Mbi 200 mijë qytetarë pritet të jenë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet me 17 shkurt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ka bërë të ditur përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër” , Eliza Hoxha.
Sipas saj, marshit i janë bashkuar sindikata, profesionistë të lirë, mësimdhënës, mjekë, artistë, sportistë dhe përfaqësues të bashkësive fetare, për të dëshmuar se kjo nismë është përtej ndasive politike.
“Kemi marrë mbështetje nga të gjitha komunat e vendit. Nga çdo cep i Kosovës kanë ardhur mesazhe përkrahjeje, konfirmime pjesëmarrjeje dhe angazhim konkret për organizimin e transportit dhe mobilizimin lokal. Kjo nuk është çështje partie. Nuk është çështje pushteti. Është çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar”, deklaroi Hoxha në konferencën për media..
Hoxha theksoi se qytetarët do të dalin për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Në këtë marsh do të jenë pesë folës, por asnjëri nuk do të jetë partiakë, ndërsa do të performojë edhe këngëtari Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son.
“E ripërsëris edhe sot: asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar,” theksoi përfaqësuesi i “Liria ka Emër” Ismail Tasholli.