Arbëri

Mësimi në fshatra gjatë pandemisë, me më shumë përparësi

Pandemia COVID-19 e ka vënë në avantazh fshatin ndaj qytetit sa i përket procesit mësimor në Prishtinë.

Për shkak të numrit të vogël të nxënësve në pjesët rurale, nisja e vitit të ri shkollor pas gjashtë muajsh vonesë ka sjellë më pak telashe në organizimin e mësimit në këto zona, raporton emision “038” në KTV.

Kjo përparësi është vërejtur edhe në Koliq. “Tefik Çanga” quhet shkolla e këtij fshati, ku nxënësve fillimisht u matet temperatura, derisa pas dezinfektimit të duarve lejohen të hyjnë brenda.

Erlinda, Omari, Ensara, Muhamedi, Arjani e Arlindi janë gjashtë nxënësit që përbëjnë klasën e tretë.

Secili nga ta thotë se ka kuptuar rëndësinë e mbajtjes së maskës dhe distancës për t’u mbrojtur nga virusi.

Pak nxënës ka edhe në klasën e gjashtë. Ata i janë gëzuar kthimit në shkollë pasi thonë se mësimi nga shtëpia ka qenë i vështirë.

Arsimtari Naim Sheqiri ka mbi 30 vjet përvojë pune në arsim, por tregon se asnjëherë nuk është përballur me një situatë të tillë si pandemia.

Javën e parë të mësimit, shkolla e Koliqit e ka nisur vetëm me klasat 1, 2, 3 dhe 6. Mirëpo, nga java e ardhshme pritet që bankave t’u kthehen edhe klasat e tjera.

Vetëm katër fshatra të kryeqytetit, sipas Drejtorisë së Arsimit, nuk janë duke zhvilluar mësimin me numrin total të nxënësve.

Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, faza e parë e mësimit ka filluar më 14 shtator, kurse faza e dytë është planifikuar të nisë më 21 shtator.