Me parullat “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, “Arbnon Spahiu nuk është vetëm, jemi të gjithë bashkë” e “Drejtësi për Abrnorin”, të martën në një protestë në Prishtinë është kërkuar lirimi nga paraburgimi në Serbi i ish-policit Arbnor Spahiu.
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë dhe akuzohet nga autoritetet serbe për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Organizatorja e protestës Erëza Zeqiri, ka thënë se Sapihu po mbahet padrejtësisht në burg në Serbi.
“Padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje, ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk mund të mbahet peng i padrejtësisë”, ka theksuar Zeqiri.
Ajo ka thënë se u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen pandërprerë për lirimin e Spahiut.
“Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur”, ka theksuar Zeqiri.
Spahiu po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori kur Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij.



