Arbëri

Miratohet Raporti i Progresit: Kosova me progres të limituar e stagnim

Kosova, Bashkimi Evropian

Foto-Ilustrim: KOHA

Komisioni Evropian ka miratuar Raportin e Progresit për vitin 2025, që për Kosovën konstaton progres të kufizuar e stagnim. 

Shkak kryesor është përçarja e skenës politike dhe ngërçi institucional. Komisioni Evropian mbetet gati të përpilojë mendimin për statusin e vendit kandidat për Kosovën, por i duhet mandati nga vendet anëtare.

Heqja e masave ndaj Kosovës kushtëzohet me transferimin e pushtetit lokal në veri.

Të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen edhe nga Kosova edhe nga Serbia.

Sa u përket masave të vendosura nga BE-ja për Kosovën, është thënë se ka nisur heqja graduale e tyre, dhe se në kuadër të heqjes ka qenë edhe një takim i mbajtur në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në korrik. Aty është theksuar se heqja e mëtejme e tyre varet nga depërshkallëzimi në veri.

“Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kushtin që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”, thuhet në raport.

Në raport është theksuar se pas fillimit të heqjes graduale të masave, katër projekte të asistencës teknike në mbështetje të investimeve të mundshme në kuadër të Programit ët Reformës dhe Rritjes janë riparaqitur dhe janë miratuar.

Disa nga pikat kryesore për të cilat Raporti tregon se Kosova ka shënuar ngecje e që kanë ndikuar në mos-heqjen e masave janë të lidhura me Parlamentin, Qeverinë, gjyqësorin e ekonominë. 

Derisa është folur për zgjedhjet e fundit parlamentare, është thënë se ka pasur raste të retorikës së ashpër, keqpërdorimit të burimeve publike dhe presionit shoqëror-politik në zonat me shumicë serbe të Kosovës.

“Asambleja ende ka nevojë të përmirësojë sistemin e saj të menaxhimit të brendshëm dhe të miratojë plane pune. Me fillimin e fushatës zgjedhore në janar 2025, Asambleja hyri në një periudhë të paaktivitetit. Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Asamblesë për të u formuar ka dëmtuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyçe demokratike. Kosova ndodhet midis një faze të hershme përgatitjeje dhe një niveli të caktuar përgatitjeje për të zbatuar standardet evropiane mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, dhe ka bërë progres të kufizuar”, thuhet në raport. 

Tutje thuhet se Kosova ende nuk ka ratifikuar protokollet shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Derisa eksportet janë rritur, deficiti i tregtisë mbeti i lartë dhe Kosova ende nuk ka zbatuar një politikë të plotë tregtare.

Për integrimin në BE është thënë se mosmarrëveshjet, polarizimi dhe mungesa e bashkëpunimit midis partive politike kanë penguar përparimin e ndjeshëm në reformat e lidhura me BE-në. 

“Këto mosmarrëveshje dhe bojkotimi i gjatë i seancave të Kuvendit nga Lista Srpska në legjislaturën e mëparshme kanë dobësuar aftësinë e institucionit për të miratuar ligje, për të emëruar anëtarë të organeve publike dhe për të siguruar mbikëqyrje efektive”, thuhet në raport. 

Ngërçi politik sipas raportit, ka dëmtuar funksionimin e institucioneve demokratike dhe rrezikon të minojë besimin e publikut në proceset demokratike.

“Kampanja zgjedhore gjithashtu ka ngadalësuar vendimmarrjen. Gjuha polarizuese kundër kundërshtarëve vazhdoi të përdoret në debatet politike. Që nga zgjedhjet e shkurtit, Kuvendi vazhdimisht ka dështuar të vendoset, që është një kusht paraprak për formimin e qeverisë. Për shkak të kësaj ngërçi politik, qeveria në largim është në status kujdestarie që nga 23 marsi 2025, me funksione ekzekutive të kufizuara”, është thënë tutje.

Raporti i Progresit ka vlerësuar se pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet në çdo kohë.

Më tej është kritikuar edhe pjesëmarrja e ulët e deputetëve në seanca. 

“Kuvendi përballej me polarizim të thellë politik, shkelje procedurale, pjesëmarrje të ulët, bojkotime të vazhdueshme dhe ligjvënieve të nxituara, ndërsa shumica qeverisëse u tkurr gjatë mandatit. Nga njëra anë, mbështetja e partisë në pushtet në shkurtime procedurale për të kaluar ligje pa konsensus minoi besueshmërinë e procesit legjislativ. Nga ana tjetër, partitë opozitare keqpërdorën instrumentet e mbikëqyrjes parlamentare, duke ndërprerë rrjedhën legjislative. Futja e sistemit të votimit elektronik ishte një zhvillim pozitiv”, theksoi raporti.

Përparimi për integrim evropian thuhet se u ndal për shkak të paaftësisë së Kuvendit dhe ngërçit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Pavarësisht angazhimit të qeverisë dhe mbështetjes publike për rrugën evropiane të Kosovës, e shoqëruar me komunikim pozitiv mbi procesin e integrimit në BE, politika e brendshme ndarëse vazhdoi të pengojë zbatimin e agjendës së BE-së. Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit në BE mbeten në vend. Qendërzimi i agjendës së BE-së nganjëherë kufizon pronësinë politike në ministritë përkatëse dhe ngadalëson marrjen e vendimeve. Aktivitetet e integrimit në BE janë ndikuar negativisht nga kapaciteti i dobët administrativ dhe fakti që një numër i madh pozicionesh kyçe në administratën publike mbahen nga zyrtarë në detyrë”, është theksuar më tej.

Sai përket sistemit gjyqësor, raporti thekson se ka infrastrukturë ligjore dhe institucionale, por përballet me sfida të mëdha: implementim të dobët, mungesë pavarësie, efikasitet të ulët, mungesë burimesh, ndikim politik dhe nevojë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe aksesit të drejtësisë për komunitetet jo-shumicë.

Raporti për Kosovën

Lexo përditësimet tjera
eu flamur ilustrim flamuri i be be

Raporti i Progresit: Kosova me progres të kufizuar, Mali i Zi prin në rrugën drejt BE-së