Hapja e disa zonave të konfliktit në pjesë të ndryshme të botës ka rikthyer garën e shteteve për armë. Përjashtim nuk bën as Kosova, e cila në vitin e gjashtë të tranzicionit të ushtrisë porositi blerjen më të madhe të raketave antitank. Njohës të sigurisë thonë se pavarësisht garancisë që ofron NATO-ja për kufijtë e Kosovës, ngritja e kapaciteteve vetjake është domosdoshmëri e kohës.
Forcimi i kapaciteteve vetjake ushtarake krahas kërkesës që NATO-ja ta shtojë fokusin në mbrojtjen e kufijve të Kosovës po konsiderohet nevojë e kohës. Derisa procesi i transformimit të FSK-së në ushtri ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar, Qeveria pret që së shpejti ta bëjë blerjen më të madhe në armatim.
Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë.
Si kundërpërgjigje ndaj Kosovës për blerjen e raketave antitank, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, tha se do të kontraktojë armatim në vlerë 740 milionë euro.
Serbia shpesh është kritikuar nga Perëndimi për blerjen e armëve të sofistikuara nga Kina e Rusia.
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se angazhimet e Serbisë, sipas tij, shkojnë përtej nevojave që ka.
“Sa i përket Kosovës, duhet të jemi të sinqertë se ajo nuk është barabar në armatim me Serbinë. Është një vend i ri, me popullsi dhe ekonomi më të vogël. Kështu që nuk mendoj se dikush mund të bëjë krahasime. ‘Javelinët’ janë armë mbrojtëse, nuk iu duhen për ta sulmuar dikë. Për aq kohë sa Kosova nuk sulmohet nga dikush nuk do të ketë arsye për përdorimin e tyre. Kështu që mendoj se gjërat duhet t’i mbajmë proporcionalisht dhe Kosova si shtet sovran duhet të kujdeset për mbrojtjen e vet”, ka deklaruar ai.
E ish-zëvendësministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, ka thënë se armatosja e FSK-së është brenda planit të transformimit teksa tregon se kur FSK-ja do të mund ta zëvendësojë NATO-n në ofrimin e sigurisë.
“Tani pritjet janë që kjo strukturë të furnizohet me sistemet mbrojtëse që garantojnë se kjo strukturë është e aftë për të përmbushur misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Megjithatë prania e NATO-s për të garantuar sigurinë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, do të jetë e domosdoshme edhe pas përmbushjes së këtij kriteri nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kështu që paralel anëtarësimit shpresoj se misioni i NATO-s do të ketë nevojë që të jetë i pranishëm”, ka thënë ai.
Për shkak të sfidave globale shumë shtete janë duke investuar në avancimin e sistemeve të armatimit, përfshirë anëtarët e NATO-s. Kjo aleancë në janar e nisi stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë..
“NATO-ja është shumë e fokusuar në Rusi, Ukrainë, Evropën juglindore por nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor. NATO-ja është duke demonstruar se mund t’i bëjë dy gjëra të njëjtën kohë. Ukraina është brenga e madhe por NATO-ja është e përkushtuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Nëse kërkohen trupa shtesë, ato do të sillen. Këtë e shoh si shenjë të mirë - ‘mos i largoni sytë prej topit’ - ky është mësimi”, ka thënë Shea
Ndonëse Rusia ka pësuar humbje në Ukrainë dhe lufta atje po vazhdon, Kremlini mbetet një kërcënim serioz ushtarak për Evropën.