Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 6 mijë nxënës më shumë të regjistruar në shkolla private brenda një dekade

Shkolla

Nga vetëm 1 për qind, nëntë vjet më parë, tani gati 4 për qind e fëmijëve të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët ndjekin shkollimin në sektorin privat. Të dhënat e ASK-së tregojnë se për një dekadë, mbi 6 mijë nxënës më shumë zgjodhën privatin para publikut. E ekspertë të arsimit thonë se kjo lëvizje e reflekton kërkesën për më shumë cilësi dhe llogaridhënie në sistemin arsimor

Për një periudhë prej një dekade, numri i nxënësve të klasave nga e para deri në të nëntën që janë regjistruar në shkolla private është rritur për 6 mijë e 682 syresh.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, nga 2 mijë e 643 nxënës sa u patën regjistruar në privat gjatë vitit shkollor 2015–2016, në atë 2024-2025, ky numër ka shkuar në 9 mijë e 325.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për këtë trend në rritje, ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, i numëron dy arsye kryesore.

“Arsyeja primare pse i dërgojnë në shkolla private është se aty shohin cilësi më të mirë të punës, jo medoemos cilësi më të mirë të infrastrukturës... Shumë shkolla publike e kanë infrastrukturën më të mirë sesa disa shkolla private pasi që janë ndërtuar me të gjitha standardet... Nëpër shkollat private zakonisht mundësohet mësimi tërëditor, kështu që prindërit të cilët punojnë me orar të plotë punë, thjeshtë mund t’i dërgojnë fëmijët para fillimit të orarit dhe t’i marrin pasi që përfundon orari”, ka thënë Pupovci.

Ai ka theksuar se ndryshe nga privati, në arsimin publik mungon llogaridhënia.

“Ekziston një mbikëqyrje më e madhe, ekziston një llogaridhënie më e theksuar sesa në sistemin publik dhe këto bëjnë që nga ana e mësimdhënies të jetë një përpjekje më e mirë pastaj të mësuarit varet nga shumë faktor. Por unë mendoj se ajo që i mungon arsimit tonë publik është llogaridhënia”, ka deklaruar ai.

E njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, trendin e ndërlidh edhe me rezultatet e testit PISA, ku nxënësit kosovar janë renditur ndër të fundit. 

“Këto kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë që prindërit me e pa që sistemi publik i arsimit nuk po ndihmon në zhvillimin e fëmijëve të tyre edhe t’i bëjë fëmijët të suksesshëm për jetë. Kjo në njëfarë mënyre e ka nxjerrë nga konteksti sepse ne kemi menduar që mjafton me pas 5-she, mjafton me qenë nxënës i shkëlqyeshëm e i sjellshëm ndërsa tash çka po ndodh është që prindërit e kanë pa që fëmija duhet të përgatitet për jetë e jo doemos të ketë 5-she”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka përmendur edhe anët pozitive e negative të kësaj.

“Anë pozitive është që fëmija qëndron më shumë në shkollë, prindi nuk maltretohet me transport, ka siguri më të madhe fëmija, kohëzgjatja më e madhe, puna individuale e grupore, fëmija përgatitet më mirë për jetë. Ndërsa negative është fakti që sistemi publik, i cili është dashur me i ofru këto shërbime, nuk po funksionon sa duhet edhe nuk po mbërrin me u këndell që me përmirësu ofertën arsimore”, është shprehur Rexhaj. 

Çmimet për një vit shkollor në institucione arsimore private sillen nga 800 deri në 7 mijë euro. Numri i përgjithshëm i nxënësve dhe i studentëve në sektorin publik e privat për vitin shkollor 2024–2025 është 317 mijë e 485, ndërsa vetëm në sektorin privat janë 23 mijë e 436.

Në pesë vjetët e fundit janë hapur 13 shkolla private në nivelin parauniversitar.