Arbëri

Banorët e “Mati 1” protestojnë për mungesë të ujit, KRU “Prishtina” thotë se u shpenzuan rezervat

Uji

Banorët e lagjes “Mati 1” në Prishtinë po protestojnë për shkak të mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm.

Banorët i kanë thënë KOHËS se pa ujë kanë mbetur tash e disa ditë, derisa Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, tha se mungesa e ujit është për shkak të shpenzimit enorm, pasi fabrika në Shkabaj s'ka funksionuar për mbi 24 orë.

“Pengesat kanë ardhur për shkak të turbullirave në kanalin e Ibër-Lepencit. Dhe fabrika në Shkabaj nuk ka punuar për mbi 24 orë dhe krejt uji i akumuluar është shpenzuar dhe s'kemi pasur rezerva të tjera. Tash, rrjeti derisa të stabilizohet është problem sepse kërkesa për ujë është tepër e madhe. Ka harxhim enorm të ujit”, ka deklaruar për KOHËN, Gazmend Behluli, menaxher në kabinetin e kryeshefit të kompanisë.

Ndërkohë në një tjetër përgjigje, Kompania tha se se rrugët “Ndue Përlleshi”, “Sokol Sopi”, “Bahri Ademi” dhe lagjen “City Home", kanë mbetur pa ujë për shkak të se ende s’është stabilizuar situata.

Zëdhënësja e kompanisë, Arieta Mjeku, tha se presin që deri në orët e mëngjesit të përmirësohet situata dhe të kthehet furnizimi normalisht.

“Ju njoftojmë se për shkak të problemeve teknike të paraqitura në kanalin Ibër-Lepenc, kemi furnizuar me ujë vetëm përmes dy Impianteve tjera, Albanik dhe Badoc, me kapacitet maksimal. Ndërsa sot, ITU Shkabaj ka filluar trajtimin e ujit pas largimit gradual të turbullirës nga kanali, dhe furnizimi është rikthyer me kapacitet maksimal. Megjithatë, për shkak të kërkesës së lartë, në disa zona si Mati 1, si rruga ‘Ndue Përleshi’, rr.’Sokol Sopi’, ‘lagja City Home’, rr.’Bahri Ademi’ dhe të tjera përreth, furnizimi ende nuk është plotësisht i stabilizuar. Presim që gjatë natës dhe në orët e mëngjesit, gjendja të përmirësohet dhe secili konsumator të furnizohet normalisht. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin tuaj”, ka thënë ajo për KOHËN.

Për shkak të punimeve në kanalin e Ibër-Lepencit, Kompania Rajonale kishte njoftuar se janë detyruar ta ndalin furnizimin me ujë në Fushë-Kosovë, Obiliq, Drenas dhe në lagjen “Kalabria” në kryeqytet.

Shpërndarja e ujit për pije është bërë me autobot, siç është thënë nga “Prishtina”, deri në stabilizimin e situatës.