Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar dështim serioz institucional mbështetjen që Kuvendi ia ka dhënë ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të organizuar në sheshin e Prishtinës për disa ditë rresht.
Në një reagim ndaj ekspozitës me pasaktësi për masakrat në Kosovë, që në shumicë civilët e vrarë nga Serbia u paraqitën si njerëz të armatosur, LDK-ja ka thënë se ajo “përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre”. LDK-ja e ka quajtur skandaloze dhe të papranueshme përmbajtjen e kësaj ekspozite.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës”, thuhet në reagim të LDK-së.
LDK-ja ka thënë se mbështetja financiare nga Kuvendi e bën edhe më të rëndë çështjen.
“Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional. Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti ka thënë se autoritetet duhet të trajtojnë rastin deri në zbardhjen e plotë të tij teksa ka kërkuar përgjegjësi publike dhe kërkimfalje nga përgjegjës shtetërorë.
“Në të njëjtën kohë, kërkojmë përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin, mbështetjen dhe promovimin e kësaj ekspozite. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm administrative; ajo është përgjegjësi ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj qytetarëve të Republikës. Po ashtu, kërkojmë një kërkimfalje të qartë dhe publike të përgjegjësve shtetërorë ndaj familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve, për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe të respektit që u takon atyre. Tema të tilla nuk mund të trajtohen pa standarde të rrepta profesionale, pa verifikim të thelluar dhe pa kontroll institucional. Kujtesa historike nuk është hapësirë improvizimi. Ajo kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe përkushtim të vazhdueshëm”, ka shkruar kjo parti në reagimin në Facebook.
LDK-ja ka shtuar se mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave është detyrim themelor shtetëror dhe vijë e kuqe që nuk mund të kalohet.
Kuvendi i Kosovës ishte financues i ekspozitës që tashmë është larguar nga autoritetet komunale. Më herët të shtunën, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se ekspozita u mbështet nga Kryesia e Kuvendit, me qëllim të mirë dhe se në atë kohë të mbështetjes nuk ka pasur indikacione për pasaktësi.