Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Mustafa: Pas vitit 2007, u shkri kufiri mes PDK-së dhe LDK-së

6 min. më parë / 16 kor 2026 21:20
Qemajl Mustafa

Analisti politik, Qemajl Mustafa, ka thënë se dy partitë opozitare - Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë pasur gjithmonë raporte bashkëpunuese, madje sipas tij, prej vitesh ato edhe e kanë shkrirë kufirin mes vete.

Mustafa që dikur udhëhiqte me Komunën e Gjilanit nga radhët e PDK-së, në emisionin “Konfront” në KTV, deklaroi se harmonizimi i interesave mes tyre, bënë që të dukej e çuditshme se si dy parti që nuk pajtoheshin për asgjë, funksionin aq mirë mes vete.

“Kufiri mes PDK-së dhe LDK-së është shkrirë që moti. Ndoshta qysh pas mandatit të parë, 2007 deri në 2010. Një parti që nuk pajtohej për asgjë funksiononte aq mirë e për merak sa i harmonizuan aq mirë interesat e nuk dihej më ku është kufiri. Bile nuk mund ta mendonin më jetën politike pa njëra-tjetrën”, ka thënë Mustafa.

Ai shtoi se ky raport mes PDK-së dhe LDK-së krijohej gjithmonë nga struktura udhëheqësve e këtyre dy subjekteve politike. Mustafa e krahasoi këtë situatë tash me PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në maje të LDK-së ka qenë kumaria gjithmonë e të gjitha të mirave dhe të këqijave në lidhje me LDK-në e PDK-në. Të njëjtën situatë e kemi sot me PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Rrjedhja e elektoratit dhe funksionerëve të PDK-së kah LVV-ja, ka qenë larg më e madhe sesa ka qenë e PDK-së kah LDK-ja ose e kundërta”, ka deklaruar Mustafa në KTV.

Koci: Nëse s’del një forcë e re brenda LDK-së, mund të ketë margjinalizim të saj

29 min. më parë / 16 kor 2026 20:57
Koci: Nëse s’del një forcë e re brenda LDK-së, mund të ketë margjinalizim të saj

Analisti politik, Melazim Koci, ka thënë se po që se nuk del një forcë e re brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i përbashkuar të përçarët, mund të ketë margjinalizim të partisë.

“LDK-ja gjendet në pozitë shumë të vështirë. Nëse nuk del një forcë e katërt brenda LDK-së që të arrijë t’i për bashkojë (grupet e përçara), mund të shohim margjinalizimin, sepse nuk dua ta them përfundimin e LDK-së”, ka thënë Koci në “Konfront” të KTV-së.

Sipas tij, kriza në LDK nuk është befasi. Ai ka thënë se pikënisja është te dalja për herë të tretë rresht si parti e tretë. Arsye tjetër e krizës sipas tij është dështimi për ta këndellë LDK-në nëpërmjet rikthimit të ish-presidentes Vjosa Osmani. E Koci ka vlerësuar se pakënaqësive në LDK u ka kontribuar edhe “nxitimi i Abdixhikut për të shkuar për të diskutuar për formim institucionesh me Kurtin, edhe pse s’i ka të 18 votat e LDK-së”. “Kjo s’u prit mirë nga një pjesë e LDK-së sepse u konsiderua si betejë e tij për pozicion individual”, ka thënë ai.

Sopi: LDK-ja dhe Kosova janë në krizë identitare

34 min. më parë / 16 kor 2026 20:52
Agim Sopi

Analisti politik Agim Sopi ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës, por edhe shteti i Kosovës, janë në krizë identitare.

Në “Konfront” të KTV-së, Sopi ka thënë se kriza në LDK është thelluar edhe për shkak të “përpjekjeve të qeverisjes Kurti për t’i kapë të gjitha institucionet dhe për të shndërruar shtetin në mekanizëm autoritar”.

Sipas tij, kjo “ka shpërfytyruar dimensionin e rremë të demokracisë e i cili nuk ka ekzistuar asnjëherë në Kosovë”.

Ai ka thënë se në Kosovë tashmë është imponuar një politikë e majtë që u përshtatet njerëzve. 

“Qeveri që jep ndihma, lehonave, studentëve, burrave, pleqve e të gjithave. Logjikë e ndarjes së varfërisë. Po varfërohet njeriu gjithnjë e më shumë. Iluzioni i zhvillimit të fitimit të parave pa punë rritet po ashtu. Gjithkush në botë nuk ngopet vetëm me para. Kjo logjikë e mentalitetit dembel... Pushteti s’po kërkon asgjë nga elektorati vetëm votën. Dhe tash ka krijuar iluzionin se i ka zgjidhur të gjitha problemet dhe e pret ndihmën nga shteti. Tash këto dy parti të tjera, që e quajnë veten të djathtë, është sikur logjika e mbretit - për t’u bërë mbret, princi duhet ta vrajë babën. A kanë pas këta fuqi ta vrasin babën. Pra e kanë vazhduar punën nën hijen e babës”, ka thënë ai.

Morina: Njëri grupim brenda LDK-së synon ta bëjë Përparim Ramën kryetar

45 min. më parë / 16 kor 2026 20:41
Idriz Morina

Analisti politik, Idriz Morina, ka thënë se kanë tendenca të dukshme që njëri grupim brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ka për synim që si alternativë për udhëheqjen e partisë ta ofrojë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas tij situata në LDK është kritike pas rezultateve të dobëta. 

Morina ka thënë se kryetrari Lumir Abdixhiku nuk ka arritur që të afirmohet si lider i mirëfilltë. 

“Edhe pse për aq sa njohim është e vështirë që në momentin aktual të ketë një garë edhe ku mund të vijë në shprehje një lider i ri, megjithëse dihet që tendencat janë të pashme që njëri grupim ka për synim që ta ofrojë si alternativë kryetarin e Prishtinës Përparim Rama”, është shprehur Morina

Ai ka thënë se mendon që situata në Lidhjen Demokratike të Kosovës tani është më e vështirë sesa në janar kur kryetari Lumir Abdixhiku, i mbijetoi votëbesimit. 

Sipas tij tani numri i të pakënaqurve me Abdixhikun është rritur. 

“Vetë fakti që brenda një shtatmujore duhet të marrë një rivotëbesim të ri, është problematik. Në aspektin e traditave dhe kërkesave të LDK-së, po rezulton që edhe herën e parë më mirë do të ishte të jepte dorëheqje dhe që partia të shkonte në zgjedhje e të kërkonte një lider të ti”, ka thënë Morina në emisionin “Konfront” në KTV.

Mustafa: Fitorja e Abdixhikut do të ishte sikurse e Pirros

55 min. më parë / 16 kor 2026 20:31
Qemajl Mustafa

Analisti politik, Qemajl Mustafa, ka thënë se gjendja në Lidhjen Demokratike të Kosovës tash është edhe më kritike në raport me figurën e kryetarit të këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.

Mustafa ka deklaruar se edhe në Kuvendin e kaluar të LDK-së kur u kërkua votëbesimi për Abdixhikun, ai mbeti në këtë pozitë me një diferencë të vogël nga ata që e deshën shkarkimin e tij.

Edhe po mbetej sërish në këtë pozitë, Mustafa është shprehur se fitorja e tij do të krahasohej me atë të Pirros.

Fitorja e Pirros është shprehje që në të shumtën e rasteve përdoret për të përshkruar një fitore që arrihet me një kosto aq të madhe, sa në fund është pothuajse e barabartë me humbjen.

“Nuk do të ketë fitues në garën e ardhshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, njësoj siç nuk ka pasur as në atë formalizimin e votëbesimit të organizuar në janar. Lumir Abdixhiku fitoi atë votëbesim me hezitim që të mos jepte dorëheqje, ia la Kuvendit në dorë dhe fitoi me diferencë shumë të vogël. Pra kishte shume kontestim brenda LDK-së për figurën e tij. Tash e kemi edhe më kritike. Ai edhe mund të fitojë në një rast teorik, më ndonjë votë më shumë se ata që po e kërkojnë humbjen e tij por prapë është ajo që e quajmë ne, një fitore e Pirros”, ka thënë Mustafa në emisionin “Konfront” në KTV.

Mustafa është shprehur se edhe po të jetë sërish në krye të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai e ka shumë të vështirë “të krijojë kohezion brenda këtij subjekti politik.”

Një ditë më parë, në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike u dorëzuan nënshkrimet për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Iniciativa u nis me kërkesën për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, pasi LDK-ja doli sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit.