Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se gjyqtari Radomir Laban është dalluar si jurist i shkëlqyeshëm, porse zgjedhja e tij si gjyqtar i Kushtetueses në vitin 2018 ishte e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese për shkak të kaluarës së tij kriminale.
Gjatë ditës së sotme, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën për seancën konstituive nga Gjykata Kushtetuese për shkak të caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues.
“U befasova për lajmin, por jo për të vërtetën që tha presidentja Osmani”, ka thënë Mushkolaj në “Interaktiv” të KTV-së, duke nënvizuar se nuk është e qartë nëse Gjykata Kushtetuese ishte informuar më herët për raportin e Agjencisë së Inteligjencës (AKI), ndonëse, sipas saj, rrethana të tilla kanë qenë të njohura në publik dhe në institucione përmes raportimeve mediatike.
Mushkolaj kujtoi se Labani ishte përzgjedhur nga Komisioni i Kuvendit dhe se nuk është dashur të procedohej për votim në seancë plenare.
“Nuk është dashur t’u servohet deputetëve për votim emri i tij”, ka shtuar ajo.
Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese, ndonëse nuk ka përjashtuar asnjë gjyqtar, në të kaluarën ka larguar përkohësisht gjyqtarë nga vendimmarrja për shkelje të kodit etik – duke e cilësuar rastin e Labanit si më serioz, për shkak të së kaluarës së tij.
“Është i dënuar me burg si pjesë e një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar doganor në Serbi. Ka punuar edhe si këshilltar në Kushtetuese. Është dalluar si jurist shumë i mirë, ka punuar në tre gjuhë dhe çka ka shkruar në shqip ka qenë më mirë sesa juristët e rëndomtë shqiptarë. Profesionalisht i shkëlqyer, por zgjedhja e tij ka qenë kundërligjshme dhe si gjyqtar, kundërkushtetuese”, theksoi Mushkolaj.
Duke komentuar edhe mbi rolin e gjyqtarit raportues, Mushkolaj ka thënë se ai është përgjegjës për analizën dhe përgatitjen e versionit preliminar të vendimit, por jo domosdoshmërisht për vendimin final.
Sipas Mushkolajt, çështja e seancës konstituive është tepër e ndjeshme sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të lidhura me të mund të ndërtojnë parime dhe doktrinë të re kushtetuese.