Përmbytjet që prekën disa komuna në fillim të këtij viti, kanë shkaktuar dëme në vlerë rreth 5.7 milionë euro, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve. Por, në këtë institucion kanë thënë se kjo shifër mund të rritet pasi disa komuna ende nuk i kanë dërguar të dhënat. Ekonomitë familjare mbeten sektori më i goditur, ndërsa Gjakova, Skenderaj dhe Drenasi renditen ndër komunat më të prekura
Vërshimet e 7 dhe 8 janarit të këtij vitit kanë shkaktuar dëme në vlerë prej mbi 5.7 milionë eurosh në 14 komuna të Kosovës, kanë treguar të dhënave paraprake të Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve.
Pjesa më e madhe e dëmeve është regjistruar në ekonomitë familjare, me mbi 4.1 milionë euro, pasuar nga bizneset me rreth 734 mijë euro, sektori i bujqësisë me 734 mijë euro dhe automjetet me 3 mijë e 470 euro.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryesuesi i komisionit, Kastriot Lajçi, ka thënë se tri komuna kanë pësuar dëmet më të mëdha.
“Dëmet më të mëdha deri më tani, sipas statistikave, të cilat i kanë dërguar nivelet komunale, janë në komunën e Gjakovës, komunën e Skenderajt, komunën e Drenasit. Gjakova i ka 2 milionë e 799 mijë e 850 euro, vlerë totale e dëmit, në përgjithësi në ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi. E kemi Skenderajn me 492 mijë e 408”, ka treguar ai.
E në komunën e Drenasit sipas Lajçit, dëmet arrijnë vlerën e rreth 400 mijë eurosh.
Ai ka treguar se këto shifra nuk konsiderohen përfundimtare, pasi disa komuna ende nuk i kanë dorëzuar raportet e vlerësimit të dëmeve.
“Shuma totale për vitin 2026 është 5 milionë e 694 mijë e 928 euro. Kjo nuk do të thotë që do të jetë kjo shumë, sepse ne do të monitorojmë dokumentacionin dhe do të shikojmë a ka gabime. Komunat të cilat nuk e kanë dorëzuar ende raportin, janë Prizreni, një pjesë e komunës së Pejës dhe komunat e tjera”, ka thënë Lajçi.
Ai shtoi se nuk ka një afat të caktuar se kur komunat duhet t’i përfundojnë dhe dorëzojnë vlerësimet e tyre dhe kur pritet të kompensohen ato.
Ndërkaq, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shprehu shqetësimin se procesi i kompensimit mund të zgjasë me vite.
Ai tha se duke iu referuar përvojës nga vërshimet e vitit 2023, për dëmet e të cilave ende nuk është bërë kompensimi i plotë.
“Niveli qendror, duke marrë parasysh se ky është përgjegjës, duhet të ndërmarr hapa.. ose të krijojë një fond emergjent për komunat që dora e shtetit të ndihet shumë më shpejt te qytetarët apo ta amandametojnë ligjin që parasheh procedura jashtëzakonisht burokratike dhe neve kërkojmë, për shembull është një mundësi shumë e thjeshtë në vend që të krijojmë vetëm komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve dhe pastaj të shkojnë këto raporte në agjencinë e emergjencave, të krijohen komisione të përbashkëta që edhe niveli qendror të jetë i kyçur në vlerësimin e dëmeve që nga fillimi”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas raportit të Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera, dëmet më të mëdha në sektorin e bizneseve janë regjistruar në Gjakovë, ku vlera e tyre arrin në afro 300 mijë euro.
Pas saj renditen Klina me rreth 115 mijë euro dhe Malisheva me mbi 109 mijë euro dëme të vlerësuara.
Edhe në sektorin e bujqësisë, Gjakova prin me dëme në vlerë prej mbi 223 mijë eurosh, e pas saj është Rahoveci me rreth 187 mijë euro.