Rikthimi i Listës Serbe në udhëheqjen e komunave në veri pasqyron ndryshimet strategjike të Beogradit dhe dilemat e integrimit real të komunitetit serb në institucionet kosovare, thonë njohës të zhvillimeve. Që nga themelimi i saj në vitin 2013, historiku i Listës Serbe përfshin faza të përfshirjes në institucionet e Kosovës, tërheqje nga institucionet, bojkot dhe pjesëmarrje të reja, duke lënë pas tensione të thella dhe ngjarje dramatike si sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Presidenti i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, vlerëson se për shkak të politikës së Beogradit dhe manovrimeve të fundit të Listës Serbe, ata nuk kanë më as fuqi, as ndikim e as kredibilitet
Pas tre vjetësh bojkot të institucioneve të Kosovës, Lista Serbe është rikthyer në pushtet në katër komunat me shumicë serbe. Ky zhvillim vjen pas një periudhe të tensionuar politike në veri të vendit, ku për herë të parë që nga themelimi i Listës Serbe në vitin 2013, komunat për dy vjet e gjysmë u drejtuan nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e bojkotuara nga komuniteti serb.
Ky rikthim, sipas presidentit të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, mund të sjellë “stabilitet të pjesshëm” në përfaqësimin e serbëve në nivel lokal, por njëkohësisht hap edhe një fazë të ndjeshme tranzicioni institucional.
“Rezultatet e fundit e kanë kthyer situatën në fillimin e krizës së sigurisë, para ngjarjeve të Banjskës. Tani kemi një normalitet të ri, serbët fituan në komunat e tyre, por disa prej tyre janë nën presion, veçanërisht ato që ishin përmendur si pjesë e Asociacionit. Një arsye për rikthimin e serbëve është presioni mbi Vuçiqin nga jashtë. Në Serbi, një pjesë e opinionit publik e sheh si tradhtar, si dikë që e ‘shiti’ Kosovën, duke i tërhequr serbët nga institucionet e Kosovës dhe duke nxitur bojkotin. Arsyeja e dytë është se Lista Serbe nuk ka ndonjë politikë të vërtetë apo burime, përveç mbështetjes nga Beogradi. Për më tepër, për aq kohë sa ajo është nën kontrollin e Beogradit, nuk mund të jetë partnere e vërtetë në dialogun për statusin e ardhshëm të komunitetit serb”, ka thënë Janjiq.
Një histori varësie nga Beogradi
Lista Serbe u themelua në vitin 2013, si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që parashikonte integrimin e strukturave paralele serbe në institucionet kosovare. Mbështetur fuqimisht nga Beogradi, ajo u konceptua si instrument politik përfaqësues i vetëm i komunitetit serb në Kosovë. Në zgjedhjet e para lokale të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës në nëntor 2013, Lista Serbe mori pjesë pas thirrjeve direkte të qeverisë serbe dhe fitoi shumicën e komunave me popullsi serbe.
Që nga ajo kohë, ky subjekt ka interpretuar politikat dhe qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës, shpesh duke refuzuar elementë të sovranitetit të shtetit kosovar, si betimi me simbolet e Kosovës apo zbatimi i plotë i ligjeve vendore. Mospërputhjet ligjore dhe tensionet politike e kanë shoqëruar vazhdimisht funksionimin e saj, ndërsa shumica e vendimeve komunale janë marrë duke ndjekur linjën politike të Beogradit.
Përmes dy palë zgjedhjeve lokale të njëpasnjëshme më 2013 dhe 2017, si dhe tri palë zgjedhjeve parlamentare në 2014, 2017 dhe 2019, Lista Serbe konsolidoi fuqinë e saj dhe shkaktoi ndryshime të thella në skenën politike të serbëve të Kosovës. Partitë e tjera ose iu bashkuan Listës Serbe, ose u margjinalizuan përmes presioneve dhe shantazheve.
Tërheqja nga institucionet
Pas përfshirjes në institucione, Lista Serbe mori pjesë në të gjitha proceset zgjedhore deri më 2022, kur filloi një periudhë përshkallëzimi politik. Në nëntor të atij viti, përfaqësuesit serbë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës - qeveria, policia dhe gjyqësori, si reagim ndaj vendimit për targat e automjeteve dhe masave të Qeverisë së Kosovës në veri.
Më 24 shtator 2023, një grup paramilitar serb, i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe dy policë u plagosën.
Pavarësisht rikthimit në pushtet, Janjiq vlerëson se Lista Serbe nuk e ka ndikimin e as kredibilitetin për t’i përfaqësuar serbët e Kosovës.
“Së pari, Lista Serbe është realisht një aktor në margjina - fatkeqësisht për Kosovën, fatkeqësisht edhe për vetë Listën Serbe, për komunitetin serb dhe për politikën e Beogradit. Falë politikës së Beogradit dhe manovrimeve të fundit të Listës Serbe, ata realisht nuk kanë më as fuqi, as ndikim, as kredibilitet. Kjo është diçka e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Në çdo rast, e ardhmja e komunitetit serb dhe e Listës Serbe është diçka që për momentin nuk mund të parashikohet”, ka thënë ai.
Janjiq shton se fati i kësaj liste është i lidhur me qëndrimin në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.
“Pas tij, shpresoj se do të ketë pluralizëm politik mes serbëve - diçka që në fakt ekziston. E pamë, për shembull, në Kllokot, ku ndodhi një rast tipik blerjeje votash. Kur je në pozitën e një pakice, kjo është një politikë shumë e rrezikshme. Sa i përket shumicës, pra popullsisë shqiptare - aktualisht është një lojë politike zero me zero, askush nuk po fiton. Asnjë parti nuk mund të menaxhojë situatën, dhe asnjëra nuk mund të kalkulojë qartë për të krijuar një qeverisje të qëndrueshme”, ka potencuar ai.
Janjiq vlerëson se duhet angazhim për ta rrumbullakuar procesin e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.
“Për vetë Kosovën, që ta mbyllim këtë temë me komunitetet minoritare — nëse Kosova dëshiron të njihet si një vend demokratik, nga Këshilli i Evropës, duhet të gjejë një mënyrë të përshtatshme për të zgjidhur çështjen e pakicave, sidomos të pakicës serbe, e cila dikur në histori konsiderohej komb, sipas kontekstit të ish-Jugosllavisë. Tani është një situatë e re, një pakicë kombëtare, por legjislacioni në Kosovë nuk është i plotë. Kemi kushtetutë, kemi parime, kemi disa garanci të mira, por e dimë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është zbatuar, edhe pse mund të ndodhë që tani të zbatohet”, ka thënë Janjiq.
“Loja” e ardhshme politike nga ndërkombëtarët
Janjiq pret që “loja” e ardhshme politike do të zhvillohet nga faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht nga Ëashingtoni, me nismat për normalizim ekonomik dhe me ligjin e ri për Ballkanin Perëndimor.
“Kjo është një mundësi për mbështetje konkrete financiare, si për Kosovën, ashtu edhe për komunitetin serb në Kosovë. Nuk ka nevojë për projekte si ‘Liqeni i Trumpit’. Ato janë të së kaluarës. Nevojiten investime reale në sistemin ekonomik dhe infrastrukturor. Unë pres marrëveshje të reja ndërmjet SHBA-së, Kosovës dhe Serbisë për financim projektesh. Fatkeqësisht për serbët, Beogradi nuk po mendon për të ardhmen. Tani përgjegjësia më e madhe bie mbi komunitetin ndërkombëtar - SHBA, BE dhe Britaninë për të përcaktuar interesat konkrete në Kosovë”, ka potencuar Janjiq.
Frikë për mënyrën e realizimit të tranzicionit
Rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore të Kosovës ka ngritur dilema për mënyrën se si do të realizohet tranzicioni i pushtetit nga kryetarët shqiptarë tek ata të zgjedhur nga kjo parti.
Kryetarë aktualë të këtyre komunave para disa ditësh kanë përmendur dokumentet zyrtare dhe vendimet administrative të marra gjatë dy vjetëve të fundit nga administratat shqiptare, për të cilat shprehin drojë se mund të keqpërdoren. Ata janë në pritje të udhëzimeve nga qeveria se si të veprojnë me dokumentacionin e ndjeshëm komunal para se t’ua dorëzojnë detyrën pasuesve nga Lista Serbe. Në bashkëpunim me nivelin qendror këto komuna në dy vitet e fundit ka mbyllur shumë zyre e shërbime që ofroheshin nga Beogradi zyrtar. Është ndalur dinari, janë mbyllur degë bankare e postare të Serbisë, në vend të cilave tani shërbimet ofrohen nga institucione të Kosovës.
Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk treguan për veprimet që janë duke i ndërmarrë në përgatitje të betimit të kryetarëve dhe inaugurimit të kuvendeve komunale.