Arbëri

Mbi 3 milionë euro më shumë paguan 7 komuna për vendime gjyqësore e përmbarimore

Vonesat në pagesa dhe hyrja në obligime pa pasur mjete të buxhetuara, kanë bërë që shumë qytetarë e operatorë ekonomikë t’i padisin komunat. Mbi 3 milionë euro është kostoja shtesë për tarifa gjyqësore e procedura përmbarimor që paguan vetëm shtatë komuna, meqë nuk i kryen detyrimet me kohë.

Mbi 3 milionë euro është kostoja shtesë për tarifa gjyqësore e procedura përmbarimore që paguan vetëm shtatë nga 38 komuna sa ka Kosova, shkaku i moskryerjes së detyrimeve me kohë.

Vonesat në pagesa e hyrja në obligime pa mjete, që çoi në padi të shumta nga qytetarë e operatorë ekonomikë, është një nga gjetjet kryesore që Zyra Kombëtare e Auditimit e ka evidentuar në raportet e publikuara për 22 komuna.

Obiliqi

1.330,128 euro borxh, prej tyre 276.222 kosto shtesë

Gjilani

7.006,316 euro, prej tyre 523 mijë e 56 euro kosto shtesë

Prishtina

10.582,839 euro, prej tyre 1 milion e 75 mijë euro kosto shtesë

Fushë-Kosovë

3.342,321 euro, prej tyre 847 mijë euro e 882 euro kosto shtesë

Lipjan

1.775,177 euro, prej tyre 398.727 kosto shtesë

Klina

312.908 euro, prej tyre 74 mijë e 798 euro kosto shtesë.

Leposaviqi

16.925 euro, prej tyre 925 euro kosto shtesë

Vjet komunat shpenzuan rreth 86 milionë euro për vendime përmbarimore dhe gjyqësore, por që as në raportet e auditorit, e as në atë financiar nuk saktësohet për secilën komunë se sa shpenzoi vetëm për interes dhe kamata të këtyre vendimeve.

E, paditë e shumta dhe vendimet gjyqësore, që komunave ua krijuan këto kosto, ZKA-ja i ka ndërlidhur edhe me planifikimin jo të duhur të buxhetit për këto obligime.

“Hyrja në obligime është si shkak i kontraktimeve pa pasur buxhet të mjaftueshëm dhe mospërgjegjësisë së zyrtarëve përgjegjës për planifikim, mosrealizimi i pagesave brenda afatit kohor ligjor, që ka rezultuar me pagesën e tyre përmes vendimeve gjyqësore/përmbarimore me shpenzime shtesë për procedurat përmbarimore”, thuhet nga ZKA.

Por, vitin 2025 komunat e kanë filluar me konteste gjyqësore për 208 milionë euro borxh, që pretendohet nga qytetarë dhe palë të tjera.

Hulumtuesi i Institutit GAP, Bekim Salihu, thotë se vetëm për Komunën e Prishtinës këto pretendime kalojnë shumën prej 80 milionë eurosh.

“Komunat po dëshirojnë që të jenë më aktive dhe produktive në teren dhe po hynë në obligime, të cilat përcillen me lëshime serioze ligjore e procedurale. Hyrja në kontrata pa zotim të mjeteve është shkelje ligjore dhe procedurale. Pastaj mospagesa e detyrimeve, një gjetje që i përcjellë pothuajse të gjitha komunat, që është moskryerja e obligimeve sipas afatit të paraparë prej 30 ditë, ndonëse e kanë pranuar. Kjo po bëhet edhe për arsye se komunat po dëshirojnë që të krijojnë një lloj pasqyre në teren që kanë shumë punë, e shumë kontrata, mirëpo që në fakt një mori i atyre kontratave dhe punëve është duke u bërë jashtë procedurave ligjore dhe teknike”, ka deklaruar ai.

Në komuna, si ajo e Deçanit, Vitisë, Kamenicës, Shtërpcës, Podujevës, Suharekës e Mitrovicës së Jugut, shpenzimet përmbarimore janë më të larta se sa të hyrat vetanake.

Hulumtuesi Salihu, thotë se kjo gjendje i kufizon seriozisht komunat në mundësinë për të realizuar investime kapitale.

“Komunat janë duke e rritur borxhin në mënyrë shumë të lartë, shumë komuna kanë më shumë borxhe se sa të hyra vetanake, që le të nënkuptohet se rreziku financiar, që po i ekspozohen komunat në të ardhmen është i madh, për shkak se këto vendime që janë në procedurë gjyqësore, e të cilat po dalin që janë të bazuara, lë të nënkuptohet se komunat do të përballen me një lloj falimentimi funksional”, u shpreh Salihi.

Në raportet e auditimit është rekomanduar që komunat të mos hyjnë në obligime pa planifikim të mirëfilltë, si dhe obligimet financiare të kryhen brenda afatit 30 ditor, në mënyrë që të shmangen shpenzimet shtesë të interesit dhe kamatës.