Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq po e konteston zgjedhjen e këshillave të fshatrave në këtë komunë. Sipas zyrtarëve të saj, procesi mund të kthehet në pikën zero pasi komunarët e kanë shkelur rregulloren përkatëse, duke mos e formuar me kohë komisionin e ankesave. Për këtë ata kanë ushtruar edhe ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë. Ndërkaq, zyrtarët komunalë kanë theksuar se zgjedhja e këshillave të fshatrave është bërë konform Rregullores përkatëse
Në pikën zero mund të kthehet zgjedhja e këshillave të fshatrave në Obiliq, kanë paralajmëruar zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.
Ata kanë thënë se komunarët kanë bërë shkelje të Rregullores për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet e lagjet urbane të komunës, kur e kanë nisur zgjedhjen e këshillave, pa e formuar me kohë edhe komisionin për ankesa.
Sami Ahmeti, shef i grupit të këshilltarëve të LVV-së, ka thënë se ky komision është formuar vetëm pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së shumicës prej këshillave.
“Është pikërisht papërgjegjësia dhe padituria e ekzekutivit të komunës, Drejtorisë së Administratës Publike, për arsye se kur është zgjedhur komisioni për themelimin e këshillave të fshatrave, në të njëjtën seancë kemi pasur mundësi dhe do të duhej të zgjidhej edhe komisioni për ankesa. Këtë proces e kanë anashkaluar, sepse kanë konsideruar që do të bëjnë zgjedhje qysh kanë bërë herëve të tjera, viteve të tjera, pa pasur komisione të ankesave. Gjithashtu shumica e atyre zgjedhjeve janë bërë nga zyrat e komunës”, ka thënë shefi i Grupit të Këshilltarëve të LVV-së në Obiliq.
Për këtë, Ahmeti ka thënë se është bërë një ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtimin e ligjshmërisë së procesit, i cili, sipas tij, nuk ua ka ofruar mundësinë qytetarëve për të paraqitur ankesa, ashtu siç parashihet me dokumentin komunal. Ky anashkalim i rregullores, ai ka thënë se mund ta përmbysë gjithë procesin.
“Duke u bazuar në rregulloren të cilën e kemi miratuar në Kuvendin Komunal është e vërtetë se kjo mund të ndodhë (anulimi i procesit v.j.), sepse komisioni i ankesave e ka përgjegjësinë e trajtimit të ankesave brenda tri ditëve prej ditës së zgjedhjeve (të një këshilli v.j.) në një lokalitet. E ky komision i ankesave është themeluar nga Kuvendi Komunal vetëm pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve në seancën e fundit”, ka thënë Ahmeti.
Qëndrim ndryshe kanë shprehur edhe në Komunën e Obiliqit. Lindita Bekteshi, drejtoreshë e Adminisratës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se janë zgjedhur 12 këshillat e fshatrave dhe se pa u bërë shpallja zyrtare e tyre nuk fillon të rrjedhë afati i ankesave.
“Rregullorja nuk e parasheh kohën se kur duhet të formohet komisioni i ankesave. Ne të njëjtin komision e kemi formuar para përfundimit të procesit të zgjedhjes së këtyre këshillave, mirëpo opozita, përkatësisht këshilltari komunal nga radhët e LVV-së, përkatësisht shefi i grupit të LVV-së, ka dhënë dorëheqje të paarsyeshme nga komisioni i ankesave dhe komisioni ka mbetur me dy anëtarë, i cili do të plotësohet me anëtarin e tretë në seancën e 11-të të Kuvendit Komunal (në këtë muaj)”, ka thënë Bekteshi.
Bekteshi ka thënë se nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është marrë konfirmimi se mund të vazhdohet tutje me procesin e zgjedhjes së këshillave të fshatrave. Ndërkaq Ahmeti nga LVV-ja ka theksuar se shumica e këshillave janë zgjedhur nga zyrat e komunës.