Një «revistë» obskurantiste gjermane, e drejtuar nga racistë dhe propagandistë prorusë dhe proserbë, pretendon se disponon me një «non-paper» të ri mbi zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e këtij «lajmi» pa asnjë dëshmi nga fletushka gjermane me gjasë është pjesë e një operacioni të ri të Kremlinit dhe Beogradit për të shkaktuar tensione dhe huti në rajon.
Sot nëpër mediat ballkanike po qarkullon një lajm i një «reviste» gjermane të quajtur «Zuerst» mbi një «non-paper» të ri mbi Kosovën. «Dokumenti» thuhet se përmban 16 pika dhe, në thelb, parasheh kthimin e Kosovës nën Serbi për «99 vjet». «Zuerst» pretendon se e ka dokumentin në fjalë, por nuk publikon faksimilen apo ndonjë pjesë të saj.
Në tregun medial gjerman «Zuerst» është «revistë» praktikisht inekzistente. Për nga dukja e webfaqes ajo lë përshtypjen e një «mediumi» që prodhon lajme të rrejshme në shërbim të propagandës ruse dhe serbe. Pas «revistës» qëndrojnë propagandistë të ekstremit të djathtë, të cilët shquhen si shumëzues të rrenave të Kremlinit dhe kundërshtarë agresivë të pavarësisë së Kosovës. Po ashtu «revista» u ofron ekstremistëve rusë dhe gjermanë një platformë për të prezantuar «idetë e tyre». Gjuha e «magazinës» konsiderohet raciste, antisemite, revanshiste, revizioniste dhe relativizuese e krimeve naziste. Për shembull «revista» e konsideron të pafajshëm kriminelin nazist të luftës dhe të dënuarin me vdekje Erich Priebke.
Në një hulumtim të paradokohshëm gazeta gjermane «Die Zeit» ka dokumentuar se si funksionin propaganda ruse në Gjermani. Kështu: webfaqja «Abendlich Hamburg» paralajmëroi një «sensacion të vërtetë politik». Ajo shkroi: «Perëndimi ka vendosur ta zëvendësojë Aleksej Navalnin me gruan e tij». Autori Matthias Fritz njoftonte më 23 nëntor 2020 se shërbimet sekrete perëndimore duan ta bëjnë Julia Navalnajan udhëheqëse të opozitës ruse. Ajo do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare ruse më 2021, thuhej më tutje në «artikull».
Lajmin menjëherë e përktheu nga gjermanishtja në rusisht mediumi shtetëror rus «Inosmi». Në internet nuk mund të gjendet asnjë gjurmë e autorit Matthias Fritz. Dy ditë pas publikimit të tekstit të Matthias Fritz webfaqja «Abendlich Hamburg» nuk hapej më. Por qëllimi ishte arritur: mbi 40 mediume ruse e shpërndanë lajmin nga «mediumi gjerman». «Russkaja Wjesna» shkruante: «Mediat: Po përgatitet një deklaratë e rëndësishme, shërbimet sekrete perëndimore kanë një plan të ri sa i përket Navalnit». «Gazeta.ru» njoftonte: «Abendlich Hamburg: Perëndimi ka vendosur ta zëvendësojë Aleksej Navalnin me gruan e tij». «Komsomolskaja Pravda» shkruante: «Mediat gjermane: Perëndimi do ta zëvendësojë Navalnin me gruan e tij». Kanali «Cargrad» bënte të ditur se «po përgatitet me kohë skenari bjellorus. Në Gjermani po parashikohet një fat i pazakonshëm i Julia Navalnajas». Sipas «Die Zeit» lajmi i «Abendlich Hamburg» është një shembull se si propaganda ruse përhap rrena dhe i shumëfishon ato. Webfaqja «Abendlich Hamburg», me gjasë e themeluar nga shërbimet ruse, shërbeu vetëm si model për t’i dhënë «seriozitet» lajmit: nëse në Rusi përhapet një lajm duke iu referuar «mediave gjermane», atëherë një rus i rëndomtë i beson këtij «lajmi».
«Die Zeit» shkruante se lajmi i «Abendlich Hamburg» me gjasë ishte shkruar në rusisht dhe pastaj me një program gjuhësor ishte përkthyer në gjermanisht. Gazeta gjermane angazhoi dy përkthyese për të vlerësuar lajmin. Të dy përthyeset vërejtën konstruksione të çuditshme të fjalive, fraza dhe fjalë që janë tipike për rusishten. Për shembull: «Shërbimet sekrete nuk hanë bukë badihava» - një frazë e njohur e rusishtes. Faqja «Abendlich Hamburg» kishte dukje amatore, s’kishte impresum, as adresë, as emër se kush është themeluesi. Njoftimi për mbylljen e faqes u shfaq në rusisht, pastaj u zhduk dhe në vend të njoftimit në kodin e burimit mund të lexohej një fjali vulgare. Më vonë edhe kjo fjali u zhduk, me gjasë për të fshehur gjurmët ruse. Strategjia e këtyre lajmeve është e qartë: mbuloje të vërtetën me rrena. Kur s’kryejnë punë mediat propagandistike në vend (Rusi apo Serbi), themelo «media» në Gjermani, posto lajme aty, përktheji dhe hidhi në tregun rus apo serb si «lajme gjermane». Kjo është sikur kur ia vendos veturës Lada një yll të ndryshkur të Mercedesit.
Pas demaskimit nga «Die Zeit» duket se propagandistët rusë (dhe serbë) kanë gjetur rrugë të tjera për të plasuar lajmet e rrejshme. Platformë e përshtatshme për këtë është kuazi-revista «Zuerst». Teksti mbi «non-paper-in» e ri nuk ka autor, por vetëm një shkurtesë: (CF). Më 10 gusht 2020 kjo webfaqe paralajmëronte: «Lojë me zjarr: Berlini dëshiron të pranojë dhe ta armatosë ushtrinë e Kosovës». Në «lajm» i jepej hapësirë e madhe ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes të Serbisë Aleksandar Vulin. Më 14 shtator 2019 «Zuerst» shkruante: «Protektorati i NATO-s Kosova: Edhe Praga dëshiron të tërheq njohjen». Si në rastin e «Abendlich Hamburg» edhe te «Zuerst» konstruksioni i fjalive, frazat dhe fjalë tingëllojnë si të kopjuara nga mediat serbe. Politikanët serbë vazhdimisht e quajnë Kosovën «protektorat të NATO-s», ndërsa politikanët e saj marioneta të SHBA-ve. Kështu i quan edhe «revista» gjermane «Zuerst». Përhapja (pa asnjë dëshmi) e «lajmit» mbi «non-paper-in» e ri nga fletushka gjermane me gjasë është pjesë e një operacioni të ri të Kremlinit dhe Beogradit për të shkaktuar tensione dhe huti në rajon.