Arbëri

Letër-rreshtim për Radojiçiqin rreth vendosjes së barrikadave në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe ndërkombëtar për Milan Radoiçiqin. Në Prokurorinë Speciale kanë njoftuar se letër-rreshtimi është lëshuar lidhur me rastin hetimor për vendosjen e barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Lidhur me rastin janë lëshuar urdhërarrestime edhe për 10 të dyshuar të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar të mërkurën letër–rreshtim vendor dhe ndërkombëtar ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, lidhur me barrikadat e ngritura gjatë vitit 2022 në katër komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë.

Në Prokurorinë Speciale kanë njoftuar se letër-rreshtimi është lëshuar, pasi që Gjykata e ka aprovuar kërkesën e saj të parashtruar në kuadër të veprimeve hetimore për rastin e tre vjetëve më parë.

Arbnora Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale, ka thënë se krahas Radoiçiqit, janë lëshuar edhe urdhërarrestime për 10 të dyshuar të tjerë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiqit. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Përveç Radoiçiqit, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave të tjerë të dyshuar në këtë rast. Duke u hetuar janë rreth 50 persona për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, ka theksuar ajo.

Ky nuk është letër-rreshtimi i parë i lëshuar për Radoiçiqin. Një më herët i është lëshuar rreth sulmit terrorist të fundshtatorit të 2023-tës në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë rast, Interpoli i ka lëshuar edhe urdhërarrestim Radoiçiqit në dhjetor të vitit 2023. Krahas për rastin “Banjska”, urdhërrarestim ndaj Radoiçiqit ka lëshuar në mars të sivjetmë edhe Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me veprën penale: “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Për rastin e vendosjes së barrikadave në veri më 2022, së fundi është ftuar për intervistim edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, porse marrja e tij në pyetje të mërkurën është shtyrë, për shkak të arsyeve shëndetësore të avokatit të tij.

Në dhjetor të vitit 2022, protestues serbë patën bllokuar rrugët në veri për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë që të mos e lejojë qarkullimin e automjeteve me targa ilegale që lëshoheshin nga Serbia.