Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Fushë-Kosovë e kanë akuzuar pushtetin në këtë Komunë se me mjetet e ndara për subvencione nuk e ka qëllimin e zhvillimit të sektorit të bujqësisë.
Sipas tyre, me subvencione ekzekutivi komunal vetëm po i mirëmban votat klienteliste.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në këtë Komunë, Durim Hajra, ka theksuar se pushteti nuk ka një plan për ta zhvilluar bujqësinë.
“Me një paragraf janë mjaftua me garantua edhe para qytetarëve, edhe para Kuvendit që kjo qeverisje ka me zhvillua sektorin e bujqësisë. Kjo tregon se nuk është serioze. Për çdo vit është e njëjta formë, një tabelë, një paragraf, me katër fjali për një sektor kaq të rëndësishëm. Çdoherë kemi kërkua një plan konkret i cili prezantohet para Kuvendit edhe me tregua se ky është plani konkret me të cilin na si qeveri mendojmë ta zhvillojmë sektorin e bujqësisë. Por nuk e kanë bërë e as presim se do ta bëjnë”, ka thënë Durim Hajra në mbledhjen e Kuvendit Komunal kur është diskutuar ndarja e mjeteve nga kodi i participimit, subvencioneve dhe transfereve.
“Nëse nuk e sjellin një plan, le ta sjellin bile një raport që tregojnë se këto janë rezultatet. 265 mijë euro nuk garantojnë asgjë pos një vote klienteliste”, ka theksuar ai.
Këshilltari i LVV-së e ka kritikuar edhe shumën që e ka propozuar ekzekutivi komunal, pasi sipas tij, Komuna e Fushë-Kosovës ka më shumë potencial për ta ndihmuar këtë sektor.
Akuzave të Hajrës nuk u është përgjigjur askush nga ekzekutivi.
Në shkresën që u është dërguar kuvendarëve, fillimisht Komitetit për Politikë dhe Financa i propozohet që të shqyrtojë mundësinë e aprovimit dhe pastaj marrjen e vendimit në Kuvendin Komunal për shpenzimin e mjeteve nga kodi i participimit, subvencioneve dhe transfereve, në vlerë prej 265 mijë eurove, siç thuhet “për zhvillimin e bujqësisë si kontribut për ekonomitë familjare, me një shtrirje të gjerë për të rritur mirëqenien individuale, familjarë dhe kolektive të banorëve të Komunës sonë”.
Në këtë propozim është paraparë që për sera të ndahet shuma buxhetore prej 30 mijë eurove, ndërsa participimi i fermerëve është 10 për qind ose 3 mijë euro, për motokultivatorë shuma prej 50 mijë eurove, participimi i fermerëve 10 për qind ose 5 mijë euro, për mekanizëm bujqësor 138 mijë euro, participimi i fermerëve 10 për qind ose 13 mijë e 800, për pajisje bletare shuma 15 mijë euro, participimi i fermerëve 10 për qind ose1 mijë e 500 euro, shuma për foli 15 mijë euro, për pleh azotik 17 mijë euro. Në total 265 mijë euro.
“Shuma prej 23 mijë e 300 euro që është paraqitur në tabelë është participim i fermerëve për vitin 2023 dhe nuk hynë në kuadër të shumës totale 265 mijë euro”, thuhet në propozimin që është miratuar me shumicë votash në Kuvendin Komunal.