Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi për votim të fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës, siç është po pretendon opozita.
Sipas tij, aktgjykimi i Kushtetueses në vitin 2014 mundëson që votimi të jetë i çfarëdo forme në mënyrë që të zgjidhet çështja e konstituimit.
“Siç edhe patë, është e qartë se kush po bllokon. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja u deklaruan kundër zhbllokimit të konstituimit të Kuvendit. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses të vitit 2014 paragrafi 124, mundësohet që votimi të jetë i hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme në mënyrë që të konstituiohet Kuvendi, synimi është konstituimi, jo bllokimi. Kushtetuesja ka paraparë se secila formë e votimit mund të përdoret. Edhe në pajtim me këshillën e presidentes, është në përgjegjësinë e deputetëve të gjejnë rrugë për zhbllokim dhe jo si të bllokohet. Shihet qartë që s’ka vullnet”, ka thënë Murati.
Murati pretendon se opozita nuk po do votim të fshehtë pasi do të kontrollojë deputetët.
Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar s’po kërkojnë zgjidhje të ngërçit, por duan ta mbajnë vendin e bllokuar.
“U pa se koalicioni i tyre PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe është ende funksional”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se u tha se procesi i votimit të fshehtë shkel Kushtetutën, por nuk u cek asnjë nen që shkel.
“Po ka interes me u blloku shteti. Do të mundohemi prapë, do të vazhdojmë të propozojmë zgjidhje, s’do të ndalemi. Sot nuk erdhi fare te votimi, u bllokua procesi. Votimi nuk ndodhi, nuk erdhi fare propozimi”, tha Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se nuk ka “pazare politike” me formimin e Kuvendit të Kosovës.
Ngjashëm deklaroi edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci. Ai tha se ekziston koalicioni PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Peci ka thënë se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje kompromisi apo marrëveshje politike.
“Marrëveshjet vijnë kur Kuvendi konstituohet”, tha Peci.
