Kuvendi Komunal i Ferizajt ka vendosur që tri parcela afër Spitalit që është ende në ndërtim, të jepen në shfrytëzim për 15 vjet. Ky vendim, i marrë pak javë pas nënshkrimit të kontratës 24-milionëshe për vazhdimin e punimeve në spital, është kundërshtuar nga asamblistë të Vetëvendosjes, sipas të cilëve, vendimi është marrë për interes të personave të afërt me pushtetin lokal
Vendimi për t’i dhënë në shfrytëzim tri parcela përreth spitalit të ri, që është duke u ndërtuar në Ferizaj, është cilësuar nga Vetëvendosja si veprim për të shpërblyer persona të afërt me PDK-në, parti e cila qeveris me këtë komunë.
Vetëm dy javë pasi Ministria e Shëndetësisë njoftoi për nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 24 milionë eurosh për vazhdimin e punimeve në spital, Kuvendi Komunal vendosi që tri parcela në Talinoc të Jerlive të jepen në shfrytëzim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShefi i grupit asamblistëve të Vetëvendosjes, Brahim Osmani, tha se në vend që këto prona të përdoren për zgjerimin e spitalit, ato po jepen për interesa që nuk kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve.
“Sot po del e vërteta se këta nuk kanë qenë kurrë për ndërtimin e spitalit të ri të Ferizajt, por prioritet i tyre kanë qenë zonat përreth dhe mënyra se si t’i shpërndajnë për interesa të veta. Kjo nuk është qeverisje, është abuzim i pastër me interesin e qytetarëve”, ka thënë Osmani.
Ai ka kontestuar edhe vendimin e Kuvendit Komunal dhe paralajmëroi ankesë në Ministrinë e Pushtetit Lokal.
“Ata janë thirrur në Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), ndërkohë që për tetë vjet Komuna e Ferizajt ka funksionuar me një plan që gjykata e ka shpallur të paligjshëm. Po ashtu, janë thirrur në një PZHK që komuna nuk e ka fare. Në seancën e Kuvendit Komunal, propozimet e opozitës që këto prona të hiqen nga dhënia në shfrytëzim nuk janë hedhur fare në votim nga kryesuesi. Pas kësaj konference, ne kemi përgatitur ankesë në Ministrinë e Pushtetit Lokal”, ka thënë Osmani.
KOHA pati raportuar edhe vitin e kaluar se Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë banorit Imri Haliti, i cili e ka kontestuar si të miratuar kundërligjshëm Planin Zhvillimor Komunal.
Përveç tri parcelave që planifikohet të jepen në shfrytëzim, në anën e majtë të objektit të spitalit të ri ndodhet edhe objekti i përfunduar i çerdhes, i cili asnjëherë nuk është funksionalizuar dhe që po ashtu parashihet të jepet në shfrytëzim për 15 vjet.
“Është edhe objekti i çerdhes që është kërkuar të jepet në shfrytëzim. Edhe për këtë kemi kërkuar që të mos ndodhë, pasi edhe herën e kaluar, pas presionit të opozitës dhe qytetarëve, ishte tërhequr. Tani sërish ka ardhur një vendim i tillë dhe shpresojmë që të gjitha këto të anulohen”, ka thënë Osmani.
Për pretendimet e Osmanit, KOHA ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrës të Komunës së Ferizajt, por gjatë ditës, nuk ka pranuar përgjigje.
Projekti i spitalit të ri, i nisur më 2018 kur ministër i Shëndetësisë ishte Uran Ismaili, parashihej të përfundonte brenda tre vjetësh, por është bërë gati një dekadë dhe janë finalizuar vetëm punimet e vrazhda.
Një kontratë e re është nënshkruar muajin e shkuar nga ministri Arben Vitia, e cila parasheh që punimet të përfundojnë brenda 30 muajsh.