Një ditë pas arrestimit të dy personave të dyshuar për sulmin ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani, në Polici është paraqitur edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Përderisa Mehani u lirua nga Spitali dhe e akuzoi Lushtakun për sulmin, në Skenderaj tensionet u përcollën me grumbullime qytetarësh e akuza politike
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është paraqitur në Polici një ditë pasi dyshohet se, bashkë me persona të tjerë, sulmoi fizikisht zëvendësministrin e Financave, Hysni Mehani, i cili drejton Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë dhe është kandidat për deputet.
Ai është paraqitur për intervistim në Stacionin e Policisë në Skenderaj pasditen e së premtes, dhe pas më pak se një ore është liruar në procedurë të rregullt. E, qindra qytetarë u mblodhën te Stacioni i Policisë, përfshirë edhe me mjete motorike si traktorë të vendosur në rrugë, me arsyetimin se do të pengojnë arrestimin apo transferimin e mundshëm të Lushtakut diku tjetër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë ditë më parë Prokuroria njoftoi se kryetari i Skenderajt nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim. E, në orët e vona të së enjtes, në Skenderaj u panë edhe mjete të njësisë elite të policisë, që nga eksponentë të Partisë Demokratike (PDK), së cilës i përket Lushtaku, u pa si mësymje për ta arrestuar atë. Pas kësaj, qindra qytetarë dolën në rrugët e qytetit, tek objekti i Komunës dhe te stacioni i Policisë.
Pas intervistimit, Lushtaku tha se ngjarja ka ngjyrim politik dhe se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do që të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Krejt kjo që ka ndodhur është politike. Albin Kurti do që përmes aksioneve të tilla të viktimizohet. Në kushte normale nuk do të isha intervistuar”, ka thënë ai. “Në kushte normale unë nuk është dashur të intervistohem fare. Kjo është politikë dhe Albin Kurti do që përmes formave që ai ka zgjedhur, të viktimizohet dhe ta përdorë pushtetin për format që ai i di më së miri”.
Lushtaku ka thënë se nuk e di se në çfarë cilësie është intervistuar dhe se pret “të lirohen prej kësaj që ka shpifur Hysni Mehani”.
Ai ka shprehur kritika edhe për ekipet e njësisë elite policore, të dërguara në Skenderaj.
“Është tepër e rëndë për qytetarët e Skenderajt. Nuk e meritojnë as komunat e tjera që njësitë speciale me armë të gjata ta provokojnë qytetarin e këtij vendi që kanë dhënë shumë për Kosovën. Besoj që nuk duhet me shku kërku pa arsye e pa nevojë. Ata janë policë të Kosovës që i respektojmë shumë”, ka thënë Lushtaku.
Para se të ndodhte intervistimi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ka kamera dhe “shumë dëshmitarë” që e tregojnë rastin dhe që dëshmojnë se kush ka ushtruar dhunë.
Ai ka vlerësuar se reagimi i Policisë dhe i Prokurorisë ka qenë i vonuar.
“Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas në orët e pas mesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejt. Ju e dini që aktivistët e Vetëvendosjes për statuse në Facebook janë dënuar ka një vit e gjysmë burg. Tash të shohim, prokuroria për ata që morën gotë edhe përgjakën zëvendësministra, çfarë ndëshkimi do të kërkoj dhe çfarë dënimi do japë gjyqësori”, ka thënë Kurti gjatë konferencës për emdia që pati me komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.
Krahas Lushtakut, në procedurë të rregullt janë lëshuar edhe dy të dyshuar të tjerë, që janë intervistuar dhe dërguar në mbajtje të enjten.
Personat me inicialet E.L. dhe B.N., të cilët u ndaluan për 48 orë, janë liruar në procedurë të rregullt, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.
E, të premten nga Spitali është liruar edhe Mehani. Ai ka deklaruar se sulmi fizik është kryer nga Sami Lushtaku dhe ka ndodhur pas ankesave që, sipas tij, lidhen me keqpërdorime milionëshe.
Ai ka theksuar se ka qenë në tarracën e një kafeneje me deputeten Arjeta Fejza dhe tre persona të tjerë, kur është sulmuar.
“Jam kanë t’u bisedu në tavolinën time, dhe veç në moment të fundit e kam dëgjuar zotin Lushtaku që më ka thënë ‘m’ke thënë...’. Nuk e ka përfundu fjalinë e më ka goditur me telefon e pastaj me mjete të forta të tjera. Ka filluar një sulm, fillimisht prej zotit Lushtaku, jam munduar të mbrohem dhe me karrige prej zotit Lushtaku dhe pastaj prej truprojave të tij”, ka deklaruar Mehani.
Ai ka thënë se sulmi ishte i organizuar dhe i ndërlidhur me një e-mail dhe dokumente që, sipas tij, flasin për “mbindërtim të kundërligjshëm” në vlerë prej mbi 13 milionë eurosh.
“Sulmi ka ndodhur për këtë e-mail dhe për këto dokumente që janë metra katrorë mbindërtim të kundërligjshëm që shkojnë diku mbi 13 milionë euro. Kam qenë në komunë ditën e djeshme në orën 08:15. Nëse Lushtaku ka pasur punë me më sulmu, nuk ka të bëjë me atë. Kur ka ardhë ky e-mail, pas ankesave në Agjencinë për Informim dhe Privatësi që flasin për keqpërdorim milionësh, atëherë Lushtaku në orën 12:00, në mes të qytetit, më ka sulmuar”, është shprehur ai.
Sipas Mehanit, qëllimi i sulmit nuk ishte vetëm dhuna fizike.
“Qëllimi i zotit Lushtaku nuk ka qenë dhunë fizike, por dhunë për me i tregu edhe masës për nivelin e emancipimit për ata që guxojnë me kundërshtu atë”, ka deklaruar Mehani.
Vetëvendosja është në opozitë në Skenderaj, komunë bastion i PDK-së.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka reaguar të premten për praninë e njësisë speciale mbrëmë në Skenderaj, por nuk tha asnjë fjalë lidhur me incidentin në të cilin u përfshi Lushtaku.
“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin”, ka theksuar Hamza.
Një ditë më parë, nënkryetarja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dënoi dhunën, por tha se ajo e pati burim provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike që sipas saj janë bërë ndaj Lushtakut.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Por as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike nuk janë. Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën”, ka theksuar Deliu-Kodra.
E, ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë në “Interaktiv” se PDK-ja pret vlerësim të situatës nga ana e autoriteteve të rendit dhe ligjit.
“Mendoj se Partia Demokratike do ta bëjë një deklaratë. Nëse jo sot, nesër sepse nuk ka tjetër rrugë. Samiu është kryetar i partisë në Skenderaj, është kryetar i komunës, është figurë e rëndësishme e politikë dhe e së kaluarës historike të Kosovës, prandaj nuk e kanë edhe lehtë të deklarohen. Besoj se nuk është procesi elektoral, por duhet pasur informata shtesë të pavarura nga të dyja anët”, ka theksuar Haliti.
Mosreagimin e PDK-së, e ka parë ndryshe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.
“Asnjë nga deputetët nuk ka guxim të dalë ta dënojë një akt të tillë, sepse në fakt në subjektin politik të tyre, kryetari i partisë është dikush që është kryetar i një komune tjetër, por s’është kryetar i partisë. Ka mbaruar koha kur partitë udhëheqin me muskuj dhe jo me dije”, ka theksuar Azemi.
Para intervistimit të Lushtakut, disa zhvillime kanë ndodhur edhe në kryeqyteti.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së gjatë orëve të para të ditës i ka ftuar veteranët dhe qytetarët të mblidhen pranë stacionit të Policisë në Skenderaj, gjatë intervistimit të Lushtaku.
Kryetari i kësaj Organizate, Hysni Gucati, ka thënë se mbrëmjen e së enjtes në Skenderaj ka pasur një “qytetrrethim”. Ai ka mbajtur konferencë për media ku i ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, Njësia Speciale ka qenë e vendosur në 17 pika në Skenderaj.
Ai ka thënë se Sami Lushtaku nuk i ikën drejtësisë, por ka ngritur paralele në mes të mosparaqitjes së Lushtakut për intervistim dhe mosparaqitjes së Kurtit për intervistim për rastin e rezervave shtetërore.
“Sami Lushtaku ka qenë i dënuar 12 vjet në burgjet e UNMIK-ut, nuk është një njëri që ik nga drejtësia. Është një njeri që ia ka kushtuar krejt jetën e vet çështjes kombëtare, i është përgjigjur drejtësisë tonë. Pse nuk i dorëzohet Prokurorisë dhe thirrjes së saj është pikërisht shkaktar Albin Kurti. Albin Kurti një njeri që ka ardhë në pushtet me dhunë, me gjak, me djegie parlamenti dhe sot nuk i përgjigjet prokurorisë, se Albin Kurti deri sot PSRK-së hala nuk iu ka përgjigj. Kur zoti i shtëpisë nuk i përgjigjet një thirrje të një institucioni, atëherë pse ne t’i përgjigjemi kësaj drejtësie kur Albin Kurti i ikën drejtësisë”, ka theksuar Gucati.
Edhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, praninë e Njësisë Speciale në qytet e ka vlerësuar të panevojshme.
“Një manifestim i tillë i Forcës… Forca prezenton fuqi dhe dhunë, ishte krejtësisht i panevojshëm, absolutisht i panevojshëm dhe i keni pa edhe reagimet e qytetarëve kjo ka paraqit një irritim tej mase te qytetarët sepse ishin krejt të panevojshme. Çdo qytetrrethim i atij niveli ashtu ishte krejtësisht banal, nëse mund ta përdor këtë shprehje sepse një incident i izolua nuk kishte nevojë për atë manifestim”, ka thënë Nura.
Por, ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi, ka thënë se Njësia Speciale ka vepruar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë pasi në orët e vona të mbrëmjes të së premtes shkoi në Skenderaj, disa orë pas rrahjes së zëvendësministrit të Financave, i cili ka thënë se u sulmua nga Lushtaku dhe shoqëruesit e tij.
Sipas Maliqit, prania e Njësisë Speciale në Skenderaj kishte për qëllim parandalimin e ndonjë eskalimi të situatës dhe reagimet e qytetarëve ndaj pjesëtarëve të policisë kanë qenë të panevojshme.
“Njësia Speciale ka shkuar me qëllimin më të mirë, ta ruajnë rendin dhe ta ruajnë sigurinë e qytetarëve që të mos ndodhë ndonjë eskalim i situatës. Vërejtjet e tyre (qytetarëve v.j.) m’u dukën pa vend, sepse gjithmonë Policia, gjegjësisht Njësia Speciale, kryen kontrolle rutinë nëpër Prishtinë me të njëjtat pajisje, armë të gjata”, ka deklaruar Maliqi në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se pajisjet dhe armatimi që bart Njësia Speciale janë standarde dhe përdoren në operacione të rregullta policore.
“Nuk dallon. Sa herë që reagon Njësia Speciale janë ato pajisje të rregullta që i bartin me vete. Policia ka qenë shumë e qetë, iu ka nënshtru lloj-lloj fyerjeve e përçmimeve dje në mbrëmje”, është shprehur ai. “Në të gjithë rastet është dëshmuar se Policia është profesionale, gjakftohtë. Nuk ka nevojë të dramatizohet ky rast. Është obligim i secilit qytetar të respektojë institucionet e vendit”.
Sulmi i së enjtes ka ndodhur diku 50 metra larg objektit të Komunës së Skenderajt, ku krahas zëvendësministrit Mehani, është sulmuar edhe sekretari i Qendrës së vetëvendosjes në këtë komunë, Bahri Zabeli. Të dy kanë marrë trajtim mjekësor, fillimisht në Skenderaj, e më pas në Spitalin e Mitrovicës. Nëpërmjet një njoftimi për media, Spitali ka bërë të ditur se të dy kanë lëndime, njëri fizike në fytyrë dhe kokë, kurse tjetri gërvishtje.