Pacientët me skizofreni marrin trajtim rreth 1 muaj në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK. Sipas profesionistëve, për përmirësimin e gjendjes së tyre, krahas terapisë, esencial është edhe pranimi i pacientëve nga shoqëria e familja. E në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se Udhërrëfyesi Klinik për trajtimin e personave me skizofreni ndodhet në procesin e finalizimit.
11 mijë e 564 është numri i pacientëve të diagnostikuar me skizofreni në Kosovë, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, me referencë në databazat nga Klinika Psikiatrike, repartet psikiatrike të spitaleve rajonale dhe qendrat e shëndetit mendor.
Në këto qendra e reparte, bazuar në protokollet e trajtimit, pacientë me probleme mendore qëndrojnë të hospitalizuar për një muaj, e në raste specifike edhe për periudhë më të gjatë.
Mirëpo krahas kësaj, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, e thekson rëndësinë e marrjes së terapisë së rregullt edhe pas lirimit nga spitalizimi, në mënyrë që gjendja e tyre shëndetësore të përmirësohet.
“Nuk duhet harruar në asnjë moment se edhe personat me çrregullime mendore janë pjesë e jona dhe ata duhet të jenë pjesë përbërëse edhe e familjeve tona dhe e shoqërisë në përgjithësi. Prandaj në trajtimin e tyre nuk duhet nënkuptuar vetëm trajtimi medikamentoz, por edhe ai social, psikologjik. Përfshirja e familjes duhet të jetë shumë domethënëse. Ne jemi të vetëdijshëm që familjet e kanë të vështirë menaxhimin fillestar të këtyre rasteve, por zakonisht pas trajtimit njëmujor ata vetëm që përgatiten për t’u kthyer në shoqëri, gjithsesi në familje”, ka thënë Kutllovci.
Edhe neuropsikiatri Jusuf Ulaj thotë se është më njerëzor trajtimi i këtyre pacientëve në komunitet dhe pranë familjes.
“Duhet të mendojmë për shtimin e kapaciteteve ekzistuese që i kemi për ndonjë rast aty-këtu, por zakonisht këto raste edhe të skizofrenisë kur marrin terapi të rregullt dhe janë nën mbikëqyrje profesionale janë edhe më të qetë dhe nuk janë aq problematikë dhe të rrezikshëm as për familjen e as për rrethin. Pra, edhe kjo frika nga njerëzit që kanë probleme të shëndetit mendor duhet të kuptohet prej të gjithë njerëzve, sepse nëse ka një sëmundje dhe nuk ta rrezikon jetën dhe as nuk bën asgjë, atëherë këta njerëz duhet t’i pranojmë sikur të gjithë njerëzit e tjerë”, ka thënë Ulaj.
Në Ministrinë e Shëndetësisë e kanë kualifikuar shëndetin mendor si një prej prioriteteve kryesore. Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, në këtë ministri kanë bërë të ditur se është finalizuar hartimi i koncept-dokumentit për shëndetin mendor dhe se ai së shpejti do t’i dorëzohet Qeverisë.
“Koncept-Dokumenti për Shëndet Mendor ofron një pasqyrë të detajuar të veprimtarisë së institucioneve që merren me trajtimin e personave me çrregullime mendore, përfshirë edhe kategorinë e cekur nga ju. Ky koncept-dokument ofron propozimet për zgjidhjen e tyre. Ndërsa sa i përket trajtimit të pacientëve me skizofreni, na lejoni që t’ju informojmë se Ministria e Shëndetësisë është në proces të finalizimit të Udhërrëfyesit Klinik për trajtimin e personave me skizofreni, ku qëllimi i këtij udhërrëfyesi është të përmirësojë cilësinë e kujdesit dhe rezultatet e trajtimit, sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare, duke reduktuar sëmundshmërinë dhe pasojat e rëndësishme psikosociale dhe shëndetësore të kësaj gjendjeje të rëndësishme psikiatrike”, ka thënë MSH-ja.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë, po ashtu, se edhe sipas strategjive të zhvillimit të shëndetit mendor është rregulluar fuqizimi i shërbimeve në komunitet dhe se janë duke punuar për rritjen e numrit të profesionistëve.