Numri i veçantë i së dielës në “Koha Ditore” u kushtohet masakrave që shteti serb i kreu në Kosovë para dy dekadave.
“Dy herë të vrarë” është titulli i shkrimit kryesor, i cili tregon se si u vranë mbi 70 civilë shqiptarë në fshatrat Poklek e Abri të Epërme të Drenasit.
Shkrimi shpjegon edhe mungesën e ndjekjes, gjykimit e dokumentimit të këtyre krimeve dhe masakrave të tjera që kanë ndodhur në gjithë Kosovën.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë flet në intervistë për mënyrën se si po humbet mundësia për krijimin e narracionit të saktë mbi luftën e Kosovës.
Rubrika “kosovarçe” sjell historinë e dhimbshme të një foshnjeje gjashtëjavëshe e cila ishte gjendur nën kraharorin e përgjakur të nënës dhe një dyvjeçar të vrarë në Abri.
Në faqet e botës kuptoni se ku gjendet ishulli brenda të cilit të gjithë e njohin njëri-tjetrin nëse janë të infektuar me COVID-19.
Nga kultura, këtë javë mund të lexoni për Edlira Sulajn e cila riprodhon veshjet tradicionale shqiptare.
Kurse tradita familjare mbi 130-vjeçare e orëndreqësit Refet Buxhati nga Prizreni shpaloset në monument.
Disa nga faqet e sportit ju sjellin në kujtesë ndeshjet që ia siguruan Kosovës gjysmëfinalen me Maqedoninë e Veriut.
Në gazetën e së dielës gjeni shumë shkrime të tjera të veçanta nga vendi dhe bota.