mungesë funksionale të institucioneve dhe me bllokim të proceseve vendimmarrëse që tejkalojnë çdo afat normal demokratik. Kjo gjendje nuk është më çështje teknike apo procedurale, por shenjë e një krize politike, ku kompromisi si mjet themelor i demokracisë është zëvendësuar me përjashtim, imponim dhe polarizim të vazhdueshëm.
Kuvendi vlerëson se stabiliteti institucional dhe funksionimi normal i shtetit nuk mund të ndërtohen pa dialog politik dhe pa kompromis të përgjegjshëm në shërbim të interesit publik. Proceset e mëdha kombëtare kërkojnë bashkërendim të thellë politik të brendshëm, përgjegjësi të ndarë dhe vullnet për marrëveshje. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë në ndërtimin e stabilitetit institucional dhe të funksionimit demokratik të shtetit.
Kuvendi vlerëson se Kosova po përballet me një krizë të heshtur funksionale: me institucione të polarizuara, me besim publik të lëkundur, me izolim ndërkombëtar në rritje dhe me mungesë të politikave zhvillimore që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve. Përçarja politike është kthyer në metodë qeverisjeje, ndërsa dialogu institucional është zëvendësuar nga konfrontimi i panevojshëm dhe retorika përjashtuese.
Kuvendi shpreh shqetësim të veçantë për dëmtimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Rruga euro-atlantike nuk është alternativë politike, por orientim themelor shtetëror i Republikës së Kosovës dhe nuk guxon të relativizohet nga asnjë qeveri dhe në asnjë rrethanë politike.
Po ashtu, Kuvendi shpreh shqetësim për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Rritja e kostos së jetesës, presioni institucional ndaj bizneseve dhe mungesa e politikave zhvillimore po nxisin emigrimin e të rinjve dhe zbrazjen demografike të Kosovës. Shteti nuk ndërtohet mbi propagandë, por mbi punë, investime, sundim të ligjit dhe besim qytetar.
Kuvendi shpreh shqetësim për dobësimin e institucioneve të pavarura, të cilat përbëjnë shtyllë themelore të rendit kushtetues dhe të demokracisë funksionale. Institucionet e drejtësisë, organet rregullatore dhe mekanizmat mbikëqyrës duhet të mbrohen nga ndikimi politik dhe të ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë profesionale, të paanshme dhe transparente.
Kuvendi thekson se centralizimi i pushtetit dhe relativizimi i rolit të institucioneve të pavarura cenojnë drejtpërdrejt balancat demokratike dhe minojnë stabilitetin afatgjatë të shtetit. Republika forcohet përmes respektimit dhe fuqizimit të institucioneve, jo përmes dobësimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi i LDK-së nënvizon domosdoshmërinë e fuqizimit të qeverisjes lokale si nivel themelor i demokracisë dhe zhvillimit. Bllokimi financiar, administrativ apo politik i pushtetit lokal dëmton drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe thellon hendekun ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë. Decentralizimi funksional dhe respektimi i autonomisë komunale janë vlera kushtetuese dhe element thelbësor i stabilitetit demokratik.
Në këtë fazë vendimtare për vendin, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës riafirmon rolin e saj historik si forcë shtetformuese, si garantuese e stabilitetit institucional dhe si alternativë serioze qeverisëse. LDK nuk është parti e konfliktit, por e shtetit; jo parti e momentit, por e përgjegjësisë afatgjatë.
LDK angazhohet për rikthimin e dialogut politik, respektimin e rendit kushtetues, forcimin e sundimit të ligjit dhe rindërtimin e besimit me aleatët tanë strategjikë. Ne besojmë se ndryshimi nuk vjen përmes përçarjes, por përmes bashkimit rreth interesit publik dhe vizionit të përbashkët për Kosovën.
Kuvendi i LDK-së u bën thirrje të gjitha forcave politike që të vendosin interesin e Republikës mbi interesat partiake dhe u garanton qytetarëve të Kosovës se Lidhja Demokratike do të mbetet zëri i arsyes, i maturisë dhe i përgjegjësisë politike.
Kosova ka nevojë për qetësi, drejtim dhe besim.
LDK-ja del me deklaratë politike
Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e saj të punës, në të cilin konfirmoi qëndrimin e Lumir Abdixhikut si kryetar të partisë, ka miratuar edhe një deklaratë politike përmes së cilës ka përcaktuar orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore.
Deklarata pesëpikëshe përfshin riorganizimin e plotë të strukturës organizative në të gjitha nivelet. Në këtë pikë përmendet që LDK-ja brenda 100 ditësh duhet të hartojë dhe ta finalizojë një Platformë politike dhe organizative mbi modelin e ri. Një nga pikat aty është që asnjë anëtar i LDK-së nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak.
“Kjo platformë duhet të parashohë ristrukturimin e degëve sipas modeleve funksionale, me nëndegë aktive dhe operative, me përgjegjësi të qarta dhe mekanizma matës të performancës politike dhe organizative. Kuvendi autorizon Kryesinë e LDK-së për formimin e Komisionit për plotësim ndryshimin e Statutit të LDK-së. 1.5. Kuvendi riafirmon parimin se asnjë anëtar i LDK-së nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, me përjashtim të funksioneve që burojnë nga zgjedhja ose emërimi në shërbim institucional të Republikës së Kosovës, me qëllim ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe shmangien e përqendrimit të pushtetit partiak”, thuhet në deklaratë.
Pika e dytë flet për respektimin e vendimmarrjes kolegjiale dhe disiplinës statutare. Aty kërkohet respektimi i plotë, i pakushtëzuar dhe i vazhdueshëm i vendimeve të kryesisë së partisë. Trajtim do të ketë edhe “çdo formë e individualizmit politik që cenon vendimmarrjen kolektive, unitetin organizativ dhe funksionimin e partisë”.
Pikë e tretë është riorganizimi i organeve qendrore. Aty përmendet formimi i disa organeve të reja.
“Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kërkon Kryetarit të LDK-së formimin e një Kryesie të re statutare, e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike dhe për drejtimin strategjik të partisë. Kuvendi e autorizon Kryetarin, që në konsultim me Nënkryetarët e LDK-së, të caktojë përbërjen e Kryesisë së re, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në këtë pikë.
Kuvendi i LDK-së ka kërkuar edhe forcimin e rolit dhe kompetencave të kolegjiumit të degëve. Është kërkuar edhe një Trup Qeverisës i Përfaqësimit Lokal i përbërë nga kryetarët e komunave dhe përfaqësues të koalicioneve qeverisëse lokale.
Është kërkuar edhe formimi i një Trupi Këshilldhënës i LDK-së i përbërë prej figurave me përvojë historike të LDK-së. Kjo trupë duhet të ketë rol pa kompetenca vendimmarrëse.
LDK-ja ka kërkuar edhe hartimin e një programi kombëtar politik “i cili e pozicionon qartë LDK-në si forcë qeverisëse, faktor stabiliteti institucional dhe bartëse të përgjegjësisë shtetërore”.
Nëpërmjet kësaj pike, Kuvendi i ka dhënë mbështetje e autorizim kryetarit për ta udhëhequr partinë “në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së”.
“Kryetari i LDK-së do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së”, thuhet në deklaratë.
Në fund është cekur se Kuvendi e konsideron këtë deklaratë si orientim obligues dhe se votëbesimi për Abdixhikun shënon fillimin e një “faze të re reformuese dhe konsoliduese për LDK-në, në shërbim të anëtarësisë, votuesve dhe Republikës së Kosovës”.
Abdixhiku i hapur të diskutojë për presidentin
Duke u zotuar për më shumë “aktivizëm”, kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij është e hapur për diskutime për postin e presidentit.
“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike s’kemi fjalën për pazare. Por që duhet të ulen që të bëhen numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jam i gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit që duhet të jetë konsensual, dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë për media pasi delegatët e partisë ia refuzuan dorëheqjen.
Ka thënë se po ashtu LDK-ja ka gatishmëri që të diskutojë me këdo për çështje të stabilitetit politik.
Në një konferencë për media, Abdixhiku ka thënë po ashtu se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se posti i nënkryetarit serb të Kuvendit i takon të propozohet nga shumica e këtij komuniteti.
“LDK-ja nuk heziton t’i implementojë në plotni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ka implementuar kur ka qenë në pyetje pozicioni i saj politik i kryeministrave, kryetarëve të Kuvendit e presidentit e lëre më të pozicioneve të parëndësishme si nënkryetari i pestë i Kuvendit. Do ta respektojmë vendimin e Gjykatës. Pa asnjë hezitim. S’duhet të ketë dilema që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë opsional për ne. Atëherë s’ka më shtet e demokraci”, ka shtuar ai.
Abdixhiku: Rruga përpara e LDK-së ka një emër – rimëkëmbje
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas konfirmimit për të mbetur në krye të partisë, ka thënë se rruga përpara e kësaj partie është rimëkëmbja.
Ai ka ftuar të gjithë anëtarët e partisë, përfshirë ata të pakënaqurit me punën e tij, që të bashkohen dhe të rreshtohen prapa qëllimeve të partisë.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo s’bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve, edhe të kënaqurve me mua por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë”, ka thënë ai në një konferencë pas Kuvendit të partisë. “Jemi pak dhe kemi nevojë për secilin e do të punojmë që t’i bëjmë bashkë të gjithë”.
Ka bërë të ditur se në këtë Kuvend janë miratuar dy deklarata, një për gjendjen politike në Kosovë dhe tjetra për riorganizimin e LDK-së. Ka thënë se nuk është folur për koalicione apo pozicione specifike, por për “vlera orientuese si një parti që do stabilitet”.
Edhe kryesia e re do të ketë proces të votimit të njëjtë si kryetari, ka bërë të ditur Abdixhiku.
Abdixhiku ka deklaruar se do të pritet “LDK më aktive e më reflektuese”.
LDK-ja vazhdon me Abdixhikun kryetar
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i partisë, pavarësisht dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Abdixhiku ia ofroi dorëheqjen Kuvendit të partisë të shtunën. Megjithatë, në votimin e fshehtë nga delegatët u vendos që Abdixhiku të vazhdojë ende si kryetar i partisë.
Siç ka mësuar KOHA, në votim 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 pro.
Siç ka raportuar KosovaPress, Abdixhiku në fjalimin pas votimit ka kërkuar “bashkim për ta ringritur partinë”.
“Në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues”, ka thënë ai.
Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku pati njoftuar se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvend e se më pas kuvendarët do të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo. Por dorëheqjen si akt të kryer e pati cilësuar anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar.
Për shkak se Kuvendi u mbajt i mbyllur për mediat, nuk dihen detajet tjera lidhur me këtë proces.
Me Abdixhikun në krye, LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori vetëm 13 për qind.
Abdixhiku është kryetar i LDK-së që nga 14 marsi i vitit 2021. Më 19 nëntor 2023, ai u rizgjodh si kryetar i partisë. Abdixhiku është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.
Votim i fshehtë për fatin e Abdixhikut
Kanë përfunduar diskutimet në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së ku pritet të vendoset me votë nëse do t’i besojnë delegatët Lumir Abdixhikut të vazhdojë në karrigen e kryetarit.
Sipas KosovaPress, tash ka nisur votimi i fshehtë për votëbesim.
Derisa delegatëve iu është prezantuar letra “A jeni për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut? Po, Jo.”
Abdixhiku: Nuk shpjeguam mjaftueshëm pse s’bëhej fronti i humbësve e as dorëzimi para poshtërimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja nuk e humbi mbështetjen qytetare për shkak se u bë më pak parimore apo më pak institucionale, duke theksuar se partia ka ruajtur vlerat themeltare gjatë gjithë kohës në opozitë.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja e ka mbajtur fjalën, nuk ka mashtruar dhe ka qëndruar konsekuente në parimet e saj politike dhe morale. Megjithatë, ai pranoi se partia nuk ka arritur t’i bindë qytetarët se këto vlera ishin zgjedhja e duhur dhe se ka dështuar në komunikimin dhe shpjegimin e mjaftueshëm të vendimeve politike.
Ai theksoi se mungesa e komunikimit dhe e shpjegimit të qartë ka ndikuar në moskuptimin e disa vendimeve të rëndësishme, përfshirë rrugët që ishin të pamundura dhe kompromiset që, sipas tij, nuk ishin të pranueshme për LDK-në.
Abdixhiku ishte i prerë se partia nuk mund të ishte pjesë e asnjë rreshtimi politik që do të përbënte një “front humbësish” kundër një fituesi të zgjedhur në mënyrë demokratike, por po ashtu nuk mund të pranonte dorëzimin përballë, siç u shpreh ai, një poshtërimi ofendues nga fituesi.
“Nuk arritëm të komunikonim mjaftueshëm. Nuk arritëm të shpjegonim mjaftueshëm pse disa vendime ishin të domosdoshme, pse disa rrugë ishin të pamundura dhe pse disa kompromise nuk ishin të pranueshme. Nuk ishte i mundshëm as një front i humbësve kundër një fituesi të zgjedhur në mënyrë demokratike, por nuk ishte i mundur as dorëzimi para poshtërimit ofendues të një fituesi”, ka thënë ai në Kuvendin e Punës, duke aluduar në kritikat se LDK-ja pësoi rënie në zgjedhjet e 28 dhjetorit pasi gjatë bllokadës institucionale nuk u bë bashkë as me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por as nuk pranoi koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Sipas tij, LDK-ja ka zgjedhur të qëndrojë për veten dhe për anëtarësinë e saj, duke refuzuar rolin e palës ndihmëse për cilindo subjekt tjetër politik. Abdixhiku theksoi se kjo qasje përfaqëson identitetin politik të LDK-së dhe se kjo është ajo që partia ka qenë dhe do të mbetet edhe në të ardhmen.
Abdixhiku: Ose jemi të organizuar në çdo nivel, ose rrezikojmë të jemi të copëzuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se LDK-ja ka nevojë për një organizim të fortë dhe të qëndrueshëm në të gjitha nivelet për të shmangur fragmentimin e partisë.
Ai vuri në dukje se LDK-ja ka humbur vota në zgjedhjet nacionale krahasuar me ato lokale, një dukuri që sipas tij nuk është normale dhe nuk ndodh zakonisht në Kosovë apo jashtë saj.
“Si është e mundur të fitojë bindshëm në zgjedhje lokale dhe pas pesë javëve të reduktohet kaq shumë në zgjedhje nacionale? Është faji te prijësi, te ekipi, te mesazhi apo te angazhimi i secilit veprimtar?” pyeti Abdixhiku.
Ai shtoi se, nëse problemi nuk është vetëm te udhëheqësi, atëherë sfida është më e thellë dhe lidhet me organizimin e brendshëm partiak.
“LDK-ja nuk mund të funksionojë si konfederatë interesash lokale. Nuk mund të jetë e fortë lokalisht dhe e dobët kombëtarisht. Ose jemi parti e organizuar në çdo nivel, ose rrezikojmë të jemi të fragmentuar, të copëzuar, të reduktuar”, ka thënë ai.
Abdixhiku bëri thirrje për mobilizim të vazhdueshëm dhe veprime konkrete në çdo nivel të partisë, duke theksuar se organizimi nuk duhet të ndodhë vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por çdo ditë.
Abdixhiku: Vendimet në LDK nuk merren në studio televizive e nga zhurmaxhinjtë e kurdisur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se thirrja e Kuvendit të Punës është akt përgjegjësie morale ndaj anëtarësisë dhe historisë së LDK-së. Ai ka sulmuar studiot televizive ku ka thënë se gjyqi publik shndërrohet në spektakël.
Abdixhiku ka thënë se vendimi për t’u ballafaquar me situatën pas zgjedhjeve ishte i tij dhe se nuk ka pritur presione apo ultimatume, duke e cilësuar ballafaqimin si aktin e parë moral në politikë. Ai nënvizoi se përgjegjësia politike nuk ndahet, por merret, dhe se ajo duhet ushtruar vetëm brenda institucioneve partiake.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku pranoi se nata e zgjedhjeve ka qenë një nga momentet më të vështira, jo vetëm për shkak të rezultatit, por si pasqyrim i sakrificës shumëvjeçare të anëtarëve dhe mbështetësve të LDK-së. Ai theksoi se lideri i një partie si LDK-ja gjithmonë përballet me dilema mes mbylljes në vetvete dhe daljes përpara anëtarësisë për të marrë përgjegjësi pas rezultateve zhgënjyese.
Kryetari i LDK-së ishte i prerë se asnjë platformë, trup apo organizim tjetër nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e partisë, përveç Kuvendit dhe anëtarësisë. Sipas tij, gjykimet publike, debatet televizive dhe presioni në rrjete sociale nuk mund të zëvendësojnë procesin demokratik të brendshëm.
“Përgjegjësia nuk ndahet me askënd, por merret. Kjo përgjegjësi nuk merret në studio televizive kur gjyqi publik bëhet spektakël, as përpara zhurmaxhinjve të kurdisur që shpallin vdekjen e një partie me 36 vjet e aq më pak me postime të rrjeteve sociale ku shpallim fatin tonë të LDK-së. Jemi më të mëdhenj se kaq. Trajtoni veten si të tillë. Përgjegjësia vetëm në një vend, në Kuvend të LDK-së”, ka thënë ai gjatë fjalimit.
Abdixhiku ka thënë se rezultati zgjedhor nuk është pasojë e një gabimi të vetëm apo e një vendimi të vetëm, por një proces i ngadalshëm që është ndërtuar me kalimin e kohës. Ai bëri thirrje për guxim politik dhe përballje me realitetin pa iluzione.
“Rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetë, as nga një natë e vetme e as nga një vendim i vetëm. Erdhi ngadalë, si grumbullim që rëndohet çdo ditë. Duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta pa iluzione”, ka thënë ai.
Në këtë kuadër, Abdixhiku theksoi se LDK-ja është parti unike në skenën politike të Kosovës, pasi themeluesi i saj nuk jeton më, çka e ka detyruar partinë të ndërtojë lidership përmes demokracisë së brendshme. Ai vlerësoi se demokracia partiake e bën LDK-në më të vështirë për t’u udhëhequr, pasi lidershipi në këtë parti sfidohet çdo ditë dhe nuk është autoritet i pakontestueshëm.
Abdixhiku përmendi edhe vëmendjen e madhe publike ndaj Kuvendit të LDK-së, duke e cilësuar atë si dëshmi se partia mbetet institucion gjithëkombëtar, pavarësisht rezultateve zgjedhore. Ai ka thënë se lidershipi në LDK ka qenë gjithmonë objekt goditjesh, përfshirë edhe kryetarët e mëparshëm, dhe se sulmet shpesh kanë ardhur nga brenda partisë.
Abdixhikut theksoi se kritikat nuk kanë të bëjnë me të personalisht, por me pozitën e kryetarit të LDK-së, duke nënvizuar se integriteti personal dhe lidhja e tij me partinë nuk varen nga funksioni që mban. Ai bëri thirrje që energjia brenda LDK-së të përdoret për forcimin e partisë dhe jo për gërryerjen e saj nga brenda.
Selmanaj: Është vlerë e madhe e LDK-së që Hoti të jetë në krye të saj
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se partia e tij ka reflektuar drejt sa herë është përballur me sfida për zgjedhjen e kryetarit, gjë që do të ndodhë edhe sot ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se është në vlerësimin e secilit individ brenda Kryesisë për çfarëdo vendimi sa i përket kryetarit të partisë. I pyetur për kandidaturën e Avdullah Hotit, Selmanaj ka thënë se do të ishte vlerë për partinë.
“Është vlerë e madhe e LDK që Hoti të jetë në krye të LDK-së, por nuk përjashtohen edhe kandidaturat tjera”.
Selmanaj e ka cilësuar shenjë jo të mirë paqartësinë për agjendën e Kryesisë sot.
“Pavarësisht se sot nuk e kemi të qartë krejtësisht agjendën, kjo nuk është shenjë e mirë, është dashur mbrëmë ta kishim të qartë a do votohet për votëbesim apo do kemi shqyrtim të dorëheqjes. Qëndrimet, qartësia e delegatëve do jetë epilog në çfarëdo procesi”.
Gashi: Do ta respektojmë rezultatin që del nga votëbesimi
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se do ta respektojnë cilido që të jetë rezultati i votëbesimit në rast se kryetari aktual Lumir Abdixhiku e kërkon një gjë të tillë.
Para hyrjes ku do të mbahet Kuvendi i LDK-së, Gashi ka thënë se është në diskrecion të kryetarit se çfarëdo të kërkojë, ndërsa shtoi se nuk janë në fazën e kandidaturave të tjera.
“Është në diskrecion të kryetarit të LDK-së a do votëbesim apo pushim për një kohë të caktuar. Nuk jemi në fazën e kandidaturave të tjera. Kemi të bëjmë me vlerësimin e punës së kryetarit aktual, të kërkuar nga vetë ai. Të shohim çka po i ofron Kuvendit. Nëse ofron dorëheqje është akt vullnetar, i zbatueshëm dhe i pakthyeshëm. Nëse kërkon votëbesim, është çështje e votimit dhe duhet të mbahet votimi i fshehtë sipas statutit të LDK-së. Cilido që të jetë rezultati, do ta respektojmë”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se LDK-ja do ta ruajë unitetin edhe pas këtij Kuvendi.
“Demokracia do të triumfojë në LDK, do të ruhet unitetit, shpresa, angazhimi dhe bashkarisht do t’i japim ofertën më të mirë Kosovës”, u shpreh Gashi.
LDK-ja mban Kuvend: Kryetar i ri apo vazhdim me Abdixhikun
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot (e shtunë, 31 janar) një mbledhje që pritet të përcaktojë të ardhmen e udhëheqjes së partisë.
Kuvendarët e LDK-së pritet të përballen mes zgjedhjes që Lumir Abdixhiku të jetë kryetar i partisë apo edhe për të zgjedhur një kryetar të ri.
Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku pati njoftuar se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvend e se më pas kuvendarët do të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo. Por dorëheqjen si akt të kryer e ka cilësuar anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar.
Disa anëtarë kanë shprehur publikisht mbështetjen për Abdixhikun, ndërsa ka edhe të tjerë që i kanë kërkuar dorëheqjen, përfshirë Hykmete Bajramin që ka dhënë dorëheqje prej postit të nënkryetares.
Kuvendi i Punës, i ftuar nga LDK-ja, do të nisë punimet nga ora 12:00. Sipas njoftimit, mediat do të lejohen të përcjellin fjalën e Abdixhikut e pastaj Kuvendi do të mbahet i mbyllur.