Katër marrëveshje ndërkombëtare kanë mbetur pa u ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit.
Marrëveshjet me të cilat Kosova do të përfitonte 86.2 milionë euro kanë kohë për miratim deri të mërkurën, meqë rishikimi i buxhetit pritet të dalë në lexim të dytë në Kuvend të njëjtën ditë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, arsyeton me mundësinë e keqpërdorimeve.
“Mendojmë që sa më pak t'i lëmë qasje kësaj qeverie, e cila dita-ditës po e dëshmon që po abuzon me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pra nuk kemi një agjendë zhvillimore, kemi një agjendë që është abuzuese dhe mendoj se sa më shumë i bllokojmë qasjen kësaj qeverie në financa bëjmë mirë, sepse këto marrëveshje kanë të bëjnë me një borxh që do t'u faturohet qytetarëve të Kosovës në vitet e ardhshme. Në anën tjetër, jemi shumë skeptikë që këto para do të shkojnë në destinacionin e duhur për atë se çka kërkohet”, tha Tahiri.
E sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, pushteti po kërkon mbështetje për marrëveshje që sa ishte në opozitë i cilësonte të dëmshme.
“Këta, po ashtu, po i sjellin për ratifikim në Kuvend marrëveshjet e negociuara nga Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja, të cilat marrëveshje nuk i kanë votuar sa ishin në opozitë duke i cilësuar si të dëmshme. Është e udhës që këta të kërkojnë falje për sjelljet e tilla që e kanë dëmtuar Kosovën në të kaluarën, dhe gjithashtu të vendosin komunikim njerëzor me opozitën për të siguruar mbështetjen për marrëveshjet ndërkombëtare ku kërkohen 2/3 e votave, për reformat në drejtësi siç është vetingu, si dhe në çështje të tjera”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Për t’u ratifikuar këto marrëveshje, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, duhet të zhvillohet një marrëdhënie bashkëpunuese mes opozitës e pushtetit.
“Meqë shumica parlamentare nuk i ka 80 vota për t'i miratuar këto marrëveshje, nënkupton që nevojitet dhe do të duhej të iniciohej dhe kultivohej një lloj qasjeje bashkëpunuese me opozitën, në mënyrë që të miratohen ato”, deklaroi Agnesë Haxhiu, hulumtuese në KDI.
Qeveria e Kosovës ia ka përcjellë për ratifikim Kuvendit pesë marrëveshje ndërkombëtare, por të enjten është miratuar vetëm Marrëveshja IPA 2020.
Për marrëveshjet që nuk morën miratim në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Financave nuk ka dhënë sqarime se si do të veprohet tutje, në rast se as para miratimit të buxhetit nuk ratifikohen marrëveshjet.
Ndërkaq, Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit paralamentar të LVV-së, thotë që të mërkurën do të hidhen përsëri në votim marrëveshjet
Marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut për mbështetje shëndetësore, amendamentimin e marrëveshjes së kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit Evropian për reagim të shpejtë për COVID – 19, marrëveshja me Bankën Botërore dhe Marrëveshja me Agjencinë Austriake për hulumtime shkencore nuk e kanë mbështetjen e opozitës.