Showbiz

Emma Stone: Kam frikë për shëndetin tim mendor, ndaj nuk hap Instagram

Emma Stone

Aktorja, Emma Stone, ka treguar se është “tepër e frikësuar për shëndetin e saj mendor”, prandaj edhe nuk hap një llogari në rrjetin social Instagram. Ajo ka theksuar se preferon të ndjekë përmbajtjen e të tjerëve, në vend se të jetë vetë aktive në rrjetet sociale.

Ylli i filmit “Bugonia” e përshkruan veten si një “lurker”, term që përdoret për të përshkruar dikë që lexon, shikon dhe ndjek përmbajtje, pa publikuar apo ekspozuar jetën e saj online.

E pyetur nga revista Rolling Stone nëse do të mendonte ndonjëherë të hapte një faqe personale apo platformë lifestyle, Stone u përgjigj prerazi negativisht.

“Njëqind për qind jo. Kjo është arsyeja pse nuk kam as Instagram. Jam shumë e frikësuar për shëndetin tim mendor për t’u përfshirë në atë mënyrë, dhe për këtë arsye jam një ‘lurker’ e madhe dhe më pëlqen t’i ndjek gjërat e të tjerëve”, ka thënë ajo.

Megjithatë, aktorja do të shfaqet së shpejti në një reklamë të re për kompaninë Squarespace, e cila e ndihmon atë të sigurojë domenin e saj personal në internet.

Një version 30-sekondësh i reklamës së Emma Stone do të transmetohet gjatë Super Bowl LX, mes pjesës së parë dhe të dytë të ndeshjes, të dielën më 8 shkurt 2026.

Xhirimi i reklamës e bëri aktoren të reflektonte pse nuk e kishte regjistruar më herët emrin e saj si faqe zyrtare, duke e quajtur këtë një “mungesë vizioni”.

“Unë nuk e di pse nuk e kam bërë kurrë këtë më parë. Squarespace në fakt u desh të merrej me mungesën time të largpamësisë. Jam shumë mirënjohëse që e bënë këtë, sepse përndryshe reklama nuk do të kishte funksionuar fare. Do të kishte qenë shumë e çuditshme nëse dikush do të hynte në EmmaStone.com dhe aty do të ishte… nuk e di çka”, ka thënë ajo.

37 vjeçja ka thënë se mezi pret të ndjekë “SuperBowlin” këtë të diel, ku Seattle Seahawks do të përballen me New England Patriots, ndërsa është veçanërisht e entuziazmuar për performancën e Bad Bunny në pushimin mes ndeshjes.

“Patjetër që do ta shikoj ‘SuperBowlin’ jam shumë e përfshirë emocionalisht. Vëllai im ka marrë pjesë kur ishte në shkollë të mesme, kështu që do ta shikoj me të dhe kjo do të jetë argëtuese. Por jam vërtet shumë e emocionuar për Bad Bunny, sigurisht”, ka thënë ajo.