Arbëri

LDK-ja propozon qeveri të transicionit

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar qeveri të transicionit me të gjitha partitë shqiptare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion.

Ai ka propozuar qeveri të transicionit deri në kohën e presidentit.

“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale… E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por sot vendi është në krizë të thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të transicionit”, ka deklaruar ai. “Letra e ardhur dje në zyrat e LDK-së është shqyrtuar... Po kthehemi për një momentum të ri politik. I ftoj të gjitha partitë që të jemi bashkë të ofrojmë zgjidhje”.

Abdixhiku ka thënë se është i gatshëm për takime me liderë partiakë në momentin e parë që ata duan.

“Të ulemi në tavolinë të flasim. Le të nisim një proces që nis zhbllokimin e procesit brenda një afati të shkurtër. Duhet një kryeministër unifikues, me një kabinet ministrash unifikues”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë i ka thënë po propozimit.

Ndërkohë, LDK-ja në një komunikatë për media ka konfirmuar se Abdixhiku këto qëndrime ia ka shprehur Kurtit edhe në një letër.

“Kryetari Abdixhiku e ka njoftuar z. Kurti se qëndrimet dhe bindjet e LDK-së mbesin konsistente. Kryetari Abdixhiku propozon fillimin e një procesi të ri konsultativ, që parasheh përfshierjen e partive politike parlamentare shqiptare, me qëllim formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit. Kjo Qeveri Nacionale e Tranzicionit do të ketë afat të caktuar, qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues. LDK-ja shpreh gatishmërinë të drejtojë këtë proces konsultativ për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantimin e stabilitetit kombëtar në vend”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, një ditë më parë i çoi ftesë Lumir Abdixhikut të LDK-së për takim për të diskutuar për një marrëveshje për bashkëqeverisje.Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 48 ulëse në Kuvend si partia më e madhe. LDK-ja doli e treta me 20 deputetë. PDK-ja ka 24. Nga 15 prilli në 11 tentime Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituojë legjislaturën e nëntë. Ngërçi ka ngelur tek emri i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare. Albulena Haxhiu në asnjë rast nuk ka arritur të marrë më shumë se 57 vota.