Arbëri

LDK-ja në Podujevë e quan joligjore platformën “Alo Komuna”

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, ka thënë se “Alo Komuna” është themeluar në kundërshtim me ligjin. Ndërsa drejtori i Administratës, Bahri Selimi, thotë se ky projekt mund ta pengojë dikë, porse, sipas tij, gjithçka është ligjore sa i përket kësaj platforme dhe se kjo e ka rritur transparencën dhe e ka afruar qytetarin me Komunën

Partia opozitare, LDK, po e konsideron joligjore platformën e Komunës së Podujevës “Alo Komuna”. Shefi i Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Hasan Ajeti, ka thënë se “Alo Komuna” është themeluar në kundërshtim me ligjin. Kontestimi i platformës është bërë gjatë debatit, ku është diskutuar raporti financiar tremujor i Komunës së Podujevës. Aty këshilltari Ajeti ka kritikuar rritjen e shpenzimeve për disa kode buxhetore, në mesin e të cilave edhe atë për telefoni.

Por këshilltarja e partisë në pushtet, Doruntina Hasani, ka thënë se rritja e shpenzimeve për telefoni ka qenë e pritshme pas lansimit të “Alo Komuna”. Sipas saj, qytetarët thërrasin pa pagesë në këtë platformë, ndërsa shpenzimet i faturohen Komunës.

“Edhe te drekat zyrtare e kemi ditur që kemi me pasë rritje, se personat që kanë punuar në “Alo Komuna” kanë punuar në mënyrë vullnetare dhe a mendoni se është dashtë me ua pagu atyre një shujtë brenda ditës çka kanë punuar? Kjo është arsyeja që janë rritë drekat dhe darkat zyrtare”, është shprehur këshilltarja Hasani.

Partitë opozitare kanë ngritur dyshime edhe nëse Komuna ka punësuar me kontratë mbi vepër punëtorë në “Alo Komuna”.

“Alo Komuna’ është themeluar jo në pajtim me ligjin. Unë pyetjen që ia kam drejtuar drejtorit respektiv, më ka thënë se nuk e di kush janë ata (punëtorë v.j.)”, ka thënë Hasan Ajeti.

Për këshilltarin e PDK-së, Rafet Llapashtica, nuk duhet të paguhen dreka zyrtare për punëtorët e Komunës.

“Kuvendi i Podujevës nuk ka nevojë për punëtorë me kontratë mbi vepër, se ata janë duke i kryer do punë të thjeshta, jo ndonjë punë specifike që nuk munden me i krye punëtorët e Komunës. Sa punëtorë i ke me kontratë mbi vepër dhe cilat janë detyrat që i kryejnë ata? Eksperimentet që jeni duke i bërë këtu si me ‘Alo Komuna’, ekzibicione politike e mos me mund me i arsyetu me letra, këtë vetëm plan-programi i kryetarit Bulliqi di me bë, askush tjetër”, është shprehur Rafet Llapashtica. “Alo Komuna’, institucioni duhet me qenë i hapur me u krye punët. Shpenzimet i bën ai që thirr, jo ai që përgjigjet. Drekë zyrtare nuk mundem me shtru për atë që punon në Komunë. Drekë zyrtare është kur shkon në një vend tjetër me qëllim të caktuar me sjellë një projekt për Kuvendin Komunal...”.

Por Doruntina Hasani ka thënë se të gjithë që punojnë në “Alo Komuna” janë vullnetarë dhe nuk paguhen për punën që bëjnë.

Njësoj ka thënë edhe drejtori i Administratës, Bahri Selimi.

“Për ju Hasan, po ta rikujtoj se kur kemi ardhur (në pushtet v.j.) i kemi pasë 57 punëtorë me kontrata mbi vepër. Tash nuk e kemi asnjë. I kemi 4 vozitës për QKMF që i bartin të sëmurët me Covid dhe edhe atyre iu skadon në maj, por edhe ata janë në kuadër të QKMF-së e jo Komunës. ‘Alo Komuna’, si projekt unë e di që për dikë është e papranueshme, për shkak se ‘Alo Komuna’ e paraqet një transparencë të Komunës dhe e ka afruar shumë qytetarin me Komunën”, ka theksuar Bahri Selimi. “Unë ju them se nuk është hiç antiligjore. Dhe gjeje diku në ligj që është joligjore dhe mund të diskutojmë pastaj. Edhe puna vullnetare është shumë mirë e rregulluar me Ligjin e punës. Aty punojnë vullnetarë të ndryshëm dhe nuk janë të njëjtit. Nuk ua di emrat të gjithëve, janë vullnetarë”.

Në muajin janar të këtij viti zyrtarët komunalë të Podujevës e kanë hapur qendrën e thirrjeve “Alo Komuna”, e cila, sipas tyre, do të shërbejë për qytetarët kur duan të adresojnë ndonjë problem, kërkesë apo ankesë të tyre. Drejtori për Administratë, Bahri Selimi, kishte thënë se kjo qendër do të kontribuonte në rritjen e transparencës komunale.

“Prejse kemi ardhur këtu, ne e kemi parë mungesën e një qendre të thirrjeve që qytetarët ta kenë një adresë ku do t’i adresojnë problemet e tyre, përfshirë këtu ankesa, kërkesa, sugjerime, e të ngjashme. Duke u bazuar edhe në transparencën, e cila ka munguar në Komunën tonë dhe këtë e vërtetojnë edhe organizata që e kanë monitoruar punën e Komunës, për ta rritur këtë transparencë ne kemi konsideruar se si hap i parë të jetë hapja e kësaj qendre të thirrjeve, e cila është bërë me një kosto të ulët buxhetore, që do të thotë është dashtë vetëm vullneti për të bërë një gjë të tillë”, ka theksuar Bahri Selimi.