Arbëri

Mosrespektimi i Ligjit kundër duhanit, 12 gjoba ndaj bizneseve në rajonin e Ferizajt

Inspektorati Sanitar i Agjencisë Ushqimore dhe Veterinarisë në rajonin e Ferizajt gjatë së premtes ka mbikëqyrur respektimin e Ligjit kundër duhanit. Kjo ka rezultuar me 44 inspektime në biznese dhe janë shqiptuar 12 gjoba ndaj bizneseve sipas ligjeve në fuqi.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-it, ka thënë për KOHËN se shtrirja e kontrolleve ka qenë në të gjitha komunat e rajonit të Ferizajt.

"Ndaj shkelësve të ligjit të hasur gjatë kontrolleve janë iniciuar procesverbale për gjykatë. Sipas procedurës, inspektorët kanë shkruar gjendjen faktike në procese e cila sipas rregullave ligjore shndërrohet në gjobë. Aksionet inspektuese janë bërë nën mbështetjen e Policisë”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, kontrolle do të ketë edhe pas orës 16:00, por edhe fundjavave.

“I ftojmë qytetarët që ta respektojnë ligjin, të ruajnë shëndetin e vet dhe atyre që i rrethojnë. Pra, zbatimi i ligjit nuk ka alternative", ka thënë më tej Thaçi.

“Në Kaçanik dhe Hani i Elezit janë realizuar 12 inspektime me 4 gjoba, pastaj në Shtërpcë dhe Brezovicë 15 inspektime me 3 gjoba. Ndërkaq në Shtime 17 inspektime me 5 gjoba", ka sqaruar Thaçi.

Ai ka shtuar se shkelësit e ligjit ishin më së shumti bizneset e kafeneve.