Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq kanë thënë se në ndërmarrjen publike lokale “Kastrioti” po punësohen vetëm militantë partiakë dhe familjarë të drejtorëve komunalë e asamblistëve të partisë në pushtet. Nëpërmjet një reagimi zyrtarët e kësaj partie këto akuza i kanë bërë derisa kanë njoftuar për anulimin e një konkursi në këtë ndërmarrje.
“Në ndërmarrjen publike lokale ‘Kastrioti’ SH.A., më datë 17.1.2023 është hapur një konkurs publik për disa pozita të lira pune. Ndonëse konkursi ishte i publikuar në gazetën zyrtare, webfaqen e kompanisë dhe faqen e internetit, 8 pozita nga 15 sa ishin në total dështuan. Sipas këtij njoftimi, në Obiliq nuk ka kuadro që i plotësojnë kriteret për burime njerëzore, bashkëpunëtorë profesionalë, IT”, thuhet në reagimin e LVV-së në Obiliq.
Sipas këtij subjekti politik, nuk është plotësuar numri për dy shoferë, katër punëtorë të mirëmbajtjes dhe katër punëtorë sigurimi.
“Krejt kjo po ndodh shkaku që në Obiliq po punësohen militantë partiakë, madje vetëm familjarë të drejtorëve dhe asamblistëve në pushtet, dhe në shumicën e rasteve emrat e të pranuarve po dihen ende pa u hapur konkursi”, thuhet në reagim.
KOHA e ka pyetur drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Abdyrrahman Krasniqi, rreth këtyre akuzave. Ai ka thënë se me drejtimin e kësaj ndërmarrjeje merret bordi i saj.
“Ndërmarrja ‘Kastrioti’ e ka bordin e pavarur dhe një u.d. të kryeshefit. Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë nuk ka ndonjë ndërlidhje me këtë ndërmarrje, përveç punëve që i kryen për ne”, ka thënë Krasniqi.
Ditë më parë akuza për punësime të kurdisura ka bërë edhe ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Egzon Berisha. Ai këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook kur kishte njoftuar edhe për shkarkimin e tij.
“Nga sot nuk jam më pjesë e NPL ‘Kastrioti’ sh.a. Bordi i drejtorëve në mbledhjen e mbajtur sot jashtë pikave të rendit të ditës ka vendosur të më shkarkojë! Pse? Sepse të mërkurën, në orën 16:00, në objektin e Komunës m’u kërkua të emëroja zyrtare kryesore financiare një person që përgatitjen profesionale e kishte në shkenca politike e herë-herë thoshte administratë publike, që të dyja jashtë kritereve të Ligjit mbi ndërmarrjet publike 03/L-87. Pas këmbënguljes sime për mosprezantimin e asaj CV, m’u kërkua të jepja dorëheqjen, të cilën nuk e pranova. Më shkarkuan!”, ka shkruar Berisha.
KOHA e ka kontaktuar kryetaren e Bordit të drejtorëve të NPL “Kastrioti” sh.a., Nita Hashani, por e ajo ka kërkuar që pyetjet për këto çështje t’i drejtohen në e-mailin zyrtar. Por, e njëjta gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje rreth akuzave të VV-së e ish-kryeshefit Berisha.