Arbëri

Vuçiqi shpreh gatishmëri për zbatim të marrëveshjeve, në Qeveri e quajnë deklaratë larg realitetit

Larg realitetit e kanë vlerësuar në Qeverinë në detyrë gatishmërinë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka shprehur emisarit evropian, Peter Sorensen, për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu. Në ekzekutiv thanë se Serbia prej vitesh ka qenë pala bllokuese në zbatimin e obligimeve. E në Bashkimin Evropian nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet rreth sinqeritetit të qëndrimeve të Vuçiqit

Qeveria në detyrë i ka vlerësuar larg realitetit deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilat ai ka shprehur gatishmëri për zbatim të plotë dhe konsistent të marrëveshjeve nga dialogu.

Megjithëqë Serbia pati refuzuar ta nënshkruante dhe ta zbatonte Marrëveshjen bazë për normalizim të raporteve me Kosovën, Vuçiqi ka njoftuar se në takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen, ka shprehur interesimin për të bërë hapa konkretë në zbatimin e marrëveshjeve dhe se ka gatishmëri për kompromise. 

“Në një bisedë të hapur konfirmova angazhimin tonë për dialog nën kujdesin e BE-së, si e vetmja kornizë që mund të sigurojë paqe, stabilitet dhe parashikueshmëri për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë e Metohi. E përqendruam vëmendjen në hapa konkretë, zbatim të plotë e konsistent të marrëveshjeve të arritura tashmë, në uljen e tensioneve në terren dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe të sigurisë së popullit serb. Theksova veçanërisht rëndësinë e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjet, si element kyç i një zgjidhjeje të qëndrueshme”, ka deklaruar Vuçiq. 

Por, në Qeverinë në detyrë të Kosovës e kontestuan këtë gatishmëri të Vuçiqit. 

Klisman Kadiu, që është këshilltar për media në Zyrën e Kryeministrit, tha se ka qenë Serbia ajo që për vite me radhë e ka bllokuar zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe ato me urgjencë humanitare - si ajo e personave të zhdukur me dhunë.

“Realiteti i tanishëm dëshmon se Serbia vazhdon të jetë destruktive në proces, duke mos i përmbushur dhe zbatuar obligimet që rrjedhin nga procesi. Serbia e ka shansin dhe rastin të bashkëpunojë sa herë ka takime edhe trepalëshe në Bruksel, por herën e fundit në shtator pamë se edhe refuzojnë të diskutojnë, duke u larguar nga takimi. Serbia e ka shansin që të avancojmë me Marrëveshjen Bazike, por as nuk e ka pranuar atë dhe as ka ofruar komente konstruktive mbi planin e zbatimit”, ka thënë Kadiu.

Krahas refuzimit për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë të Ohrit, Serbia i pati dërguar edhe letër Bashkimit Evropian, ku ka shprehur refuzim për disa pika që lidhen me njohjen e Kosovës dhe me anëtarësimin e saj në OKB apo në mekanizma të tjerë të saj.

Për qëndrimet e shprehura nga Vuçiqi, KOHA ka dërguar pyetje edhe në BE, porse deri në publikim të këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.