Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati: Nga 100 euro për punonjësit privatë ekzekutohen të hënën

100 euro

Foto: Ilustrim

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se të hënën do të bëhet ekzekutimi i mbështetjes prej 100 euro për secilin të punësuar në sektorin privat, e që ka pagë nën 1000 euro bruto.

Në një status në Facebook të premten, Murati ka bërë të ditur se komisionet vlerësuese kanë filluar shqyrtimin e aplikimeve qysh këtë javë, ndërsa puna për verifikimin e aplikimeve të sektorit privat është drejt përfundimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat, dhe studentët. Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën”, ka shkruar Murati.

E sa i përket mbështetjes prej 100 eurove për studentët, ministri në detyrë u shpreh se ato do të ekzekutohen sapo të marrin konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit.

“Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim.  Qeveria për të gjithë!”, përfundon shkrimi i Muratit.

Qeveria mbështeti me nga 100 euro edhe pensionistët e fëmijët.