Arbëri

MAPL: Komuna s’ka të drejtë të ndalojë me Kod ndërrimin e partisë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka bërë të ditur se komuna nuk ka të drejtë që me anë të Kodit etik të ju ndalojë zyrtarëve politikë ndërrimin e partisë pas zgjedhjeve lokale.

Në një përgjigje për KOHËN, zyrtarët e MAPL-së kanë komentuar Kodin etik që Kuvendi Komunal i Obiliqit e ka vënë në diskutim publik e në të cilin ndër të tjera parashihet edhe ndalesa për zyrtarët politikë që të ndërrojnë partinë pas zgjedhjeve.

“Zyrtari politik duhet të respektojë vullnetin e votuesve deri në fund të mandatit duke zbatuar programin politik, si dhe të shmangë ndërrimin e partisë gjatë ushtrimit të mandatit”, thekson dokumenti.

Por sipas MAPL-së veprimtaria politike e zyrtarëve s’mund të përcaktohet me Kod të etikës.

“Të gjitha institucionet, kanë të drejtë të hartojnë ‘Kodet e Etikës’ së institucionit. Gjithashtu edhe Komunat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të hartojnë kodet e etikës, sa i përket sjelljeve etike të zyrtarëve të saj, por veprimtaria politike të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të kuvendeve të komunave nuk përcaktohen me kod të etikës”, thuhet në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik të MAPL-së.

Sipas Ministrisë, bazuar në legjislacionin në fuqi, kandidatët për anëtar të kuvendeve të komunave, i nënshtrohen vetëm kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët neni 15 të ligji nr. 03/l-072 për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.

“Pra, Komuna nuk ka të drejtë që më anë të kodit etik të ndalojë ndërrimin e partisë pas zgjedhjeve lokale. Veprimet e anëtarëve të kuvendit të komunës janë të pavarura dhe nuk i nënshtrohen ndonjë obligimi tjetër, jashtë rregullave të përcaktuar me ligj”, thuhet tutje në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik të MAPL-së, zyrtarët e së cilës janë shprehur të gatshëm të ofrojnë përkrahje dhe ndihmë për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni në fuqi.

KOHA ka raportuar javën e kaluar se si Komuna e Obiliqit ka hartuar Kodin Etik për zyrtarët e saj, e që aty parashihet edhe ndalimi i ndërimit të partisë pas zgjedhjeve për zyrtarët politikë.

Kjo kishte nxitur reagimin edhe të Shoqërisë civile duke e konsideruar absurde një ndalesë të tillë.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë kanë thënë se në rast se ky dokument vërtetohet se është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, janë të gatshëm që nenin 5 ose ta modifikojnë ose ta heqin nga Kodi Etik.