Në episodin e 58-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është historiani serb Milivoj Beshlin. (Pjesa e dytë)
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBeshlin: Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore u nxit nga politikat jugosllave
Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë vazhdoi një klimë mosbesimi dhe represioni ndaj shqiptarëve, ndërsa shpërngulja e popullsisë drejt Turqisë, sipas tij, u nxit nga politikat e autoriteteve jugosllave.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin u shpreh se, pavarësisht zhvillimeve në arsim dhe përdorimin e gjuhës shqipe, në 15 vitet e para të Jugosllavisë së re ekzistonte një mosbesim i madh ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ka disa zhvillime thelbësore si përdorimi i gjuhës, shtypi, shkrim-leximi dhe shkollat në gjuhën shqipe, por në thelb ende ekziston një mosbesim i madh ndaj Kosovës dhe popullsisë shumicë shqiptare”, ka thënë ai.
Sipas Beshlinit, kulmi i kësaj politike u shënua me Procesin e Prizrenit dhe aksionin e mbledhjes së armëve në vitet 1954-1955.
Ai deklaroi se represioni nuk preku vetëm popullsinë, por edhe udhëheqësit shqiptarë të Luftës Nacionalçlirimtare. Në këtë kontekst, Surroi përmendi se Procesi i Prizrenit synonte edhe figura të rëndësishme politike, përfshirë Fadil Hoxhën.
Historiani serb vlerësoi se rreth 240 mijë persona u shpërngulën drejt Turqisë gjatë kësaj periudhe, numër që sipas tij ishte dukshëm më i madh sesa shpërnguljet e periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë.
“S’ishte spastrim etnik klasik, siç do ta parafytyronim sot, por ishte një nxitje e shpërnguljes”, u shpreh Beshlin, duke shtuar se në disa dokumente të kohës autoritetet jugosllave shtronin pyetjen nëse masat e ndërmarra po e inkurajonin tepër emigrimin dhe nëse ato mund të konsideroheshin diskriminuese.
Beshlin: Tito synonte që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë
Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se udhëheqësi jugosllav Josip Broz Tito kishte ambicie që Shqipëria të bëhej pjesë e federatës jugosllave, si ajo që shpesh është përshkruar si “republika e shtatë” e Jugosllavisë.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se pas Luftës së Dytë Botërore udhëheqja jugosllave kishte ambicie të mëdha rajonale dhe se Shqipëria shihej si pjesë e këtij projekti.
“Mund të kishte qenë. Ata në fakt e donin. Ambiciet e Titos ishin të mëdha”, ka thënë Beshlin, duke iu përgjigjur pyetjes së Surroit nëse periudha 1945-1948 mund të kishte çuar drejt një zgjidhjeje ku Shqipëria do të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë.
Sipas tij, ideja nuk përfshinte vetëm Shqipërinë, por edhe Bullgarinë, si pjesë e një federate më të gjerë ballkanike të udhëhequr nga Jugosllavia.
Beshlin u shpreh se Jugosllavia doli nga Lufta e Dytë Botërore me rreth 800 mijë ushtarë dhe me një ushtri që konsiderohej ndër më të mëdhatë antifashiste në Evropë, gjë që, sipas tij, ushqeu ambiciet e udhëheqjes jugosllave.
“Jugosllavia u dukej e vogël. Kishin ambicie të mëdha. Shqipëria u mor disi si e mirëqenë atje, por më pas iu kthyen Bullgarisë”, shtoi ai.
Historiani serb theksoi se planet për një federatë më të gjerë ballkanike u ndalën nga Bashkimi Sovjetik dhe udhëheqësi sovjetik Josif Stalin, duke shtuar se përplasjet ndërmjet Beogradit dhe Moskës nisën, ndër të tjera, edhe për shkak të çështjes së përfshirjes së Bullgarisë dhe Shqipërisë në federatën jugosllave.
Beshlin: Kryengritja e dimrit 1944/45 në Kosovë solli represionin e pushtetit të ri jugosllav
Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se kryengritja në Kosovë gjatë dimrit të viteve 1944-1945 ndikoi drejtpërdrejt në vendosjen e një qasjeje represive nga pushteti i ri jugosllav ndaj Kosovës.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se njësitë partizane jugosllave nuk u pritën mirë në Kosovë, gjë që sipas tij çoi në kryengritjen që përfshiu kryesisht Drenicën dhe disa pjesë të tjera të vendit.
“Kjo do të ndikojë shumë në faktin se qeveria e re jugosllave do të tregojë një dell represiv atje”, ka thënë ai.
Sipas Beshlinit, Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte përfunduar plotësisht dhe autoritetet jugosllave ishin të angazhuara edhe në fronte të tjera, çka, sipas tij, ndikoi në vendosjen e Administrimit Ushtarak në Kosovë në shkurt të vitit 1945.
Ai ka thënë se administrimi ushtarak zgjati deri në qershor të atij viti, kur autoritetet jugosllave nisën t’i jepnin një zgjidhje politike dhe juridike statusit të Kosovës.
Historiani serb theksoi se udhëheqja komuniste jugosllave për një kohë të gjatë nuk kishte një qëndrim të qartë lidhur me kufijtë e Serbisë dhe pozitën e Kosovës, Vojvodinës dhe Sanxhakut brenda federatës së re.
Sipas tij, në verën e vitit 1945 u vendos që Kosova të organizohej si rajon autonom brenda Serbisë, ndërsa Vojvodina të kishte status më të lartë autonomie.