Dënim me burgim të përjetshëm i ka shqiptuar Gjykata Naim Murselit e Granit Plavës, për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të 2023-tës. E Kushtrim Kokallës, Gjykata i ka shqiptuar dënim me 30 vjet burgim. Vendimin e kanë mirëpritur familjarët e së ndjerës, aktivistë të shoqërisë civile e përfaqësues shtetërorë
Pjesën tjetër të jetës, Naim Murseli e Granit Plava do ta kalojnë në burg. Për ta Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Krahas tyre, trupi gjykues ka marrë vendim që i pandehuri tjetër, Kushtrim Kokalla, të dënohet me 30 vjet burgim për veprën penale ndihmë në vrasje të rëndë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Të akuzuarve Naim Murseli dhe Granit Plava u shqipton dënim me burgim të përjetshëm. Të akuzuarit Kushtrim Kokalla, i shqipton dënim me burgim prej 30 vjetësh”, ka thënë Fatime Dërmaku, kryetare e trupit gjykues në seancën e së martës.
Të tre, sipas aktakuzës, ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante 30 mijë euro.
Asnjëri nga ta nuk ishte i pranishëm në sallë, gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Vendimin e Themelores e ka mirëpritur familja e Liridona Ademajt.
Vëllai i saj, Leonard Ademaj, ka thënë se shkalla e dënimit duhet të shërbejë si mësim edhe për të tjerët që mendojnë të bëjnë krime të këtilla.
“Ky vendim nuk shkon vetëm për ne, por edhe për Liridonën dhe fëmijët e saj që nuk do ta shohin më nënën e tyre. Ky vendim është edhe për ata që mendojnë që ta bëjnë një krim të tillë. Sadopak ky vendim na ka lehtësuar edhe neve, por është vendim që e kemi pritur të gjithë, jo vetëm familja”, ka thënë Ademaj.
E mbrojtësi i familjes Ademaj, avokati Leutrim Syla ka paralajmëruar apelimin e dënimit prej 30 vjetësh për Kokallën.
“Edhe pse si i tillë nuk parashihet me kod pasi ishte vetëm 30 vjet në kohëzgjatje, por që duke pasur të drejtën të apelojmë edhe në Apel, konform lartësisë së dënimit, konsideroj se do të bëjmë ankesë”, ka thënë avokati Syla.
Vendimi i gjykatës është mirëpritur nga përfaqësues shtetërorë e aktivistë të shoqërisë civile.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar atë si përgjigje të fortë e të merituar.
“Asnjë vendim gjykate nuk e kthen Liridonën pranë fëmijëve të saj, pranë vëllait, pranë familjes por ky aktgjykim e bën të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë dhe të mendojë se do t’i shpëtojë drejtësisë. Lufta kundër femicidit kërkon vigjilencë të përhershme, institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Për vendimin, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Ajo ka thënë se efikasiteti i institucioneve matet edhe me vendosmërinë e dënimeve që shqiptohen.
“Dënimet duhet të jenë në përputhje me peshën e krimit, duke dërguar një mesazh të qartë se dhuna dhe vrasjet nuk tolerohen dhe nuk relativizohen në asnjë rrethanë. Shoqëria jonë nuk mund të tolerojë më as heshtjen, as normalizimin e dhunës”, ka thënë Gërvalla.
Çfarë thanë të pandehurit?
Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ai ka pretenduar se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë.
Ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet rreth fajësisë, por gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se veprimet i ka bërë sipas marrëveshjes me Murselin, që ky vetëm ta merrte përgjegjësinë për rastin.
Ai ka pretenduar se në momentin kritik vetëm ka dëgjuar krismën, dhe më pas i është thënë të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me armën që ishte kryer vrasja, duke pohuar se më pas ka ikur me shpejtësi.
Kurse Kokalla, që fillimisht nuk ka pranuar të deklarohej, më vonë gjatë shqyrtimit është deklaruar i pafajshëm për rastin.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka mohuar përfshirjen në krim, duke theksuar se për ngjarjen ka mësuar fillimisht nga mediat.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj është vrarë në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murseli dhe dy fëmijët e tyre.
Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Kokalla akuzohet se e ka njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.
Plava akuzohet se e ka vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.
Sipas Prokurorisë, ai ka kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.
Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakorduar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, ka deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e ka mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.
“...Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.
Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e ka blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike.
Dodaj ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës është dënuar me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Mirëpo, pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk ka qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që e kishte shitur”.
Varrimi dhe zhvarrimi
Vrasja e Ademajt ka nxitur reagim publik, sidomos kur u ngritën dyshimet se ishte porositur nga bashkëshorti i saj, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të saj.
Familja, më pas, ka kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, për ta rivarrosur në varrezat e familjes Ademaj.
Pak ditë pas vrasjes, në Prishtinë është mbajtur marsh protestues, teksa protestë në numër më të vogël të njerëzve është zhvilluar edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010 - në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.