Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mungesa e barnave arsyetohet me mosmiratimin në kohë të buxhetit

Barnat

Pesë javë pas mbledhjes së fundit, Bordi Drejtues i Shërbimit Klinik dhe Universitar është mbledhur, por pa kërkuar llogari për mungesën e barnave dhe materialit shpenzues. Drejtuesit e këtij institucioni fajin për vonesat në furnizim e lanë te mosmiratimi me kohë i buxhetit për vitin 2026, por nuk dhanë sqarime lidhur me mungesat e barnave për të cilat pati kontratë aktive

Fajin për mungesën e barnave, përfaqësues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ia kanë atribuuar mosmiratimit me kohë të buxhetit.

Megjithatë, pacientët u përballën edhe me mungesë të ilaçeve dhe materialit shpenzues për të cilat kishte kontrata aktive.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Derisa për këtë anëtarët e Bordit Drejtues nuk kërkuan llogari, për mungesën e disa barnave drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, tha se pati vonesa në planifikim.

“Pas një periudhe që nuk kemi pasë buxhet të mjaftueshëm dhe nuk kemi mundur të iniciojmë kontrata, për momentin ka filluar me inicimin e kontratave të reja. Përderisa, sa i takon atyre që kemi pasur kontrata, aty kemi vazhduar me furnizim”, ka thënë Azizi.

E, për mungesën e stentave dhe materialit tjetër të nevojshëm në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, Azizi tha se nga e mërkura do të nisë furnizimi.

Por në QKUK ka pasur mungesa edhe për barna që kanë qenë të kontraktuara. KOHA, në fillim të muajit mars, raportoi për një numër ilaçesh që munguan në Klinikën e Onkologjisë, e për mungesën e të cilave në QKUK patën thënë se janë në pritje të liferimit, gjë që nënkuptonte se ato ishin të kontraktuara.

Në mesin e medikamenteve që kanë munguar është edhe ai për leukemi mieloide kronike, me emrin “Dasatinib”, i cili, siç ka mësuar KOHA, ndonëse është kontraktuar, mungoi në QKUK për tetë muaj rresht, deri në shkurt të këtij viti.

Çmimi i këtij produkti, sipas listës zyrtare të çmimeve të barnave, është 2 mijë e 920 euro.
Pacientë me të cilët ka biseduar KOHA kanë treguar në kushte anonimiteti, se këtë terapi nuk kanë mundur ta zëvendësojnë me një tjetër dhe se janë detyruar ta sigurojnë jashtë vendit me një çmim më të arsyeshëm.

Bordi i SHSKUK-së nuk kërkoi llogari as për raportimin jo të saktë dhe jo të rregullt në faqen zyrtare të institucionit për gjendjen e stokut, kërkesë kjo që është shtruar më herët nga vetë Bordi.